Ndërlidhjet

Zbulohen 22 viktima, arrestohen 11 veta


Policia e Kosovës
Policia e Kosovës
Realizimi i një operacioni policor nga Departamenti i Hetimeve, konkretisht nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit të Qenieve Njerëzore, ka rezultuar me 22 viktima, të cilat shfrytëzoheshin seksualisht, dhe 11 të arrestuar nën dyshimet për përfshirje në krim të organizuar.

Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, ka vlerësuar lart punën e Policisë së Kosovës, duke shtuar se me rritjen e kapaciteteve të policisë dhe profesionalizmin e tyre, do të ngrihet imazhi i Kosovës karshi ndërkombëtarëve.

“Janë identifikuar 22 viktima dhe janë arrestuar 11 persona, edhe pse aksioni mund të vazhdojë edhe më tutje. Janë konfiskuar mjete monetare, armë dhe logjistikë tjetër që është shfrytëzuar. Kjo e rrit besimin në Policinë e Kosovës. I përgëzoj për një punë të suksesshme që janë duke bërë”, ka thënë Rexhepi.

Në anën tjetër, Arben Paçarizi, drejtor i drejtorisë për hetimin e trafikimit me qenie njerëzore, ka deklaruar se operacioni në fjalë ka qenë i koduar si “Unaza” dhe, sipas tij, hetimet për këtë rast janë zhvilluar për më shumë se 12 muaj.

“Prokuroria Speciale e Kosovës ka udhëhequr hetimet e këtij rasti, i cili ka qenë më kompleksi e që është hetuar nga drejtoria jonë. Ka të bëjë me pastrim parash, falsifikim dokumentesh, trafikim me qenie njerëzore. Operacioni është realizuar në Komunën e Gjakovës, në 11 lokacione: në 5 lokale të natës, 5 shtëpi banimi dhe një zyrë e punësimit rajonal - pjesë e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale”, ka thënë Paçarizi.

Sipas tij, viktimat e trafikimit, të cilat janë shfrytëzuar seksualisht, janë shtetase moldave.

“Viktimat janë të strehuara dhe po trajtohen konform proceduarave standarde të operimit që i ka Zyra e Koordinatorit Nacional. Gjithashtu, janë konfiskuar edhe rreth 12 mijë euro, telefona mobilë, laptopë që janë përdorur për zhvillimin e krimit të organizuar”, ka deklaruar Paçarizi.

Të gjithë personave u është shqiptuar masa e parandalimit për 48 orë me urdhër të prokurorit special.
XS
SM
MD
LG