Ndërlidhjet

Anulohet vendimi në rastin Smajl Gashi


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Trupi gjykues i përbërë nga tre gjyqtarë të EULEX-it dhe dy kosovarë në Gjykatën Supreme e anuloi vendimin e Gjykatës së Qarkut të Prishtinës kundër Smajl Gashit dhe rastin e ktheu në rigjykim, bëri të ditur misioni evropian.

Anulimi i vendimit të shkallës së parë dhe kthimi i tij për konfirmimin e aktakuzës dhe rigjykim në Gjykatën e Qarkut të Prishtinës thuhet se u bë për shkak të shkeljeve të rënda të procedurës penale.

Gjykata Supreme thuhet se ka vendosur që Kodi i Procedurës Penale i Kosovës nuk parasheh ndonjë kompetencë për gjyqtarin konfirmues që t’i shkurtojë procedurat dhe ta mënjanojë fazën e seancës kryesore duke e nxjerrë aktgjykimin në fund të fazës konfirmuese, edhe nëse ekziston marrëveshja për pranimin e fajësisë si në këtë rast.

“Prandaj, ankesa e mbrojtjes nuk është shqyrtuar në bazë të meritave dhe është veçuar meqë ajo e kundërshton vetëm vendimin për dënimin”, thuhet në njoftimin e EULEX-it.

Gjykata Supreme, me një vendim të veçantë, ia ka vazhduar paraburgimin Gashit deri më 7 tetor 2012 dhe i ka urdhëruar Gjykatës së Qarkut të Prishtinës që të vendos për vazhdimet e mëtutjeshme të paraburgimit.

Smajl Gashi akuzohet për menaxhimin dhe kontrollimin e një grupi personash që trafikonin heroinë ndërmjet Kosovës, Austrisë dhe Zvicrës. Ai akuzohet për blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të kundërligjshme të substancave të rrezikshme narkotike dhe për krim të organizuar.

Rastin thuhet se është duke e trajtuar një prokuror i EULEX-it.
XS
SM
MD
LG