Ndërlidhjet

Tërbohet lufta në Alepo, Asadi emëron kryeministrin e ri


Ushtarët e Bashar al-Asadit në Alepo...
Ushtarët e Bashar al-Asadit në Alepo...
Presidenti i Sirisë, Bashar al-Asad, ka emëruar kryeministër të ri të vendit.

Vale al-Halki, ish-ministër i Shëndetësisë, do të zëvendësojë Rijad Hixhabin, i cili, javën e kaluar, ka dezertuar nga regjimi dhe tani ndodhet në Jordani. Al-Haki, 48 vjeç, është nga provinca jugore e Deras, ku edhe ka shpërthyer kryengritja kundër Asadit, 17 muaj më parë.

Ai ka mbajtur postin e sekretarit të përgjithshëm të degës së Partisë Bath në Dera, nga viti 2000 deri më 2004, ndërsa në vitin 2010 është emëruar në krye të sindikatës së mjekëve.

Emërimi i kryeministrit ka ndodhur në Damask, derisa luftimet në Alepo janë intensifikuar edhe më shumë. Raportet e mediave janë kontradiktore në lidhje me kontrollin e lagjes strategjike të Salahedinit.

Agjencia shtetërore e lajmeve ka njoftuar se forcat e Asadit kanë rikthyer kontrollin e Salahedinit, e cila është zona kryesore e rebelëve në Alepo. Aktivistët, në anën tjetër, thonë se kryengritësit janë duke i dhënë fund luftës për kontrollin e lagjes.

Salahedini është një zonë me rëndësi jetike edhe për furnizimin e forcave qeveritare, të cilat vijnë nga jugu.

Tërbimi i konfliktit në Alepo dhe pjesë të tjera të Sirisë, së bashku me dhjetëra viktima të reja, sugjerojnë se Asadi mbetet i vendosur në qëllimin e tij për të ruajtur pushtetin, vlerësojnë agjencitë botërore të lajmeve.

Mbështetësi më i afërt i tij, Irani, ka mbledhur ministrat e vendeve, po ashtu mbështetëse të regjimit sirian, për të biseduar rreth mënyrave që do t’i jepnin fund konfliktit. Në takim kanë marrë pjesë përfaqësuesit e Rusisë, Kinës, Pakistanin, Venezuelës, Azisë Qendrore dhe disa anëtarë të Ligës Arabe.

Teherani ka bërë thirrje për “bisedime serioze dhe gjithëpërfshirëse” ndërmjet Qeverisë siriane dhe opozitës.

“Republika Islamike e Iranit beson fuqishëm se kriza siriane mund të zgjidhet vetëm përmes bisedimeve serioze dhe gjithëpërfshirëse ndërmjet qeverisë dhe grupeve opozitare, të cilat gëzojnë mbështetje popullore në Siri”, ka thënë ministri i Jashtëm iranian, Ali Akbar Salehi.

Gjatë një fjalimi të transmetuar në Televizionin e Iranit, Salehi ka thënë se, “Teherani kundërshton çdo ndërhyrje të huaj dhe ushtarake në Siri, ndërsa mbështet përpjekjet e Kombeve të Bashkuara për të zgjidhur këtë krizë”.

“Të gjitha vendet rajonale dhe ndërkombëtare, të cilat kanë rol në krizën në Siri, duhet ta pranojnë realitetin, se situata politike, demografike dhe gjeopolitike në Siri është e tillë që duhet zgjidhur vetëm me anë të bisedimeve të brendshme dhe politike”, ka thënë Salehi.

Shtetet perëndimore kanë shprehur dyshime në lidhje me aftësinë e ndërmjetësimit të Iranit. Këtë javë, kreu i shërbimit të fshehtë iranian, Said Xhalil, ka vizituar Damaskun, ku ka deklaruar se Siria është pjesë kyçe e rezistencës rajonale dhe se Teherani nuk do të lejojë që ajo “të thyhet”.

Sipas Kombeve të Bashkuara, që nga shpërthimi i trazirave në mars të vitit të kaluar, në Siri kanë humbur jetën mbi 20,000 persona – shumica nga të civilë.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG