Ndërlidhjet

Finalizimi i raporteve Kosovë - Serbi, nëpërmjet traktatit


Ilustrim

Ilustrim

Ideja për nënshkrimin e një traktati paqeje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, vazhdon të diskutohet në skenën politike në Kosovë.

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ka deklaruar të premten se ideja për nënshkrimin e një traktati paqeje me Serbisë, është e menduar mirë. Ai ka theksuar se kjo ide është me peshë politike dhe intelektuale në kuptimin juridik.



Zëvendëskryeministri, njëherësh ministër i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, ka thënë se finalizimi i raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, është një traktat paqeje.

“Është një ide e menduar mirë, është një ide do të thosha, edhe politike, edhe intelektuale. Këtu e shoh finalizimin e raporteve Kosovë-Serbi. Ne i kemi provuar të gjitha me Serbinë, vetëm paqen jo dhe ky është një vullnet i yni që ta bëjmë një veprim të tillë”.

“Disa i quajnë traktate për fqinjësi të mirë, ka shtete që e quajnë traktat të miqësisë, por po e thashë në Kosovë, ma zënë për të madhe. Pra, fjala është për një traktat për paqe, që duhet ta rrumbullakësojë çdo problem të hapur”,
ka thënë Kuçi, pas një takimi me zëvendëskryeministrin e Turqisë, Bekir Bozdag.

Spektri politik opozitar në Kosovë, por edhe deputetë të partive në pushtet e kanë parë me sy kritik idenë e zëvendëskryeministrit Hajredin Kuçi për një traktat paqeje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Opozitaret këtë ide e kanë cilësuar si ide të parakohshme dhe vështirë të realizueshme, duke marrë parasysh politikën ekstremiste që ndjek shteti serb karshi Kosovës.

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ka përsëritur se një traktat paqeje ndërmjet dy shteteve do të ishte më se i nevojshëm. Ai ka sqaruar se traktati parashikon njohjen reciproke mes dy shteteve.

“Traktati nënkupton sovranitetin, ku do të përfshihej edhe çështja e njohjeve reciproke edhe njohjes së tërësisë territoriale edhe të veprimeve, e të operacioneve të luftës dhe çështjeve të tjera. Ne kemi fituar lirinë dhe kemi fituar pavarësinë. Kemi nevojë ne dhe gjeneratave që vijnë që t’ua vëmë paqen e përjetshme në letër, në dokument”, ka shpjeguar Kuçi.

Nga ana tjetër, analistët politikë konsiderojnë se aktualisht nënshkrimi i një traktati paqeje me Serbinë, në këtë kohë, është i pamundur.

Analisti Imer Mushkolaj thotë se propozimi i zëvendëskryeministrit është një ide, e cila nuk mund të realizohet shpejt.

“Traktati nuk do të jetë i mundur në këtë kohë pikërisht duke pasur parasysh rrethanat politike, në të cilat zhvillohen marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, apo në të cilën në fakt zhvillohet kundërshtimi i Serbisë ndaj shtetësisë së Kosovës”, vlerëson Mushkolaj.

Mushkolaj thotë se traktati i paqes nënkupton edhe marrjen e përgjegjësive nga të dyja shtetet, por, sipas tij, Serbia një gjë të tillë nuk mund ta bëjë pa një presion të madh ndërkombëtar.

“Në këtë rast, konsideroj se marrja e përgjegjësive nga ana e Serbisë për të gjitha ato krime dhe dëme shumë të mëdha që i ka shkaktuar Kosovës, nuk do të jetë një punë e lehtë. Kjo është edhe një arsye që konsideroj se kjo marrëveshje/ traktat, do të kërkojë ende kohë për t’u nënshkruar”, thotë Mushkolaj.

Sido që të jetë, zyrtarët e ekzekutivit kanë thëne se Kosova është e gatshme të hyjë në bisedime politike me Serbinë, duke besuar se një dialog i tillë do të prodhonte si rezultat nënshkrimin e një traktati paqeje midis dy shteteve.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG