Ndërlidhjet

Simiq: Qeveria e re serbe nxit dyshime te Brukseli


Predrag Simiq
Predrag Simiq

Qeveria e re e Serbisë, jo vetëm kur është në pyetje Kosova, por edhe shumë gjëra të tjera, bën hapa që nxisin dyshime, para së gjithash, te Brukseli. Kështu thotë në një intervistë dhënë Radios Evropa e Lirë Predrag Simiq, profesor i shkencave politike në Universitetin e Beogradit.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Simiq, Kuvendi i Serbisë, ditë më parë, ka zgjedhur qeverinë e re. Marrë parasysh se në krye të saj është një klasë, e cila konsiderohet si pasardhëse e ideologjisë së Millosheviqit, cila mendoni se do të jetë politika e saj në raport me Kosovën?

PREDRAG SIMIQ
Së cila do të jetë politika, ende nuk është plotësisht e qartë. Ajo që mund të dëgjohet edhe nga presidenti i ri, edhe nga qarqet qeveritare, është se duan të arrijnë konsensus për Kosovën, ndonëse nuk thuhet se kush dhe për çka do që të arrijë konsensus.

Pra, nuk flitet se cila do të ishte lënda e atij konsensusi, as për atë nëse ai konsensus duhet të arrihet në Kuvendin e Serbisë, në mes të partive parlamentare, apo në referendum me qytetarët e Serbisë, apo në të të përfshihen edhe serbët e Kosovës - ata të veriut apo edhe të jugut.

Andaj, në këtë moment ka shumë gjëra të paqarta në lidhje me politikën e ardhshme të autoriteteve të Serbisë në lidhje me Kosovën.

RADIO EVROPA E LIRË
Diplomatët evropianë kanë porositur Serbinë se bashkëpunimi dhe normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën është parakusht për integrimin e saj në Bashkimin Evropian. Mirëpo, presidenti i Serbisë, Tomisllav Nikolliq, vazhdon të bëjë deklarata në kundërshtim me thirrjet e komunitetit ndërkombëtar që Serbia të pranojë realitetin. Ku e çon Serbinë kjo politikë?
PREDRAG SIMIQ
E dërgon atje ku e dërgon qeveria e re. Qeverinë e re e përben një koalicion heterogjen, në të cilin kemi parti të cilat kanë qëndrime të kundërta mes vete sa i përket çështjes së Kosovës.

Më duket se Qeveria e re, jo vetëm kur është në pyetje Kosova, por edhe shumë gjëra të tjera, bën hapa që nxisin dyshime, para së gjithash, të Brukselit.

Ja për shembull, me rastin e shkarkimit të guvernatorit të deritashëm të bankës, Shoshkiq, kanë reaguar Bashkimi Evropian dhe Banka Botërore për mënyrën e shkarkimit.

Ekzistojnë edhe çështje të tjera për të cilat do të duhet kohë për të parë se cila do të jetë politika e autoriteteve të reja të Serbisë.

RADIO EVROPA E LIRË
Si e shihni vazhdimin e dialogut Kosovë-Serbi, marrë parasysh që marrëveshjet e arritura tashmë kanë ngecur?
PREDRAG SIMIQ
Marrëveshjet e arritura duhet të zbatohen. Për këtë deri më tash kemi dëgjuar edhe deklaratën e Tomisllav Nikolliqit dhe të autoriteteve të reja qeveritare në Serbi.

Kemi dëgjuar po ashtu se bisedimet do të vazhdojnë në një nivel më të lartë, kemi dëgjuar po ashtu thirrjet për takimin e Nikolliqit me Jahjagën, kemi dëgjuar se bisedimet do të ngrihen nga niveli teknik në atë politik. Kemi dëgjuar shumë mesazhe, por dimë pak për përmbajtjet pas tyre.

Kur është në pyetje takimi në mes të Nikolliqit dhe Jahjagës, takimi për të cilin flet Nikolliqi, a do të jetë ai si takim i menduar në mes të autoriteteve të Republikës dhe të “krahinës” apo takim i përfaqësuesve të dy vendeve sovrane apo diçka e tretë?

Në çdo rast, ka shumë gjëra të paqarta dhe nuk mendoj të ketë sqarime para shtatorit ose tetorit.

RADIO EVROPA E LIRË
Por, Prishtina insiston se nuk do të pranojë dialogun politik. Megjithëkëtë, nisur nga përvoja e bisedimeve të deritashme, sa do të mund të ishte efikas një dialog i tillë?

PREDRAG SIMIQ
Ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës ekzistojnë ndryshime esenciale. Në këtë moment, pa marrë parasysh se cili është pozicioni i cilësdo parti, është vetëm një ose dy parti, të cilat do të ishin të gatshme për dialog me Prishtinën si me një shtet të pavarur.

Shumica e partive në Serbi vazhdojnë të jenë pa qëndrim në lidhje me këtë.

Andaj, mendoj se gjatë vjeshtës do të kemi nisma të reja, të cilat do të vijnë nga Brukseli, nisma të reja që do të vijnë nga Shtetet e Bashkuara.

Kemi parë se përfaqësuesit e Departamentit të Shtetit kanë marrë pjesë aktivisht në formimin e koalicionit të ri parlamentar.

Po ashtu shohim se faktor i ri është edhe Rusia, e cila ka qëndrimet e saj për çështjen e Serbisë dhe të Kosovës.

Dhe, e vetmja e re që mund të them është iniciativa e Beogradit që në këto bisedime të kthehen Kombet e Bashkuara, çfarë është paraqitur si nismë gjatë vizitës së Ban Ki-munit në Ballkan.

RADIO EVROPA E LIRË
Por, në çfarë bazash një dialog i tillë, kur për veriun e Kosovës ekziston Plani i Ahtisarit, pjesë të të cilit serbët e jugut kanë pranuar?

PREDRAG SIMIQ
Por, atë nuk e kanë pranuar as serbët e veriut të Kosovës, as serbët në Serbi, të paktën autoritetet qeveritare. Për ta, Plani i Ahtisarit vazhdon të jetë tabu.

Pas përleshjeve të vitit të kaluar në veri të Ibrit, mendoj se do të jetë një pyetje e shtrenjtë, me të cilën do të mund të nisë edhe raundi i ardhshëm i dialogut, kurdo që të nisë.

RADIO EVROPA E LIRË
Edhe gjatë kohës së Tadiqit, edhe tani, diplomatët evropianë, posaçërisht ata të Gjermanisë, i bëjnë thirrje Serbisë të heqë strukturat paralele nga veriu. Cilat janë shanset për një gjë të tillë?

PREDRAG SIMIQ
Do të jem shumë i drejtpërdrejtë. Nëse autoritetet e reja, problemi primar i të cilave nuk është Kosova, por situata ekonomike, përkatësisht kaosi në financat publike të Serbisë, këto mjete (ndihmat financiare) i marrin jashtë Bashkimit Evropian, nga anë të tjera, mendoj se do të jetë shumë vështirë për të ndryshuar diçka në qëndrimin e Serbisë ndaj Kosovës.

Nëse Serbisë i duhet të zgjidhë problemet e saj primare me ndihmën e Bashkimit Evropian dhe të Bankës Botërore, atëherë mund të pritet një qëndrim më i butë negociues.
XS
SM
MD
LG