Ndërlidhjet

Niveli i lartë i korrupsionit në institucionet shtetërore, është një ndër faktorët kryesorë që investitorët e huaj po hezitojnë që kapitalin e tyre të shtrijnë në Kosovë, konsiderojnë njohës të çështjeve ekonomike.

Edhe në raporte të ndryshme të institucioneve ndërkombëtare, Kosova vazhdimisht është cilësuar si vend i pasigurt për investime.

Eksperti i ekonomisë, Ibrahim Rexhepi, thotë se autoritetet kompetente ende nuk kanë krijuar një ambient të sigurt për investitorët potencialë.




Korrupsioni është bërë si një formë, siç thotë ai, e “zakonshme” e funksionimit të institucioneve publike.

Posaçërisht e kam fjalën kur është çështja e tenderëve të ndryshëm, procedurave të prokurimit, probleme më doganën, probleme më administratën tatimore, apo realisht korrupsioni, është bërë si një formë shumë e ‘zakonshme’ e funksionimit të institucioneve publike. Çka do të thotë se edhe qytetari i rëndomtë për të kryer një punë të zakonshme duhet të jetë i gatshëm që të korruptojë dikë”, thekson Rexhepi.

Edhe Mejdi Bektashi, profesor në Universitetin e Prishtinë, thotë se dukuria e korrupsionit dhe mangësia e sigurisë ligjore, kanë bërë që investitorët ndërkombëtarë të mos investojnë në Kosovë.

Ai thotë ekzekutivi duhet të marrë masa të ashpra në luftimin e kësaj dukurie, në mënyrë që të bindë investitorët e huaj se Kosova është shtet i sigurt për investime.

Unë besoj se ne si shtet duhet shumë shpejtë që të marrim masa të ashpra drastike kundër këtij fenomeni. Sepse, ka mjaft afera të mëdha korruptive, të cilat janë prolonguar me vite të tëra, kurse ekzekutivi dhe legjislativi duhet sa më shpejtë që këto afera t’i përmbyllin më qëllim që t’i tregohet investitorëve të huaj se është një vend i sigurt për investimet e huaja”, shprehet Bektashi.

Çështje tjetër që ngadalëson ardhjen e investitorëve të huaj është edhe jostabiliteti, kur janë në pyetje vendimet e shpeshta që ndërrohen nga ekzekutivi, thotë Rexhepi.

Jostabiliteti kur janë në pyetje vendimet qeveritare të cilat ndryshojnë çdo gjashtë muaj, si e patëm rastin me çimenton, apo më aplikimin e ngarkesave të ndryshme tatimore, dhe niveli i lartë i korrupsionit, mosfunksionimi i ligjit dhe institucionet joefikase, konkretisht kur është fjala te gjykatat”, thekson Rexhepi.

Ndërkaq, profesori Mejdi Bektashi, i bën thirrje autoriteteve kompetente që të përmirësojnë ambientin investues vend, pasi, sipas tij, investimet ndërkombëtare vlerësohen si mjete të domosdoshme për zhvillim të përgjithshëm ekonomik.

Në mënyrë që të barazohemi me shtetet tjera të rajonit, duhet të krijojmë favore më të mëdha që këta investitorë të vijnë në Kosovë. Unë e shoh të vetmin shpëtim për zhvillim dhe për dalje nga kriza aktuale në Kosovë, me stimulimin maksimal të investimeve të huaja. Sepse potencialet tona financiare janë shumë të vogla, për të mundësuar një zhvillim ekonomik prej 4-6 për qind në vit”, thotë Bektashi.

Sidoqoftë, sipas raportit të Bankës Qendrore së Kosovës, që nga viti 2007, ka pasur rënie të vazhdueshme të investimeve ndërkombëtare.

Monitor Corruptus
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG