Ndërlidhjet

Maqedoni: Valë e re shtrenjtimesh


Treg frutash - foto nga arkivi.

Treg frutash - foto nga arkivi.

Vala më e re e shtrenjtimeve të energjisë elektrike, ngrohjes, dhe karburanteve, dukshëm ka goditur standardin jetësor të qytetarëve të Maqedonisë, duke ndikuar kështu dhe në shtrenjtimin e produkteve në tregun e gjelbër.

Sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikave, produktet ushqimore krahasuar me korrikun e vitit të kaluar, shënojnë rritje prej 1.8 për qind, ndërsa shpenzimet e jetës për 2.3 për qind.

Po sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikave çdo i treti i qytetar jeton në varfëri. Ndërkohë, te gjeneratat e reja është në rritje shkalla e varfërisë - sidomos në familjet, ku kryefamiljari është nën moshën 39 vjeç, shkalla e varfërisë arrin deri në dyzet për qind.

Qytetarët thonë se faturat e larta kanë bërë që të blihet gjithnjë e më pak, duke kursyer dhe ushqimin.

“Me tre mijë denarë (rreth 50 euro) çka të blejmë përpara: për rrymë, ujë, apo.... çka përpara”, thotë Hamdi Baftjari, i cili jeton me ndihmë sociale.

Ngjashëm mendon edhe Viktor Damjanovski, pensionist.

“Mendoj se këtë vit të paktën për njëzet për qind janë shtrenjtuar të gjitha pemët dhe perimet. E them këtë se unë për disa vite me radhë frekuentoj Tregun e Gjelbër të Bitpazarit dhe e shoh këtë rritje”, tregon Viktor Damjanovski.

Edhe shitësit ankohen se dukshëm është ulur kapaciteti konsumues në treg. Ata, problemin e fokusojnë te papunësia.

“Papunësia është shumë e madhe, nuk është vetëm frazë se njerëzit s’kanë para, po vërtet nuk kanë se me çka ta mbushin sofrën”, thotë Irfani, shitës në Tregun e Gjelbër të Bitpazarit.

Buxhetin familjar e rëndon edhe më shumë rregullorja e re për ngrohje qendrore, sipas së cilës edhe konsumatorët e amvisërisë që janë shkyçur nga rrjeti i sistemit të ngrohjes, duhet të paguajnë 10 denarë për metër katrorë sipërfaqe banimi (rreth 20 centë) për çdo muaj të vitit duke përfshirë tre vjetët e fundit.

Ruhi Bakiu, anëtar i Komisionit, i cili ka votuar kundër aplikimit të rregullores në fjalë, thotë se qytetarët detyrohen të paguajnë për diçka që nuk konsumojnë dhe kjo, sipas tij, është antikushtetuese.

“Lidhur me këtë çështje unë kam votuar kundër, sepse sipas Ligjit për energjetikë, askund nuk parashihet një obligim i tillë për konsumatorët që në rastet kur shkyçen nga sistemi për ngrohje qendrore, të vazhdojnë të paguajnë një sasi fikse që e kanë paguar edhe para se të shkyçen nga sistemi për ngrohje qendrore”, shpjegon për Radion Evropa e Lirë, Ruhi Bakiu, nga Komisioni Rregullator për Energji Termike.

Bakiu kujton se “në vitin 2009 Gjykata Kushtetuese është deklaruar se askush nuk duhet të obligohet që të paguajë diçka për të cilën, nuk shërbehet nga kompani të caktuara ekonomike. Andaj, sërish mendoj se posa të ngrihet kjo çështje në Gjykatën Kushtetuese, ajo do të abrogohet, sepse rëndon buxhetin familjar për shërbime të cilat nuk konsumohen”, shton Bakiu.

Ndërkohë, ekspertët e ekonomisë vlerësojnë se është shumë vështirë të shpresohet sa i përket përmirësimit të standardit jetësor përderisa shkalla e papunësisë është aq e lartë në Maqedoni dhe njëherësh mungojnë investimet kapitale nga ana e qeverisë në infrastrukturë.

Sipas Shenaj Haxhimustafës, nga Qendra për Analiza Ekonomike, përderisa rrogat tashmë disa vjet nuk kanë trend pozitiv, dhe në të njëjtën kohë çmimet janë gjithnjë e më të larta, është shumë normale që kapaciteti konsumues të jetë aq i ulët në Maqedoni.

“Derisa të ardhurat mujore janë të kufizuara, shkalla e papunësisë është në rritje, kapaciteti konsumues i brishtë ndikon edhe në uljen e prodhimit vendor dhe e gjithë kjo, sipas sistemit zinxhir, ndikon në zhvillimin ekonomik të Maqedonisë”, vlerëson Haxhimustafa.

Ai thekson se parametrat në lëmin e ekonomisë tregojnë se Maqedonia hyn në një zonë kritike.

Nga ana tjetër, Banka Popullore e Maqedonisë ka kumtuar se me projeksionin më të ri të reviduar nga ky institucion, Maqedonia shënon rritje të bruto-prodhimit vendor për këtë vit për vetëm 1 për qind kundrejt asaj që kishte parashikuar të ketë rritje prej 2 për qind.

“Po, kemi rënie më të theksuar të bruto-prodhimit vendor për 2012, dhe kjo është pasojë e përkeqësimit të zhvillimeve ekonomike në rrafshin global”, deklaron Dimtar Bogov nga Banka Popullore, duke nënvizuar se shpreson që shifra më të larta të arrihen gjatë vitit 2013, si rrjedhojë e investimeve të huaja të paralajmëruara.

Mirëpo, ekspertët e ekonomisë janë decidivë se pa një rritje ekonomike prej 5 deri në 6 për qind nuk mund të ketë ulje të varfërisë dhe përmirësim të standardit jetësorë për qytetarët e Maqedonisë.
XS
SM
MD
LG