Ndërlidhjet

logo-print

The National Interest: Katër skenarët sirianë

  • RFE /RL

Fotoja e Bashar al-Asadit në hyrje të Homsit...

Fotoja e Bashar al-Asadit në hyrje të Homsit...

Me mijëra persona të vrarë, me refugjatë të panumërt, mungesa ushqimesh dhe barnash, Siria, nga shumë diplomatë dhe media, ka marrë epitetin e një konflikti të tërbuar.

Revista "The National Interest”, në artikullin e botuar me titullin “Katër skenarë për Sirinë”, vlerëson se disa epilogë të mundshëm do të jenë të pakëndshëm për stabilitetin rajonal dhe vlerat perëndimore.

Ajo nuk e përjashton mundësinë që regjimi i Bashar al-Asadit të menaxhojë shtypjen e rebelimit.

“Po të mos ishte ndërhyrja nga jashtë, kryesisht nga Arabia Saudite dhe Turqia, por edhe nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj evropianë, ky do të ishte rezultati më i mundshëm”, shkruan “The National Interest”, duke aluduar në vendimin e Riadit dhe të Ankarasë për të financuar dhe armatosur sunitët, të cilët dominojnë Ushtrinë e Lirë Siriane.

Pavarësisht numrit në rritje të viktimave, shumica nga to civilë, kryengritësit sirianë duken të vendosur në qëllimin e tyre për të rrëzuar Asadin.

“The National Interest” thotë se Ushtria e Lirë Siriane mund të rrëzojë Asadin dhe të menaxhojë tranzicionin drejt një Sirie shumëfetare, shumetnike dhe demokratike. Duke e cilësuar një gjë të tillë si shpresën më të madhe të Uashingtonit, revista numëron edhe “avantazhet” kundër saj.

“Siria ka ekonominë e dobët, ashtu si edhe shoqërinë civile”, shkruan “The National Interest”, duke i konsideruar ato si “faktorë të rëndësishëm për një sistem të qëndrueshëm, tolerant dhe demokratik.

Skenari i tretë që parasheh revista është ‘fitorja e kryengritësve dhe krijimi i shtetit autoritar’. Një gjë të tillë, ajo nuk e konsideron si zhvillim befasues, pasi, siç shkruan, elementet radikale islamiste duket të jenë mbizotëruese në kuadër të kryengritjes.

Megjithatë, duke pasur parasysh përbërjen komplekse etnike dhe fetare të Sirisë, rezultati më i mundshëm, sipas revistës “The National Interest”, është ndarja e Sirisë në enklava fetare dhe etnike.

“Ushtria e Asadit, e dominuar me alavitë, jep shenja të përpjekjeve për krijimin e një fortese të krishterë alavite”, shkruan revista.

Por, në fund të të gjithë këtyre skenarëve, ajo parasheh pasoja negative. Po qe se Asadi do të vazhdojë sundimin, sipas revistës, ai do të vazhdojë të përballet edhe me kryengritjen sunite, të mbështetur nga Riadi dhe Ankaraja.

Po qe se sunitët shënojnë fitore dhe pa marrë parasysh nëse udhëheqin drejt demokracisë apo autoritarizmit, ata do të provokojnë kundërmasa nga fuqia kryesore shiite, që është Irani. Dhe, një Siri e ndarë do të bëhet zonë e manovrave të pafundme të pushtetarëve të saj, shkruan “The National Interest”.

Shkrimin e plotë të revistës “The National Interest” mund ta lexoni këtu.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG