Ndërlidhjet

Arinjtë lodra shkaktojnë “turbulenca”

  • RFE /RL

Protestë me arinj lodra...

Protestë me arinj lodra...

Një aksion nga ajri i aktivistëve suedezë në Bjellorusi, sado i pafajshëm dhe qëllimmirë që dukej në fillim, ka shkaktuar përgjatë javëve të kaluara “turbulenca” në horizontin politik dhe në raportet ndërmjet të dyja vendeve.

Shtetet e Bashkuara thanë se “qëndrojnë përkrah Suedisë” në përpjekjet për promovimin e të drejtave të njeriut në Bjellorusi në kohën kur pas mosmarrëveshjeve ndërmjet të dyja palëve, Minsku mbylli misionin e tij në Stokholm, ndërsa dëboi të gjithë diplomatët suedezë.

Departamenti Amerikan i Shtetit tha të mërkurën se ishte “thellësisht i shqetësuar” lidhur me ngjarjet e fundit duke theksuar se veprime të tilla “vetëm se e thellojnë izolimin e Bjellorusisë”.

Bjellorusia tërhoqi ambasadorët e saj nga Stokholmi pasi aktivistët suedezë ndërmorën një aksion në muajin e kaluar duke gjuajtur nga një aeroplan qindra lodra për fëmijë, që bartnin mesazhe pro-demokratike.

Aksioni qe ndërmarrë më 4 korrik kur një aeroplan hyri në zonën ajrore të Bjellorusisë nga Lituania.

Ambasadori suedez u dëbua nga vendi.

Të mërkurën, Minsku njoftoi se do të tërheqë stafin e mbetur nga Ambasada në Suedi, ndërsa i bëri thirrje Stokholmit t’i tërheqë diplomatët e tij nga Minsku.

Presidenti bjellorus, Alensandër Lukashenko, pati përjashtuar nga puna shefin e mbrojtjes ajrore dhe kreun e rojeve të kufijve, ndërsa dy ditë më parë KGB-ja bjelloruse njoftoi se ka arrestuar Anton Suripajn dhe Sergej Bashamirovin nën dyshimet për bashkëpunim gjatë një “ndërhyrjeje ilegale”.

Zëdhënësi i KGB-së në Bjellorusi, Alaksandër Antonoviq, tha se është shkelur ligji ndërkombëtar i aviacionit. Ai theksoi se aktivistët kanë shkelur jo vetëm ligjin bjellorus, por edhe atë lituanez, suedez dhe atë të NATO-s.

Antonoviq ftoi autoritetet suedeze që të jenë bashkëhetues të rastit.

“Për hir të një hetimi të plotë dhe objektiv të këtij rasti kriminal dhe përcaktimit të rrethanave të shkeljes së hapësirës ajrore të Republikës së Bjellorusisë e Lituanisë, Komiteti për Siguri Shtetërore (KGB) u ofron autoriteteve suedeze që të vijnë në Minsk për të marrë pjesë në hetimin e të dyshuarve”, tha ai.

I dyshuari Suripajn u arrestua pas publikimit të fotografive të arinjve lodra në internet, ndërsa Basharimov akuzohet se u ka dhënë me qira banesën, të cilën e përdorte kompania suedeze për Studio Total-organizatore e aksionit.
Pronari i kësaj kompanie, Tomas Mazeti, shfaqi dyshimet për ftesën e KGB-së, ndërsa tha se arrestimet e dy qytetarëve bjellorusë janë “të paarsyeshme” dhe “metoda djallëzore të një diktature”.

Mazeti tha se akuzat drejtuar të arrestuarve nuk bazohen në asnjë ligj ekzistues.

“Mendoj se kjo është vetëm një dëshmi që flet për paarsyeshmërinë dhe metodat djallëzore të diktaturës. Bjellorusët e burgosur lidhur me hedhjen e arinjve lodra nuk akuzohen me ndonjë gjë të bazuar në ligj. Ata akuzohen për krime qesharake si ofrimi i ndihmës për ta kaluar kufirin, edhe pse gjëja e vetme që Anton (Surjapin) ka bërë ishte publikimi i pamjeve të lodrave”, tha Mazeti.

Organizatat për të drejtat e njeriut në Minsk dënuan arrestimet e të dyshuarve duke thënë se ata po përdoren si mjet presioni ndaj Suedisë.

Kreu i Grupit të Helsinkit në Bjellorusi, Heri Pahaniala, shpjegoi:

“Qytetarët tanë (të burgosur) janë tani pengje të KGB-së dhe (autoritetet) duan t’i shfrytëzojnë këto rrethana për t’i manipuluar (suedezët). Ata duan që qytetarët suedezë, të paktën, të marrin përgjegjësinë morale për arrestimet (e bjellorusëve). Edhe pse mendoj se është naive të mendohet se qytetarët suedezë, të cilët e dinë se çfarë sistemi të drejtësisë kemi dhe se çfarë përfaqëson KGB-ja, do të vijnë këtu për të bashkëpunuar”.

Në javën e kaluar, aktivistët për të drejtat e njeriut vendosën disa arinj lodra në qendër të Minskut duke kërkuar lirimin e të arrestuarve.

Përgatiti: Edona Peci


XS
SM
MD
LG