Ndërlidhjet

WP: Çfarë duhet të bëjnë SHBA-të në Siri?


Siri...

Siri...

“ Washington Post”

Shtetet e Bashkuara kanë një dritare për të lehtësuar një tranzicion të rregullt në Siri, pa vendosjen e forcave ushtarake. Por, dritarja është ngushtuar dhe administrata Obama duhet të rregullojë strategjinë e saj politike për të pasur sukses.

Diplomatikisht, administrata është përqendruar në angazhimin e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe në Miqtë e Sirisë. Por, Këshilli i Sigurimit mbetet në rrugë qorre nga vetot e Rusisë dhe të Kinës, ndërsa Miqtë e Sirisë janë tepër të ngathtë për të arritur marrëveshje mbi masat operative që do të ndryshojnë kushtet në terren.

Ushtarakisht, vendimi i administratës për të siguruar vetëm ndihmë jovdekjeprurëse për opozitën siriane është duke zgjatur trendët e pafavorshëm në fushën e betejës.

Një luftë e gjatë civile rrit gjasat që institucionet shtetërore të copëtohen, që armët e shkatërrimit në masë të përdoren apo të bien në duar të gabuara dhe që gjakderdhja etnike dhe sektare të vazhdojë edhe pas rënies së regjimit të Asadit.

Për të lehtësuar një tranzicion të rregullt, pa vendosjen e forcave, Shtetet e Bashkuara duhet të bëjnë pesë gjëra.

Së pari, të nxitet një “koalicion i përshtatshëm”, i përbërë nga një grup vendesh që kanë ndikim të rëndësishëm në Siri. Uashingtoni duhet të përqendrohet në integrimin e përpjekjeve me Turqinë, Arabinë Saudite, Jordaninë, Katarin dhe shtetet e tjera të Gjirit, ashtu si edhe me Britaninë dhe Francën.

Së dyti, presidenti Obama duhet të emërojë një të dërguar special, që të punojë me koalicionin në organizimin e opozitës siriane. Fuqitë rajonale nuk kanë qenë në gjendje të unifikojnë opozitën ose të identifikojnë liderë të besueshëm, të cilët gëzojnë mbështetje të gjerë kombëtare.

Së treti, Uashingtoni duhet të ndalojë ndarjen e punës, e cila u jep fuqive rajonale rolin kryesor në armatosjen e opozitës. Shteteve të Bashkuara u duhet ulëse në tavolinë. Përfshirja e drejtpërdrejtë e SHBA-së përmirëson gjasat që armët të shpërndahen për ata sirianë që duan rendin gjithëpërfshirës.

Së katërti, me ndryshimin e gjërave, Uashingtoni duhet të kërkojë mirëkuptim nga Moska. Koalicioni duhet të lehtësojë ndryshimin e politikës ruse, duke siguruar Moskën se interesat e saj strategjikë dhe biznesorë në Siri do të mbrohen.

Së pesti, Uashingtoni duhet të mbetet i hapur për një rol aktiv të Kombeve të Bashkuara për finalizimin e tranzicionit. Kombet e Bashkuara kanë luajtur një rol të tillë në Afganistanin post-taliban. Përfaqësuesit specialë të tyre kanë katalizuar procesin për ndërtimin e një regjimi të përkohshëm, kanë hartuar një kushtetutë dhe kanë organizuar zgjedhjet.

Ka ardhur koha për angazhim më të madh të Shteteve të Bashkuara në Siri. Duke krijuar një koalicion të përshtatshëm, Uashingtoni mund të lehtësojë tranzicionin politik, i cili i jep fund gjakderdhjes, përjashton një sërë krizash – nga terrorizmi deri te përdorimi i armëve të shkatërrimit në masë – dhe shtron themelet për një Siri të qëndrueshme dhe demokratike. (v.t.)
XS
SM
MD
LG