Ndërlidhjet

Njëzetmijë trupa siriane vërshojnë Alepon


Alepo

Alepo

Forcat qeveritare të Sirisë dhe kryengritësit rebelë kanë vazhduar luftimet në Alepo.

Një zyrtar i lartë i sigurisë citohet të ketë thënë se “ajo që po ndodh tani është vetëm aperitiv, ndërsa kryesorja do të ndodhë më vonë”.

BBC raporton se rreth 20,000 trupa siriane janë grumbulluar në Alepo.

Në Damask, forcat e presidentit Bashar al-Asad kanë pohuar se kanë larguar rebelët nga bastioni i tyre i fundit. Në anën tjetër, ende nuk dihet gjë për fatin e 48 pelegrinëve iranianë, të rrëmbyer të shtunën pranë një vendi të shenjtë shiitë në periferi të Damaskut.

Diplomatët iranianë dhe televizioni shtetëror kanë akuzuar “grupet e armatosura” për kidnapimin.

Televizioni me seli në Dubai, Al Arabia, ka transmetuar pamje të të rrëmbyerve iranianë, të cilat ka thënë se i ka siguruar nga rebelët e Sirisë.

Në video, një rebel i veshur si oficer i Ushtrisë së Lirë Siriane akuzon pengjet se janë elitë e Gardës Revolucionare.

Në Siri janë rrëmbyer disa iranianë që nga shpërthimi i protestave kundër presidentit Bashar al-Asad, 17 muaj më parë. Shumica nga ta janë liruar tek autoritetet turke, para se janë kthyer në Iran, kanë raportuar mediat iraniane.
XS
SM
MD
LG