Ndërlidhjet

Vetëvendosje: Injorimi i diasporës


E drejta politike, përparësitë ekonomike dhe integrimi janë tri nga pikat thelbësore të konceptit të programit për mërgatën të Lëvizjes Vetëvendosje, e prezantuar të hënën në një konferencë për media nga anëtarët e kësaj lëvizjeje.

Te e drejta politike, ky program i Lëvizjes Vetëvendosje parasheh që secili qytetar i mërgatës shqiptare të fitojë statusin e refugjatit, si atë ekonomik apo politik, po ashtu t’i ofrohet e drejta secilit bashkatdhetar që të ketë shtetësi të dyfishtë si dhe të ketë drejtë votimi pa pengesa burokratike.

Vetëvendosje në programin për diasporën ka paraparë edhe përparësitë ekonomike, si lehtësime tatimore, bankare dhe administrative.

Derisa te pjesa e integrimit të këtij programi për mërgatën, thuhet që shteti i Kosovës duhet të ndihmojë që emigrantët e Kosovës të marrin pjesë në zgjedhjet e atij vendi ku ata jetojnë.

Puhie Demaku, anëtare e Lëvizjes Vetëvendosje, kritikoi autoritet e Kosovës, në veçanti Ministrinë e Diasporës për neglizhencën e treguar karshi bashkatdhetarëve.

Përkundër angazhimit të madh politik dhe mbështetjes financiare të pakusht që diaspora e ka dhënë përgjatë këtyre dekadave, ajo është lënë pas dore nga të gjitha qeveritë e deritanishme. Lëvizja Vetëvendosje i kushton rëndësi të veçantë mërgatës sonë. Ne konsiderojmë që mërgata e Kosovës ka potencial për të qenë dhe duhet te jetë pjesë aktive e shtetndërtimit dhe zhvillimit të Kosovës”, theksoi Demaku.

Anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje, kanë thekuar se bashkatdhetarët duhet të kenë të drejtën e përfaqësimit në Kuvendin e Kosovës .

Faton Topalli, anëtar i kësaj lëvizjeje, thotë se në shumë vende të botës perëndimore
garantohet e drejta e mërgimtarëve për t’u përfaqësues në parlamentet e tyre.

Duke pasur parasysh që 5 për qind e minoriteve në Kosovë kanë 20 vende në parlamentin e Kosovës, duhet të shikohet proporcioni. Nuk është fjale për një pjesë të vogël të popullsisë që jeton jashtë Kosovës, por kemi të bëjmë me 30 për qind e popullsisë të cilët përjashtohen në marrjen pjesë ne zgjedhje”, thotë ai.

Në anën tjetër, diaspora kosovare, që jeton kryesisht në shtetet perëndimore, sipas statistikave të Bankës Qendrore, përmes dërgesave, vazhdon të jetë një nga burimet kryesore të të ardhurave për shumë familje kosovare.

Dërgesat e emigrantëve, sipas BQK-së, në vitin 2011 ishin rreth 585 milionë euro.

Ndërkaq, sipas një sondazhi të Institutit të Hulumtimeve Gallup, të bërë kohë më parë, pas anketimeve të zhvilluara në 135 vende të botës, del se Kosova radhitet lart në listën e vendeve që marrin remitenca, me 23 për qind apo me më së shumti në rajon.

Përfaqësues të Institutit për Hulumtime të Avancuara GAP, thonë për Radion Evropa e Lirë se institucionet e Kosovës duhet të bëjnë përpjeke më të mëdha në inkuadrimin e diasporës kosovare në sferën e investimeve në Kosovë.

Institucionet e Kosovës duhet të shikojnë mundësinë se cila është mënyrë që diaspora e Kosovës të inkuadrohet dhe të investon në sferën e ekonomisë si në bujqësi. Ndoshta do të duhej që institucionet e Kosovës ta reformonin sistemin fiskal dhe t’i përjashtonin nga disa tatime ata investitorë potencial që vinë nga diaspora”, tha Bekim Salihu, nga ky institut.

Ndryshe, në Kosovë gjatë muajve të verës, Ministria e Diasporës organizon aktivitete të ndryshme për bashkatdhetarëve. Në kuadër të “Ditëve të Mërgatës Ministria e Diasporës,”, ka organizuar një mori debatesh më investitorë potencialë nga diaspora, për t’i njoftuar për mundësitë ligjore që i kanë për të investuar në Kosovë.

Sipas statistikave zyrtare, konsiderohet se afër 25 për qind e popullatës ose mbi 500 mijë emigrantë kosovarë jetojnë në vende të ndryshme të Evropës.
XS
SM
MD
LG