Ndërlidhjet

Australia mirëpret hapjen e ambasadës kosovare


Ilustrim

Ilustrim

Qeveria e Australisë ka mirëpritur vendimin e Republikës së Kosovës për hapjen e Ambasadës së Kosovës në këtë shtet.

Përmes një njoftimi zyrtar, Qeveria australiane njofton se e ka mirëpritur dekretin e Presidentes së Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, për hapjen e Ambasadës së Kosovës në kryeqytetin australian, Kanberra, transmeton MPJ e Kosovës.

"Në këtë mënyrë, Qeveria australiane është pajtuar për hapjen e misionit diplomatik të Kosovës në këtë shtet, ndërsa Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës, në koordinim të plotë me institucionet e tjera shtetëror që merren me politikën e jashtme, do të ndërmarrin të gjitha hapat për fillimin e proceduarve për hapjen e kësaj Ambasade në shtetin mik, Australi", thuhet në njoftim.

Në njoftimin e MPJ-së thuhet se hapja e Ambasadës së Kosovës në Kanberra, ka qenë temë e bisedës që Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, ka zhvilluar me Ministrin e Punëve të Jashtme të Australisë, Bob Carr, në një takim të zhvilluar gjatë pjesëmarrjes në Konferencën Ndërkombëtare “Miqtë e Popullit të Sirisë” në Paris, më 6 Korrik te ketij viti.
XS
SM
MD
LG