Ndërlidhjet

Xhudah: Nikolliq e sheh Kosovën me thjerrëza antike


“Nikolliq është i shkëputur nga realiteti dhe e sheh gjendjen në Kosovë me thjerrëza të vjetëruara”, thotë publicisti britanik, Tim Xhudah, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë. Sipas tij, nëse presidenti serb Nikolliq këmbëngul me këtë qëndrim, atëherë dialogu eventual me Kosovën, nuk do të çojë askund.



RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Xhudah, raportet në mes të Kosovës dhe Serbisë pas vendosjes së strukturës së re politike në Beograd, duket se kanë hyrë në një fazë të re, derisa po dëgjohen çdo ditë e më shumë deklarata tensionuese. Si i shihni zhvillimet e fundit në Serbi dhe ndikimet në Kosovë?


TIM XHUDAH
Do të duhet pak kohë për qeverinë e re në Serbi që të zë vend, ta marrë shtruar dhe të vendosë se çfarë do në të vërtetë të bëjë me Kosovën, cilat janë qëllimet e tyre në dialogun e ripërtërirë.

Mendoj se do t’iu duhet pak kohë që t’i përshtaten realitetit të ri, sepse, nga ajo që zoti Nikolliq po thotë, mua më duket se ai është shumë, shumë i shkëputur nga realiteti i ri i Kosovës, si në terren, ashtu edhe në rrafshin ndërkombëtar.

Siç e shihni, ai po flet për disa ide që kanë qarkulluar gjatë vitit 1999. Mendoj se do të marrë pak kohë për qeverinë e re dhe njerëzit e rinj që t’i përshtaten realitetit dhe të vendosin se si duan të vazhdojnë.

RADIO ERVOPA E LIRË
I përmendët deklaratat e presidentit Nikolliq, në të vërtetë ai po përmend disa ide të reja për Kosovën, përmendi këtyre ditëve një lloj autonomie siç e kanë gjermanët në Belgjikë, apo Itali. Liderët e Kosovës thonë se çështja e statusit është e mbyllur. Si e shihni ju këtë çështje. Sa duhet pritur që zoti Nikolliq ta njohë realitetin?


TIM XHUDAH
Nuk e di sa duhet pritur, por realiteti është realitet. Vetëm se do të marrë pak kohë për ta që të përshtaten, të mësojnë se cili është realiteti. Është befasuese që ai po flet me me shprehje aq të vjetëruara, por se sa gjatë duhet pritur që ai të ndalojë së foluri me shprehje të tilla të vjetëruara, nuk kam ndonjë ide.

Por, supozoj se meqë Serbia do ta gjejë veten disi të bllokuar mbi çështjen e Kosovës, nëse vazhdon të flasë kështu, supozoj se nuk do të marrë shumë kohë. Por, nëse ai këmbëngul që të flasë në këtë mënyrë, dialogu nuk do të çojë askund.

RADIO EVROPA E LIRË
Një pyetje tjetër që ka lidhje me presidentin serb është se ai e mohoi gjenocidin në Srebrenicë, por tha se serbët në Kosovë janë nën kërcënimin e gjenocidit. Ku çojnë këto deklarata?

TIM XHUDAH
Ato vetëm tregojnë se ai me të vërtetë duhet të qetësohet, t’i përshtatet realitetit të Serbisë në vitin 2012. Ai duket se ende po i shikon gjërat përmes formës së vjetër, përmes thjerrëzave antike.

Është befasuese se si këshilltarët e tij nuk i kanë dhënë këshilla më të mira, sepse thjesht këto gjëra nuk përkojnë me realitetin, janë të shkëputura nga bota e vërtetë. Është befasuese se ai duket se ende po flet si politikan opozitar tashmë kur nuk është më në atë pozitë.

RADIO EVROPA E LIRË
E përmendët më herët dialogun. BE dhe mekanizmat tjerë po kërkojnë që të vazhdojë dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit. Çfarë lloj dialogu mund të zhvillohet në këtë atmosferë?

TIM XHUDAH
Mendoj që nganjëherë nuk mund t’i ndani deklaratat që bëhen për konsumim të publikut dhe me atë që në të vërtetë bëhet. Prandaj, mendoj, se edhe pse me këto deklarata gjërat nuk duken shumë shpresëdhënëse, mendoj se gjërat duhet të qetësohen dhe zoti Nikolliq dhe zyrtarë të tjerë serbë duhet të kuptojnë realitetin ku veprojnë, supozoj shumë shpejt.

Por, varet se çka duan të bëjnë me dialog, a duan që t’ia lehtësojnë jetën serbëve dhe shqiptarëve në Kosovë, që të jetojnë një jetë normale. Supozoj se do të nisin të vazhdojnë dialogun aty ku kanë mbetur gjërat. Por, nuk e di se kur do të nisin ta bëjnë një gjë të tillë. Supozoj pas disa muajve, por është vështirë të thuhet.

RADIO EVROPA E LIRË
Një tjetër çështje që lidhet me dialogun është veriu. Vëmendja sërish është kthyer kah kjo pjesë. Disa po kërkojnë dialog politik për veriun. Si e shihni ju zgjidhjen?

TIM XHUDAH
Njerëzit vazhdojnë të flasin për zgjidhje. Unë nuk parashoh ndonjë zgjidhje të veçantë, diçka që do të zgjidhej njëherë e përgjithmonë. E di se politikanët flasin për këto gjëra, po në të vërtetë mendoj se kjo do të vazhdojë për një kohë të gjatë dhe do të menaxhohet siç është menaxhuar deri tash, në një mënyrë, duke penguar gjërat që të vlojnë.

Është lehtë të flitet për zgjidhjen për Qipron, apo për Lindjen e Mesme mes Izraelit dhe palestinezëve, por në fakt zgjidhjet nuk shfaqen vetvetiu, nuk zhvillohen ashtu. Derisa politikanët nuk pajtohen për gjërat, problemet barten me dekada dhe mendoj se është e mundur që kjo të ndodhë me veriun e Kosovës. Nuk pres që të ndodhë diçka dramatike.

RADIO EVROPA E LIRË
Pesë shtete e BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën, duket se nuk janë të interesuara që ta ndryshojnë qëndrimin karshi shtetit të ri. Çfarë duhet bërë dhe nga kush për të ndryshuar këtë?

TIM XHUDAH
Çështje thelbësore është se BE ka gjëra shumë më të mëdha për të cilat brengoset sesa Kosova dhe ata do të dëshironin që të vazhdojë dialogu. Kjo çështje do të marrë kohë.

Përderisa njerëzit nuk e luftojnë njëri-tjetrin dhe nuk e vrasin njëri-tjetrin nuk mendoj se ata brengosen aq shumë. Ata duan që njerëzit të mos bëjnë shumë probleme, tashmë kur në BE dhe Bruksel ka probleme shumë më të mëdha.
XS
SM
MD
LG