Ndërlidhjet

Kina dhe Rusia: Rezoluta për Sirinë minon përpjekjet për paqe


Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, 3 gusht 2012...
Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, 3 gusht 2012...
Pas miratimit të rezolutës për Sirinë nga ana e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, kanë reaguar Rusia dhe Kina, duke thënë se dokumenti në fjalë minon përpjekjet për paqe.

Rezoluta dënon Qeverinë siriane për përdorimin e “armëve të rënda” dhe dështimin e saj për të tërhequr forcat nga zonat civile.

E hartuar nga Arabia Saudite, ajo është miratuar të premten me 133 vota për, 12 kundër dhe 31 abstenime.

Rusia, Kina, Bjellorusia, Irani, Siria, Kuba dhe Venezuela kanë qenë në mesin e vendeve që kanë votuar kundër tekstit, i cili është vënë në diskutim pas dorëheqjes së të dërguarit të OKB-së dhe të Ligës Arabe për krizën në Siri, Kofi Anan.

Ambasadori i Rusisë në Kombet e Bashkuara, Vitali Çurkin, ka thënë se rezoluta është e njëanshme dhe se i jep mbështetje të hapur opozitës së armatosur.

“Rezoluta është e dëmshme, sepse kundërshton përpjekjet për të ndihmuar zbatimin e planit të Ananit dhe të marrëveshjeve të Gjenevës. Ajo minon shanset e një procesi për zgjidhje politike”, ka thënë Çurkin.

Në anën tjetër, sipas zëvendësambasadorit të Kinës në OKB, Vang Min, duke i bërë presion “vetëm Qeverisë siriane”, “trazirat rrezikojnë të përshkallëzohen më tej dhe të përhapen në vendet e tjera të rajonit”.

“Sovraniteti i Sirisë, pavarësia, uniteti dhe integriteti territorial duhet të respektohen. E ardhmja dhe drejtimi i Sirisë duhet të përcaktohen nga vetë populli sirian. Zgjidhja politike për çështjen e Sirisë mund të udhëhiqet vetëm nga populli sirian dhe duhet të pranohet nga të gjitha palët relevante”.

“Imponimi i zgjidhjes nga jashtë nuk ndihmon qetësimin e krizës siriane. Kina kundërshton çdo akt për ndryshimin me forcë të regjimit. Sanksionet nuk do të çojnë askund, pos në një situatë edhe më të komplikuar”, ka thënë Vang.

Rusia dhe Kina kanë bllokuar disa përpjekje në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, për të vendosur sanksione kundër Damaskut.

Ministri i Jashtëm francez, Lloren Fabju, ka përshëndetur miratimin e rezolutës, duke thënë se ajo “konfirmon vullnetin e komunitetit ndërkombëtar për të gjetur një dalje të besueshme nga kriza në Siri”.

Brenda Sirisë, forcat qeveritare, të mbështetura nga tanket, kanë vazhduar sulmet në Damask dhe në qytetin më të madh të vendit, Alepo.

Vetëm të shtunën të paktën 13 persona kanë humbur jetën, ndërkohë që rebelët kanë sulmuar ndërtesën e televizionit shtetëror në Alepo, ka bërë të ditur agjencia Sana dhe organizatat joqeveritare.

Trembëdhjetë të vrarët përfshijnë një viktimë në Latakia, gjashtë në Deir Ezor dhe gjashtë në rajonin e Damaskut. Luftime të ashpra kanë ndodhur në në lagjet Salahedin dhe Seif el Davel të Alepos.

Shifrat e Kombeve të Bashkuara flasin për 19,000 persona të vrarë, që nga shpërthimi i trazirave 17 muaj më parë.(v.t.)
XS
SM
MD
LG