Ndërlidhjet

Përmbytjet marrin jetën e 169 njerëzve në Korenë e Veriut

  • RFE /RL

Përmbytje në Korenë e Veriut në vitin 2007

Përmbytje në Korenë e Veriut në vitin 2007

Agjencia shtetërore e lajmeve në Korenë e Veriut ka bërë të ditur se përmbytjet në këtë vend kanë shkaktuar vdekjen e 169 personave, ndërkohë që “400 të tjerë vazhdojnë të figurojnë të zhdukur”.

Sipas burimit të njëjtë, përmbytjet dhe shirat e dendur kanë lënë mbi 200,000 njerëz pa strehë dhe kanë shkatërruar më shumë se 65,000 hektarë të tokës bujqësore.

Raportet e mëhershme të mediave kanë folur për 119 të vdekur, 84,000 të pastrehë dhe 45,000 hektarë tokë të shkatërruar.

Agjencia për Ushqim e Kombeve të Bashkuara ka njoftuar se do të dërgojë ndihma emergjente në vendin e izoluar komunist.

Siç është bërë publike në faqen e internetit të OKB-së, Agjencia do të sigurojë nga 400 gram misër në ditë për viktimat e përmbytjeve, ndonëse nuk saktëson datën e arritjes së ushqimit, raporton agjencia Reuters.

Ekipi i OKB-së, i cili së fundmi ka vizituar rajonin e prekur, ka konstatuar se dëmet më të mëdha janë shkaktuar në kultivimin e sojës, misrit dhe të orizit, thuhet në deklaratën e Agjencisë për Ushqim.

Sektori verikorean i bujqësisë, që nga mesi i viteve '90, është gjithnjë e më i prekur nga përmbytjet dhe thatësirat për shkak të shpyllëzimit të gjerë.

Sipas një raporti të fundit të OKB-së, 7.2 milionë banorë të popllsisë 24 milionëshe i takojnë grupit "të të varfërve kronikë", ndërsa çdo i treti fëmijë është i paushqyer. (v.t.)

XS
SM
MD
LG