Ndërlidhjet

Maqedoni: Katër shqiptarë në mesin e spiunëve


Ilustrim

Ilustrim

Komisioni për Lustrim në Maqedoni ka publikuar në ueb-faqen e tij zyrtare emrat e 11 ish-bashkëpunëtorëve të sigurimit të shtetit në sistemin e kaluar monist.

Bëhet fjalë për personalitete që kanë kryer funksione të ndryshme publike si deputetë, ambasadorë, profesorë universitarë etj.

Nga emrat e publikuar, 7 janë maqedonas dhe 4 shqiptarë: Sllobodan Ugrinovski, Vangel Gagaçev, Nikolçe Babovski, Sefedin Haruni, Vlladimir Millçin, Shaban Shehu, Jordanço Çevreski, Mahi Nesimi, Faredin Miftari, Zoran Jovanovski dhe Kosta Ballabanov.

Paralelisht me emrat, janë publikuar edhe dokumente tjera, në bazë të të cilave edhe janë miratuar vendimet.

Në dokumentet e siguruara nga shërbimet e sigurimit të shtetit dhe arkivi i Maqedonisë, Komisioni për Lustrim publikon gjithë veprimtarinë e këtyre personave që nga dhënia e pëlqimit për të bashkëpunuar, por nuk jep emrat e personave që kanë qenë viktima të veprimtarisë së tyre të spiunimit.

Komisioni thotë se vendimin për publikimin e emrave e ka marrë në pajtim me ndryshimet e reja në Ligjin për verifikimin e fakteve.

Publikimi i emrave është përcjellë me debate të shumta, pasi një pjesë e anëtarëve të Komisionit ka thënë se veprimi është antiligjor.

Ndryshimet, në bazë të të cilave tani vepron Komisioni, ishin miratuar pa pëlqimin e opozitës, e cila kishte bojkotuar seancën e Kuvendit me arsyetimin se ligji është në funksion të qeverisë aktuale, për të diskredituar në forma të ndryshme të gjithë kundërshtarët politikë.
XS
SM
MD
LG