Ndërlidhjet

CSM: Evropës i duhet ujdi e madhe për të shpëtuar euron


Ilustrim

Ilustrim

"Christian Science Monitor"

Gjatë 60 vjetëve të fundit, Evropa ka zhvilluar bashkimin më të madh politik dhe tregun më të madh ekonomik që ka parë bota ndonjëherë. Mbajtja e tij është një përgjegjësi e madhe. Andaj, unë shkruaj me përulësi dhe respekt të thellë për ata që janë të thirrur në kryerjen e kësaj përgjegjësie.

Kjo krizë është ekzistenciale për Evropën. Plasaritja e euros tani është e dukshme. Ka qenë një projekt i drejtë në parim – që të kombinohej një treg i vetëm me një monedhë të vetme – por mënyra se si është bërë dhe shpejtësia me të cilën vendet kanë hyrë në të, kanë lënë të kuptohet se ka qenë një projekt i shtyrë nga politika, por i shprehur në ekonomi. Britania kishte dyshime politike dhe ka qëndruar jashtë për arsye kryesisht ekonomike. Tani, politika dhe aritmetika janë në konflikt.

Për Gjermaninë, dilema është akute. Humbja e euros tani do të ishte fatkeqësi ekonomike, jo vetëm politike. Nga ana tjetër, për të “shpëtuar” bashkimin monetar, Gjermanisë i kërkohet të financojë paketa ndihmash, të fryjë ekonominë e saj dhe të qëndrojë prapa borxheve të vendeve që nuk kanë ndërmarrë reformat e nevojshme. Dhe, populli gjerman është i gatshëm ta bëjë këtë.

Politikat në Evropë janë të pozicionuara në mes të atyre që propozojnë shkurtime dhe reforma të dhimbshme dhe atyre që propozojnë stimuj të rritjes dhe jo reforma. Megjithatë, është e qartë se pa rritje, reformat janë jashtëzakonisht të vështira për t’u zbatuar dhe kjo në kohën kur unioni si tërësi përballet me rritje të papunësisë, rënie të rritjes ekonomike dhe shkurtime të thella të shpenzimeve. Nuk e di se çfarë pasojash sociale do të sjellë papunësia për 50 për qind të të rinjve të Spanjës, por dyshoj se nëse lëshon rrënjë, ata do të bëhen të rrezikshëm.

Është po ashtu e qartë se pa zbatimin e ndryshimeve të vështira, por të vonuara në tregjet e brendshme të punës, sigurimin e mirëqenies dhe sistemet e pensioneve shtetërore – ato që i ka bërë Gjermania gjatë dy dekadave të fundit – politikat fiskale pro rritjes do të jenë të papërballueshme dhe Evropa do të bëhet gjithnjë e më shumë jokonkurruese.

Tani për tani, Gjermania po lëviz drejt asaj që i kërkohet të bëjë, ndonëse pa dëshirë, ndërsa pjesa tjetër e Evropës ndjek një rrugë të parregullt për t’u reformuar.

Por, me gjithë përpjekjet e mëdha të udhëheqjes gjermane në veçanti, rezultati është se as angazhimi i Gjermanisë për të shpëtuar euron, as angazhimi i të tjerëve për reforma nuk janë plotësisht të besueshëm. Tregjet vazhdojnë të spekulojnë dhe çmimi për shpëtimin e euros rritet çdo ditë.

Ajo çfarë i duhet Evropës tani është një ujdi e madhe, me të cilën merren të gjitha vendimet e nevojshme për të vënë euron në një bazë të shëndoshë. Gjermania duhet të pajtohet për disa forma të ndarjes së borxhit.

Shtetet në borxhe duhet të pajtohen për reforma përmes programeve të sakta dhe të besueshme. Tregjeve duhet t’iu komunikohet një plan i duhur për të pastruar bilancet e bankave. Në vazhdën e këtyre ndryshimeve do të ketë edhe kërkesa të pashmangshme për reformimin e institucioneve të Evropës.

Gjëja më e mirë tani është që të shtrëngohen të gjithë për të bërë ndryshime të mëdha dhe për t’i bërë ato së bashku. Neve na duhen politika për rritje, reforma dhe unitet.

Ky brez i udhëheqësve është mësuar me kriza periodike që disi janë zgjidhur. Kjo krizë është ndryshe. Është një përvojë e re për ne. Të gjitha zgjidhjet janë të shëmtuara, por më pak e shëmtuar për Evropën dhe për Gjermaninë në veçanti është shpëtimi i euros.(v.t.)

Trego komentet

XS
SM
MD
LG