Ndërlidhjet

FT: Gjaku, djersa dhe investimi


Lojërat Olimpike, Londër 2012

Lojërat Olimpike, Londër 2012

"Financial Times"


Lojërat Olimpike Verore Londra 2012 janë në gjysmë të rrugës, por tabela e medaljeve e ka marrë pamjen e njohur. Kina dhe Shtetet e Bashkuara janë në krye të tabelës dhe po ndeshen ndërmjet veti për t’i përfunduar lojërat në vendin e parë për nga numri i medaljeve të fituara.

Britania, mikpritëse e garave, është e treta, ndërsa sportistët e saj tash janë të gatshëm që të bëjnë çdo gjë të mundshme për kthimin e pritur të 235 milionë funtave të investuara në ta. Një fontanë e medaljeve gjatë fundjavës ka shkaktuar valë të euforisë kombëtare dhe dashamirësisë.

Franca ka befasuar me sukses në lojëra, por kjo nuk mund të thuhet për Gjermaninë Rusinë dhe Australinë, që tradicionalisht janë garues të fuqishëm olimpikë.

Për një kohë të gjatë Lojërat Olimpike janë parë nga sunduesit si një paraqitje e shprehjes së krenarisë dhe aftësisë kombëtare.

Kjo ka vazhduar në shekullin 21, megjithëqë pa tensionet gjeopolitike të lojërave nga periudha e Luftës së Ftohtë.

Presidenti francez, Fransua Holland, e ka ngacmuar kryeministrin britanik, Dejvid Kamerun, lidhur me atë se cili prej vendeve të tyre do të fitojë më tepër medalje të arta. Presidenti rus, Vlladimir Putin, në mënyrë të theksuar ka refuzuar të marrë pjesë në ceremoninë e hapjes, por në Londër arriti në një kapacitet jozyrtar për t’i shikuar garat në xhudo.

Megjithatë, arriti edhe rasti i notueses kineze Je Shiven, 16 vjeçare. Fitimi i saj i medaljes së artë me rekord botëror, ditën e parë të garave, mbetet një moment kundërthënës i periudhës së deritashme të lojërave. Ky zhvillim ka shkaktuar fushatë të thashethemeve lidhur me çështjen e dopingut, që kulmoi kur trajneri kryesor i Shteteve të Bashkuara shfaqjen e notueses kineze e përshkroi si “shqetësuese”.

Meqë, notuesit kinezë kanë qenë të zënë me doping në të kaluarën, tendenca ishte të pretendohet, pa dëshmi, se Je Shiven, ishte një tjetër fajtore.

Zyrtarët olimpikë i kanë hedhur poshtë pretendimet, duke thënë se nuk ka asgjë që i mbështet sugjerimet e tilla.

Ajo që është prapa mospajtimit, është se notuesja Je është prodhim i linjës së sportistëve të fabrikës së udhëhequr nga shteti, nën programin e trajnimit juguo, që i identifikon fëmijët me prirje të jashtëzakonshme për sport dhe i shndërron ata në kampionë olimpikë.

Je Shiven ishte shtatë vjeçare kur ishte zgjedhur. Ajo dhe familja e saj do të kenë përfitime financiare nga dy medaljet e arta, që ajo i fitoi në Londër. Ky është fryt i stërvitjes intensive nëntëvjeçare dhe i dëgjueshmërisë ndaj trajnerëve të saj.

Shumë të tjerë, që kaluan nëpër program, nuk arritën sukses dhe shkollimi dhe edukimi i tyre ishte shkatërruar. Kjo është pasojë sociale që me të vërtetë mund të përshkruhet si “shqetësuese”.

Por, ata që u ngutën për ta dënuar këtë rreptësi në përpjekjet për fitimin e medaljeve të arta, duhet të ndalen për të menduar.

Ngazëllimi në Britani, për sukseset e sportistëve në fundjavë, tregon se të gjitha organizatat kombëtare sportive ndjejnë presion për të prodhuar fitues.

Të gjitha vendet, të grumbulluara në krye të tabelës së medaljeve në Olimpiadë, e dinë se për të gjetur pjesëmarrës potencialë për olimpiadë, për t’i stërvitur ata që të lëvizin më shpejtë, involvon programe të llogaritura me kujdes, që e shfrytëzojnë shkencën dhe teknologjinë për ta kuptuar më mirë gjendjen fizike të individëve.

Sporti modern është biznes serioz. Ata me burime do të synojnë maksimalizimin e gjasave për të fituar medalje. Ndonjëherë, humbësi vetëm duhet t’ia shtrëngojë dorën fituesit dhe t’i ofrojë urime. (f. b.)
XS
SM
MD
LG