Ndërlidhjet

Me traktat paqeje kundër bllokadës serbe


Qeveria e Kosovës

Qeveria e Kosovës

Një dialog eventual politik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk nënkupton domosdoshmërisht bisedime për çështje të brendshme e statusore të Kosovës, thonë zyrtarë të Qeverisë dhe analistë politikë në Prishtinë.

Përderisa opozita tashmë jo vetëm që i ka bërë thirrje Qeverisë që të mos nis dialog të nivelit politik me Beogradin, por madje i kërkon edhe të dalë nga procesi i bisedimeve teknike përderisa Serbia të mos i shuaj strukturat e saj paralele në Kosovë, në Qeveri mbizotëron qëndrimi se Kosova dhe Serbia duhet të ndërtojnë marrëdhënie normale.



Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi përsërit edhe të mërkurën se një traktat paqeje ndërmjet dy shteteve do të ishte më se i nevojshëm, që të dyja shtetet të vazhdojnë tutje pa e penguar njëra-tjetrën në proceset integrues euroatlantike.
Kosova duhet ta fitoj paqen e përjetshme, harmoninë me qytetarët e vendit dhe paqen e përjetshme me fqinjët ...

Kosova i ka kaluar dy faza, atë të mbijetesës që ka ardhur me lirinë e Kosovës dhe fazën e pavarësisë që ka ardhur më 17 Shkurt 2008. Kosova duhet ta fitoj paqen e përjetshme, harmoninë me qytetarët e vendit dhe paqen e përjetshme me fqinjët dhe ne jemi të gatshëm, jo t’i harrojmë armiqësitë e të kaluarës, por të krijojmë paqen për ne dhe gjeneratat që do të vijnë”, deklaron Kuçi.

Gatishmërinë e shprehur të Prishtinës për dialog politik me Beogradin, analisti Shkëlzen Maliqi e sheh edhe si përpjekje të Kosovës për t’i tejkaluar disa pengesa që Serbia i bën Kosovës në përfaqësimin e saj në arenën ndërkombëtare.

Ai thotë se procesi i bisedimeve politike ka ende shumë të panjohura. Kurse, paraprakisht, e sheh si shumë të rëndësishme që Serbia t’i respektojë dhe t’i zbatojë marrëveshjet e arritura deri më tani, sidomos atë për menaxhim të integruar të kufirit dhe përfaqësimin e Kosovës në nismat rajonale.

“Këto janë krejt në kuadër të përgatitjeve që të finalizohet marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë, e cila do t’i mundësonte Serbisë që ta vazhdojë rrugën evropiane, por në njëfarë dore do të legjitimonte dhe realizonte deri në fund pavarësinë e Kosovës dhe do t’i hiqte nga rendi i ditës këto bllokada që i ka bërë deri më tash Serbia”, vlerëson Maliqi.

Ngritja e bisedimeve në nivelin politik, ku përmendet mundësia e takimit ndërmjet kryeministrave të të dyja vendeve, sipas Shkëlzen Maliqit, nuk duhet shikuar si nisje të bisedimeve për ndonjë çështje të brendshme të Kosovës, siç është veriu, ku Serbia i mban strukturat e saj paralele. Madje, sipas tij, bisedimet politike mund të jenë mjet i mirë politik që këto struktura të largohen nga territori i Kosovës.
Edhe përmes bisedimeve politike, pse jo, duhet marrë vesh me Serbinë që të hiqen strukturat paralele në veri...

“Edhe përmes bisedimeve politike, pse jo, duhet marrë vesh me Serbinë që të hiqen strukturat paralele në veri, kjo është një prej kushteve që Kosova duhet ta kërkojë për vazhdimin e dialogut dhe menaxhimin e integruar të kufirit dhe kështu me radhë, por që të mos tejkalohet formula dhe paketa e Ahtisarit”, thotë Maliqi.

Përfundimi i armiqësive dhe konflikteve merr kuptimin e plotë vetëm pasi që të dyja shtetet të nënshkruajnë traktatin e paqes, thotë në anën tjetër zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi. Ai mendon se një normalizim i marrëdhënieve midis dy shteteve do t’u mundësonte Kosovës dhe Serbisë të ecin më shpejt drejt proceseve integruese.

“Çdo vend në botë pas një konflikti qoftë ndëretnik, ndërshtetëror, përfundon me një traktat të paqes dhe vetëm atëherë ka kuptim paqja e përhershme. Ne kemi krijuar paqen me veten, si me qytetarët serbë dhe të tjerët në Kosovë dhe edhe Serbia duhet të krijoj me të tjerët. Jo ta harrojmë të kaluarën, por traktati i paqes është raport mes shteteve dhe përfshinë të gjitha çështjet e hapura që kanë qenë deri më tani”, shprehet Kuçi.

Sidoqoftë, dialogu politik është potencuar edhe nga përfaqësues ndërkombëtar si i domosdoshëm dhe i nevojshëm për vendosjen e një normaliteti ndër fqinjësor.

Por, Bashkimi Evropian si ndërmjetëses i pritshëm në këtë dialog, e ka bërë të qartë se procesi nuk pritet të përmbyllet me njohjen e Kosovës nga ana e Serbisë. Andaj, jo vetëm politikanë nga opozita por edhe analistë politikë shprehin dilema se si do të mund të arrihej një traktat paqeje mes dy vendeve që nuk e njohin njëra tjetrën.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG