Ndërlidhjet

Bien kambanat për Serbinë


Ilustrim
Ilustrim

Presidenti serb, Tomisllav Nikolliq, ka marrë detyrën qe dy muaj. Por, veprimet e tij kanë bërë që të bien kambanat e alarmit në Uashington dhe në Bruksel në lidhje me një mori çështjesh.

Veprimi i fundit ishte këtë javë, kur parlamenti konfirmoi një aleate të vjetër politike të Nikolliqit, Jorgovanka Tabakoviqin, si shefe të Bankës Qendrore të Serbisë. Kjo lëvizje erdhi vetëm disa ditë pasi që ligjvënësit ndërmorën hapa drejt heqjes së pavarësisë politike të bankës.

Ambasadorja amerikane në Serbi tha se procesi paraqet “dështim të sundimit të ligjit”.

Peter Stano, zëdhënës i Komisionarit për Zgjerim të BE-së, Shtefan Fyle, u bëri jehonë kritikave.

“Jemi të shqetësuar në lidhje me përmbajtjen e amendamenteve të reja për Ligjin mbi Bankën Qendrore si dhe për procesin, sepse duket se procedurat kanë qenë të nxituara dhe për ligjin, që është pjesë shumë e rëndësishme e legjislacionit, nuk janë bërë konsultime në nivelet e duhura, nuk është konsultuar as Komisioni Evropian”, tha Stano për Radion Evropa e Lirë.

Agjencia e Vlerësimit "Standard and Poor's" ka ulur rejtingun e Serbisë në –BB, pjesërisht për shkak të ndryshimeve mbi bankën qendrore dhe pjesërisht për shkak të një pasqyre negative të ekonomisë së vendit në përgjithësi.

Dinari i Serbisë shënoi rënie rekorde kundrejt euros pas njoftimit të agjencisë.

Ligji i miratuar më 4 gusht, krijon një trup të fuqishëm mbikëqyrës, të emëruar nga Parlamenti, që të përfaqësohet në bordin ekzekutiv të bankës, ndërsa Kuvendit i jep përgjegjësi për emërimin e menaxhmentit kryesor.

Ende pa u miratuar ligji, guvernatori i Bankës Qendrore të Serbisë, Dejan Shoshkiq, dhe zëvendësguvernatori Bojan Markoviq dhanë dorëheqje, duke u ankuar se banka po politizohej.

Më 8 gusht, tre anëtarë të tjerë të Këshillit të Guvernatorëve të Bankës, përfshirë presidentin Boshko Zhivkoviq, po ashtu ofruan dorëheqje.

Ligjvënësit nga koalicioni qeverisës mbrojtën masat duke thënë se ato kanë për qëllim që të rrisin koordinimin në mes të politikave të bankës dhe atyre të Qeverisë.

Ndryshimet legjislative dhe emërimi i Tabakoviqit kanë rritur shqetësimet serioze se Nikolliq po lëkundet nga deklaratat për përkushtimin në rrugën drejt integrimit evropian.

Ekonomistja Tabakoviq është anëtare e lartë e Partisë Përparimtare të Serbisë.

Ajo ka lindur në Kosovë dhe ka qenë e lidhur me lëvizjet nacionaliste serbe përgjatë karrierës së saj politike.

Dragomir Jankoviq, një konsulent në Institutin Evropian Ekonomik me seli në Vjenë, tha se zhvillimet dërgojnë një sinjal të keq për investitorët dhe institucionet ndërkombëtare.

“Më besoni, të gjitha institucionet ndërkombëtare dhe investitorët do të vështrojnë negativisht në këtë, sepse do të kuptojnë se qeveria do ta kontrollojë sistemin monetar, që nënkupton rezervat e valutave të huaja dhe çdo gjë tjetër që bën banka qendrore. Së dyti, jam e sigurt se kjo do të reflektojë keq në politikën e brendshme aktuale, lëvizjet dhe stabilitetin e çmimeve sepse Banka Qendrore do të përpiqet që të sillet në atë mënyrë që është e përshtatshme për qeverinë”, tha Jankoviq për Radion Evropa e Lirë.

Dmitar Behev, një analist i lartë i politikave në Këshillin Evropian për Marrëdhënie me Jashtë, argumenton se emërimi i Tabakoviqit në krye të Bankës Qendrore reflekton kufizimet politike të presidentit Nikolliq, derisa përpiqet që të mbushë postet kryesore në qeveri me mbështetësit e partisë, e cila është ndërtuar kryesisht rreth personalitetit të tij karizmatik dhe nacionalizmit serb.

“Emërimi i Tabakoviqit është një shembull tjetër, sepse këtu kemi dikë që është dora e djathtë e tij, dhe normalisht këta njerëz duhet të jenë në kabinet, jo në Bankën Qendrore. Por, kjo nënkupton se ata kanë mungesë të njerëzve për t’i vendosur në pozitat udhëheqëse. Prandaj, ai po sakrifikon një funksionare të lartë të partisë për një post, që normalisht do të duhej ta merrte një teknokrat”, vlerësoi për Radion Evropa e Lirë, Behev.

Zgjedhja e Tabakoviqit pason një seri të emërimeve kundërthënëse nga ana e Nikolliqit, i cili mori detyrën më 31 maj.

Në qershor, Nikolliq emëroi nacionalistin dhe kreun e Partisë Socialiste të Serbisë, parti e drejtuar dikur nga Sllobodan Millosheviqi, Ivica Daçiqin, si kryeministër të tij.

Muajin e kaluar, Parlamenti miratoi një kabinet që përfshin disa përzgjedhje befasuese. Mbase, më befasuesja ishte ministri i Kulturës, Bratislav Petkoviq, një pronar i një ëmbëltoreje në Beograd, i cili me profesion është regjisor teatri dhe ka pikëpamje të forta nacionaliste.

Në shtator të 2011, Petkoviq iu adresua një mase në Beograd në mbështetje të serbëve të Kosovës.

“Ky nuk është fundi i historisë. Ne kemi jetuar në komunizëm dhe në demokraci, prandaj mos u dëshpëroni. Nuk kemi asgjë për të humbur. Ne jemi tani në fund, por do të ngrihemi. Le të na ndihmojë Zoti”, pati thënë Petkoviq.

Nuk është e qartë se si do të reflektohen në politikë emërimet e krahut radikal.

Me vetëm disa muaj në presidencë, është ende vështirë të thuhet nëse prioritet kryesor i tij është që ta rivendosë kontrollin e Serbisë mbi Kosovën, e cila shpalli pavarësinë në vitin 2008, apo ta avancojë kërkesën e Serbisë për integrime evropiane dhe anëtarësim në BE.

Serbia ka marrë statusin e plotë të vendit kandidat në muajin mars, vetëm disa muaj para se të zgjidhej Nikolliqi.

Rina Kulla, nga Qendra Ëilson në Uashington dhe profesoreshë e Historisë në Universitetin Jivaskila të Finlandës, vuri në pah pasigurinë dhe papërvojën e Nikolliqit dhe adresimin që duhet ta bëjë para votuesve të ndryshëm.

“Përderisa ai ka shprehur një përkushtim të fuqishëm drejt integrimit në BE, drejt Brukselit dhe liderëve të BE-së, si dhe liderëve tjerë në Evropë, ai nganjëherë në shtypin vendor ka shprehur pikëpamje tjera të përkushtimit për Kosovën si pjesë të Serbisë. Në deklaratat e tij ka lëkundje, gjë që mendoj se tregon se ai është i ri në detyrën e re, nuk ka përvojë në dhënien e intervistave ndërkombëtare ose në bisedat me shtypin, apo me detyrat e një kreu të shtetit”, tha Kulla.

Analisti Behev argumenton se “pompoziteti nacionalist” është një tipar i peizazhit politik të Serbisë dhe nuk është doemos shkak për shqetësim. Kredencialet solide nacionaliste dhe qeveria e tij mund t’i japin atij fleksibilitet për të bërë kompromis për Kosovën, një gjë që liderët tjerë nuk kanë mundur ta bëjnë.

“Mendoj se do të jetë vërtet pozitive, meqë deri tash, kanë qenë vetëm demokratët që kanë pasur agjendë pro-evropiane dhe natyrisht socialistët, që ishin në koalicion, por, ky ka qenë më shumë projekt i ish-presidentit Tadiq. Koalicioni ri dëshmon se është njësoj i përkushtuar që të jetë pragmatik mbi Kosovën me qëllim që të afrohet me BE-në. Ky përfundimisht do të jetë një skenar pozitiv”, tha Behev.

Ndërkohë, Behev tërheq vërejtjen se Qeveria e Daçiqit dhe Banka Qendrore e Tabakoviqit, kanë para vetes një ekonomi që është në prag të kolapsit, me gjithë programin e kredisë prej një miliard eurosh të FMN-së, i cili është ngrirë që nga muaji shkurt pas shqetësimeve të FMN-së në lidhje me deficitin buxhetor.

Papunësia është rreth 25 për qind dhe ekonomia është tkurrur radhazi në dy tremujorët e kaluar.(a.i.)
XS
SM
MD
LG