Ndërlidhjet

Këshilli i Tranzicionit të Libisë dorëzoi përgjegjësitë

  • RFE /RL

Ceremonia e pranim-dorëzimit të përgjegjësive...

Ceremonia e pranim-dorëzimit të përgjegjësive...

Këshilli Kombëtar i Tranzicionit në Libi ka dorëzuar përgjegjësitë tek asambleja e zgjedhur kombëtare, duke shënuar kështu tranzicionin e parë paqësor të vendit në historinë moderne.

Pranim-dorëzimi i detyrave është bërë në kryeqytetin Tripoli nën masa të rrepta të sigurisë. Ceremonia ka nisur pas mesnate me një moment heshtje për viktimat që kanë pësuar gjatë kryengritjes libiane, për të vazhduar me fjalimin e kryetarit të Këshillit, Mustafa Abdel Xhalil.

“Këshilli Kombëtar i Tranzicionit dorëzon detyrat kushtetuese të udhëheqjes së shtetit te Kongresi i Përgjithshëm Kombëtar, i cili tani e tutje është përfaqësuesi legjitim i popullit të Libisë”, ka thënë Xhalil.

Këshilli Kombëtar i Tranzicionit, i cili ka qenë krahu politik i forcave opozitare, të cilat kanë përmbysur regjimin e Muamer Gadafit një vit më parë, do të shpërbëhet.

Anëtarët e Kongresit, të zgjedhur në muajin korrik, janë betuar nën udhëheqjen e anëtarit më të vjetër të asamblesë prej 200 vendesh, Muhamed Ali Salim.

Asambleja do të zgjedhë kryeministrin e ri, do të miratojë ligje dhe do të drejtojë Libinë në zgjedhjet e plota parlamentare, pas hartimit të kushtetutës së re në vitin e ardhshëm.

Në Sheshin e Martirëve të Tripolit janë mbledhur turma njerëzish për të festuar pranim-dorëzimin e përgjegjësive.

“Është një ndjenjë e mirë. Të gjithë libianët kanë të njëjtën ndjenjë. Është një ngjarje e gëzueshme, e cila përkon me dy raste: e para është Muaji i Shenjtë i Ramazanit dhe, e dyta, përvjetori i çlirimit të Tripolit, kur kemi festuar lirinë tonë. Ne urojmë që edhe vëllezërit tanë sirianë të gëzojnë këtë liri”, ka thënë Husein Ajad.

Në mesin e turmës që festonte ishte edhe Fajza Muhamed, ndonëse lufta kundër Muamer Gadafit asaj i ka kushtuar me humbjen e djalit.

“Unë i kam dhënë Libisë gjënë time më të çmuar, djalin tim. Sot jam e lumtur dhe qëndroj në Sheshin e Martirëve për të uruar Libinë”, është shprehur Fajza.

Diktatori i Libisë, Muamer Gadafi, është vrarë nga kryengritësit në tetor të vitit 2011, derisa përpiqej të largohej nga qyteti i tij i lindjes, Sirte.

Ish-koloneli ka ardhur në fuqi në vitin 1969 dhe ka sunduar vendin me grusht të hekurt për më shumë se katër dekada.

Protestat kundër regjimit të tij kanë ndodhur në vazhdën e zhvillimeve të ngjashme në botën arabe. Të njohura si kryengritjet e Pranverës Arabe, ato kanë çuar së pari në përmbysjen e presidentit të Tunizisë, Ben Ali, dhe të atij të Egjiptit, Hosni Mubarak.

Presidenti i Jemenit, Ali Abdullah Salehi, në bazë të një marrëveshjeje me Shtetet e Bashkuara, është tërhequr nga posti i presidentit. Në Siri, kryengritësit rebelë dhe forcat e regjimit të Bashar al-Asadit vazhdojnë luftimet e ashpra, të cialt kanë hyrë në muajin e 17-të.

Libia, megjithatë, vazhdon të përballet me probleme të mëdha. Këshilli Kombëtar i Tranzicionit ka arritur të organizojë me sukses zgjedhjet e para të Libisë në disa dekada, por nuk ka arritur të bashkojë në një ushtri kombëtare grupet e milicisë.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG