Ndërlidhjet

logo-print
Temperaturat e larta që po mbizotërojnë ditëve të fundit kanë shtuar numrin e pacientëve që kërkojnë ndihmë mjekësore në qendrën emergjente në Prishtinë.

Vetëm tri ditët e fundit, ndihmë emergjente kanë kërkuar 359 pacientë, thotë Basri Lenjani drejtor i qendrës emergjente.

"Në këto tri ditët e fundit, në qendrën emergjente, kanë kërkuar ndihmë 359 pacientë , prej tyre 70 të hospitalizuar në klinikat gjegjëse".

Shërbimet internistike frekuentohen me numër më të madh dhe rastet më të shpeshta që kërkojnë ndihmë janë ata me probleme kardiake, me shtypje të lartë të gjakut, të sëmurët me sëmundje epileptike; janë ata që më së shpeshti provokohen nga temperaturat e larta.

Doktor Basri Sejdiu, internist në Qendrën Klinikë Universitare, deklaron se vërehet një numër i shtuar i pacientëve me probleme kardiake.

"Vërehet një shtim i fluksit të pacientëve, edhe pse në repartin e kardiologjisë, numri i atye që shtrihen është i vogël".

Por shkaktar i numrit të vogël të pacientëve në këtë klinikë janë kushtet e rënda aty.

Doktor Sejdiu pohon se për shkak të mungesës së klimatizimit dhe renovimit që ka filluar me vite në këtë klinikë, pacientët nuk mund të qëndrojnë të shtrirë për të marrë shërbime.

"Për shkak të kushteve jo të mira, pacientët e lëshojnë repartin. Shumë nga ta nuk qëndrojnë të shtrirë. Nëpër dhoma nuk ka klimatizim të duhur dhe klinika interne është në renovim, ndonëse renovimet që kanë filluar po zgjasin me vite", tha zoti Sejdiu.

Sylë Tahirsylaj, drejtor i Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, thotë se temperaturat që po mbizotërojnë në vendin tonë, kanë arritur në 37 gradë celsius...

"Vendi ynë do të vazhdojë të jetë nën ndikimin e masave ajrore të nxehta, por kah fundi i javës do të ketë ulje të temperaturave deri në 10 gradë dhe do të kalojë kjo gjendje. Temperatura më e lartë që është shënuar këtë vit në vendin tone, ka arritur në 37 gradë. Matja bëhet nën hije", thotë Tahirsylaj.

Doktor Lenjani nga qendra emergjente, jep disa këshilla për qytetarët për të tejkaluar telashet nga i nxehti.

"Përdorimi i ushqimit të bollshëm me karbohidrate, me pak yndyrna, me vitamina, lëngje dhe ujë".

"Punëtorët që punojnë në ndërtimtari nga ora 11:00 deri në 17:00, kur temperaturat konsiderohen si ekstreme këto ditë dhe rrezet e diiellit konsiderohen sit ë rrezikshme, është mirë të reduktohen ose të ndërpriten fare, pasi që kemi kohët e fundit lëndime të cilat vijnë si pasojë e rrëzimit nga katet ku ata punojnë",
thotë Lenjani.

Gjithashtu, thotë mjeku Lenjani, edhe ata që ngajnë makinat duhet të kenë kujdes pasi që për shkak të temperaturave të larta mund të shkaktohen çrregullime të përqëndrimit dhe për pasojë, ka edhe më shumë aksidente trafiku.
  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

XS
SM
MD
LG