Ndërlidhjet

Romni zgjedh Rajanin kandidat për nënpresident


Mit Romni
Mit Romni
Kandidati republikan, Mit Romni, e ka zgjedhur kongresistin Pol Rajan si kandidat për postin e nënpresidentit të SHBA-së.

"Sot ne kemi ndërmarrë një tjetër hap për të ndihmuar në rivendosjen e premtimit të Amerikës. Derisa po ecim përpara në këtë fushatë dhe derisa po ecim përpara për ta ndihmuar çuarjen e vendit drejt ditëve më të mira, është një nder që të njoftoj se bashkë-garuesi im dhe nënpresidenti i ardhshëm i SHBA-së është Pol Rajan”, ka thënë Romni.

Romni ka konfirmuar kështu edhe vetë në Norfolk të Virxhinias raportet e mediave, që thoshin se ai ka zgjedhur në ekipin e tij ligjvënësin 42 vjeçar nga Uiskonsini dhe kryesuesin e Komitetit për Buxhet të Dhomës së Përfaqësuesve.

Ai ka lavdëruar Rajanin dhe ka vënë në pah tiparet e tij kryesore.

“Në qytetin, (Uashingtonin), që karakterizohet shpesh me sulme personale, Pol Rajan është një përjashtim i ndritshëm. Ai nuk i demonizon kundërshtarët e tij. Ai e kupton se njerëzit e nderuar mund të kenë dallime të ndershme dhe ai bën thirrje për pikëpamje më të mira të natyrës sonë. Ka shumë njerëz në partinë tjetër (demokratët), që mund të mos pajtohen me Pol Rajanin. Por, unë nuk e di nëse është dikush që nuk e respekton karakterin dhe gjykimin e tij”, është shprehur Romni duke varur shpresat se kandidati i ri për nënpresident.

“Poli është futur në jetën publike për të gjitha arsyet e drejta - jo për të çuar përpara ambiciet e tij personale, por për të çuar përpara idealet e lirisë dhe të drejtësisë dhe për t’i rritur mundësitë dhe prosperitetin për njerëzit e çdo klase dhe besimi, të çdo moshe e përkatësie etnike, ka theksuar Romni.

Ish-guvernatori i Masaçusestsit bëri njoftimin në prag të fillimit të turneut të tij katërditor me autobus përmes shteteve kryesore si Virxhinia, Karolina Veriore, Florida dhe Ohajo.

“Poli dhe unë kemi filluar një udhëtim që do të na çojë në çdo cep të Amerikës. Ne jemi duke ofruar një agjendë pozitive qeverisëse që do të çojë në rritjen ekonomike, në përhapjen e prosperitetit dhe do të përmirësojë jetën e qytetarëve tanë”, ka thënë kandidati republikan.

Kongresisti amerikan, Pol Rajan, ka thënë se është i nderuar me ofertën e bërë nga kandidati republikan për president të SHBA-së.

“Në 14 vjetët e fundit unë kam përfaqësuar me krenari Uiskonsinin në Kongres. Atje jam fokusuar në zgjidhjen e problemeve, me të cilat përballet vendi ynë, duke i kthyer idetë në veprime dhe veprimet në zgjidhje. Jam angazhuar me zemër dhe mendje që ajo përvojë të funksionojë në administratën e Ronit”, ka thënë Rajan, i cili ka shprehur vendosmëri për fitoren e republikanëve në zgjedhjet presidenciale të nëntorit.

“Ky është një moment vendimtar në jetën e kombit tonë. Dhe, është absolutisht jetike që kemi zgjedhur njeriun e duhur për ta udhëhequr Amerikën përsëri drejt prosperitetit dhe madhështisë. Ky njeri ... Ky njeri po qëndron afër meje. Emri i tij është Mit Romni dhe ai do të jetë presidenti i ardhshëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës!”, është shprehur Rajan.

Siç, raporton VOA, Pol Rajan, është shumë i preferuar mes konservatorëve të çështjeve fiskale. Si kryetar i Komisionit të Buxhetit në Dhomën e Përfaqësuesve, ai ka qenë në qendër të debateve lidhur me shkurtimin e shpenzimeve dhe reformën e programeve shoqërore.

Derisa Pol Rajan, sipas VOA-s, gëzon shumë mbështetje mes republikanëve, demokratët shikojnë mjaft mundësi për ta sulmuar atë. Në mars të këtij viti, Dhoma e Përfaqësuesve miratoi planin e buxhetit, ''Rruga drejt begatisë'', i hartuar nga ligjvënësi Rajan, në bazë të të cilit do të shkurtoheshin shpenzimet qeveritare me triliona dollarë gjatë 10 vjetëve të ardhshëm.

“Demokratët kanë kritikuar shkurtimet e debatueshme të përfshira në këtë projekt-ligj, si për shembull shkurtimet në programin ‘medicare’, i cili përfshin kujdesin shëndetësor për të moshuarit. Analistët thonë se demokratët do të fillojnë kritikat ndaj zotit Rajan, tani që Mit Romni bëri njoftimin e tij të shumë pritur”, raporton VOA.
Përgatiti: Albana Isufi
XS
SM
MD
LG