Ndërlidhjet

logo-print

Serbët e Kosovës të përçarë “para” Nikolliqit


Foto nga arkivi

Foto nga arkivi

Serbët e veriut të Kosovës dhe ata që jetojnë në jug të lumit Ibër, do të kenë qasje dhe kërkesa të ndryshme në adresë të kryetarit të ri të Serbisë, Tomisllav Nikoliq, nëse ky i fundit realizon takimin me përfaqësuesit e serbëve të Kosovës, të cilin e ka paralajmëruar, vlerësojnë politikanët serbë të Kosovës.



Kryetari serb, Nikolliq, ditë më parë ka thënë se do të angazhohet për arritjen e një “konsensusi kombëtar” për Kosovën dhe për këtë qëllim do të bisedojë me përfaqësuesit e serbëve të Kosovës.

Politikani serb nga veriu i Mitrovicës, Marko Jakshiq, i cili aktualisht është edhe deputet opozitar në Kuvendin e Serbisë nga radhët e Partisë Demokratike të Serbisë, thotë për Radion Evropa e Lirë se takimet e tilla me serbët janë të vonuara. Por, sipas tij, ajo që serbët e veriut do të kërkojnë nga kryetari serb, Nikolliq, nëse realizohet takimi me të, do të jetë ofrimi i sigurisë për serbët që jetojnë në veri të Kosovës.
...Republika e Serbisë të mos bëhet vëzhgues pasiv, por duhet t’i mbrojë serbët.


“Serbët, para së gjithash, ata të veriut të Kosovës, do të kërkojnë nga kryetari i Serbisë, Tomisllav Nikolliq, i cili njëkohësisht është edhe komandant i Serbisë në kuptimin ushtarak dhe atë shtetëror, që në rast se vije deri tek eksodi i serbëve dhe në rast se policia e Hashim Thaçdit ua mësynë serbëve të veriut të Kosovës, Republika e Serbisë të mos bëhet vëzhgues pasiv, por duhet t’i mbrojë serbët”, thotë Jakshiq.

Kërkesa e dytë e serbëve të veriut, sipas tij, do të jetë që marrëveshjet e arritura në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të anulohen, sepse , siç thotë Jakshiq, marrëveshjet e tilla janë në kundërshtim me ligjet ekzistuese të shtetit serb.

Krejtësisht ndryshe mendon politikania serbe nga Kosova qendrore, Rada Trajkoviq, e cila njëkohësisht është deputete në Kuvendin e Kosovës nga radhët e Listës së Përbashkët Serbe. Ajo thotë se serbët që jetojnë në jug të lumit Ibër, duhet të kërkojnë nga kryetari serb Nikoliq që të mos e mbështesë retorikën e serbëve të veriut të Kosovës, nga e cila Trajkoviq thotë se është e shqetësuar.
Jam shumë e shqetësuar nëse retorika e serbëve të veriut do të mbështetet nga ana e udhëheqjes shtetërore të Serbisë...


“Jam shumë e shqetësuar nëse retorika e serbëve të veriut do të mbështetet nga ana e udhëheqjes shtetërore të Serbisë. Populizmi dhe pafuqia për çfarëdo kompromisi çon vetëm drejt një zgjidhjeje: Ose veriu i Kosovës të jetë në Serbi ose fatkeqësisht, të vije deri te diçka që do të ishte katastrofë për të gjithë ne, e kjo është mundësia për një ‘Stuhi’ të re”.

“Unë nuk e di nëse Beogradi ka dijeni dhe ka përgjegjësi për serbët e Kroacisë, të cilët pas aksionit ‘Stuhia’ kanë ardhur në veri të Kosovës. Nuk e di se a e kuptojnë se përkrahja e logjikës përjashtuese shpie drejt skenarit të njëjtë në veri. Prandaj, sikur unë të shkoja për të biseduar me Nikolliqin, do t’i thosha se nuk bën mënyra ‘ose-ose’, por që të gjejmë një kompromis. Unë gjithmonë kam apeluar për një kompromis me shqiptarët, e që nuk i nënkupton kufijtë”, thekson Trajkoviq.

Në anën tjetër, Jakshiq thotë se një numër i serbëve që jetojnë në Kosovën qendrore, kanë mëkatuar dhe kanë shkelur Kushtetutën e Serbisë, duke u bërë pjesë e institucioneve të Kosovës. Sipas tij, kryetari serb Nikolliq, duhet të sqarojë këtë situatë.

“Mendoj se kryetari i ri duhet ta sqarojë nëse serbët që jetojnë në Kosovën qendrore dhe që janë pjesëmarrës në institucionet e Kosovës, janë edhe pjesë e politikës së përbashkët shtetërore dhe kombëtare serbe”, shprehet Jakshiq.

Por, Trajkoviq, shpreh mendimin se Beogradi zyrtar, duhet t’i shikojë përvojat e deritashme dhe të jetë i kujdesshëm që të ruajë numrin e serbëve që jetojnë në Kosovë.

“Të paktën, Beogradi duhet të jetë i përgjegjshëm dhe të ruajë numrin e serbëve që kanë mbetur në Kosovë, të paktën në numrin që janë tash dhe që së bashku me shqiptarët të krijojnë hapësirën për kthimin e atyre që janë shpërngulur. Kjo për mua është e gjithë esenca”, potencon Trajkoviq.

Sido që të jetë, Jakshiq dhe Trajkoviq, vlerësojnë se megjithatë serbët e veriut të Kosovës dhe ata që jetojnë në Kosovën qendrore kanë mjaft tema me interes të përbashkët dhe të cilat duhet t’i parashtrojnë në një takim eventual me kryetarin e serb, Nikolliq.
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG