Ndërlidhjet

Ekspertët: Greqia kërkon partner të ri për bisedime


Pamje nga Shkupi...

Pamje nga Shkupi...

Qeveria greke ende nuk ka dhënë asnjë përgjigje ndaj propozimit të kryeministrit, Nikolla Gruevski, dy javë më parë, për bisedime direkte mes zyrtarëve të të dyja vendeve për zgjidhjen e çështjes së emrit.

Madje, Gruevski në një prononcim për mediat, i kishte propozuar homologut të tij grek, Andonis Samaras, disa data për negociata, për të cilat ai do të dakordohej.

Nga Qeveria nuk komentojnë lidhur me heshtjen e Athinës zyrtare, ndërsa vetë kryeministri Gruevski kohë më parë tha se për çështjen e emrit nuk do t’i përgjigjet interesimit të mediave me qëllim që deklaratat e tij të mos keqinterpretohen nga zyrtarët grekë.

Por, njohësit e zhvillimeve ndërkombëtare mospërgjigjen e palës greke e vlerësojnë si injorim të politikës së qeverisë aktuale, në raport me zgjidhjen e kontestit, për shkak të, siç thonë, qasjes joserioze, provokuese dhe improvizuese.

“Kryeministri Gruevski ka krijuar një situatë në bisedimet me Greqinë, e cila asnjëherë nuk jep elemente serioze për zgjidhje dhe si rrjedhojë e kësaj, pala greke në forma të ndryshme dhe përmes udhëheqësve të saj të lartë ka filluar ta kualifikojë Gruevskin si udhëheqës dhe si njeri, i cili nuk është i përshtatshëm për të biseduar, për të gjetur kompromis dhe për ta zgjidhur çështjen e emrit”, thotë Ismet Ramadani, nënkryetar i Këshillit Euroatlantik të Maqedonisë.

Në pyetjen nëse pala greke pret ndryshim të pushtetit në Maqedoni që negociatat t'i vazhdojë me opozitën, ashtu siç spekulohet në opinion, Ramadani thotë:

“Kjo është më se e sigurt. Ata duan partner tjetër për të biseduar, sepse kanë kulmuar mosmarrëveshjet me këtë udhëheqësi, sidomos kur është fjala për uzurpimet e ndryshme historike të Greqisë antike. Të gjitha këto situata nuk japin shumë parakushte që të bëjë kompromis me një udhëheqës, me të cilin tërë kohën ka pasur probleme”.

Nga ana tjetër, Stevo Pendarovski, kryesues i Këshillit për Integrime të Lidhjes Social-demokrate të opozitës, thotë situata është ndërlikuar për shkak të mungesës së një strategjie të përbashkët shtetërore për zgjidhjen e kontestit dhe fajtor kryesor për mungesën e saj, sipas Pendarovskit, është kryeministri Gruevski.

“ Për problemin kyç që pengon integrimin e vendit, nuk ekziston as edhe një aktivitet me rëndësi. Kreu shtetëror nuk ka pozicion të qartë se a do të marrë pjesë në negociatat reale me ndërmjetësin Nimic, apo nëse edhe më tej do të tentojë ta shfrytëzojë vendimin e Hagës, i cili, deri më tani nuk ka dhënë asnjë rezultat pozitiv”.

“Ndërsa, në raport me domosdoshmërinë e ndërtimit të një qëndrimi të përbashkët shtetëror, ne kohë më parë dëgjuam një deklaratë decide nga ana e kryeministrit se ai nuk e ka ndërmend të nisë bisedime të tilla me liderët aktualë të opozitës. Kjo e dobëson edhe më shumë pozicionin negociues të Maqedonisë dhe fajtor për këtë është qeveria aktuale”,
shprehet Pendarovski duke shtuar se politika e këtillë e qeverisë ka bërë që vendi dita-ditës të humbë edhe mbështetjen e vendeve tjera.

“Për momentin Maqedonia nuk ka asnjë partner strategjik që mund t’i ndihmojë në integrimet euroatlantike. Edhe ata që i kishin në samitin e Bukureshtit, tanimë nuk janë me ne, kurse Turqia nuk mund edhe shumë të na ndihmojë pasi edhe vetë ajo nuk është në tërësi e integruar në organizatat evropiane”, thekson Pendarovski.

Kohë më parë në Maqedoni qëndroi për vizitë edhe sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-mun, i cili tha se personalisht do të angazhohet për afrimin e qëndrimeve mes dy vendeve, por deri më tani nuk ka asnjë paralajmërim për ndonjë aktivitet konkret.
XS
SM
MD
LG