Ndërlidhjet

Sulme tinëzare, vriten 7 ushtarë amerikanë


Afganistan
Afganistan
Një civil afgan i punësuar në një bazë të NATO-s në Afganistanin jugor i ka qëlluar për vdekje tre ushtarë amerikanë, sulmi i fundit ky tinëzar në valën e sulmeve që vetëm brenda kësaj jave i kanë lënë të vdekur shtatë ushtarë amerikanë.

NATO tha se sulmi ndodhi në rrethin në provincën e Helmandit, në natën e së premtes.

Personi nuk mbante uniformë dhe mbetet e paqartë mbajtja e armës nga ana e tij.

Daud Ahmedi, zëdhënës i provincës në Helmandi dha shpjegime për Radion Evropa e Lirë.

“Incidenti ka ndodhur brenda një baze të komandës qendrore në distriktin e Garmsirit reth orës 8 e 30 në mbrëmjen e së premtes. Fatkeqësisht, tre ushtarë të ISAF-it janë vrarë dhe një nga ta është plagosur. Një delegacion është dërguar për të hetuar rastin dhe më vonë priten detaje tjera. Individi që e ka kryer incidentin është arrestuar”, tha Ahmedi.

Të premten, gjatë ditës, një komandant i policisë afgane dhe disa nga punonjësit e tij i kanë vrarë tre marinsa amerikanë, pasi që i kishin ftuar në drekë për të diskutuar disa çështje të sigurisë.

Edhe ky sulm ndodhi në provincën e Helmandit.

Ndërsa të martën, më 7 gusht, dy persona të veshur me uniforma ushtarake afgane qëlluan për vdekje një ushtar amerikan në lindje të vendit.

Zëdhënësi i ISAF-it, Gynter Katz, tha se incidentet janë të izoluara.

“Më lejoni ta qartësoj se këto incidente nuk reflektojnë situatën e përgjithshme në Afganistan, ku pothuajse 500 mijë ushtarë dhe policë punojnë krah për krah me njëri-tjetrin, duke rritur besimin, duke rritur bashkëpunimin me qëllim që të luftojnë së bashku për një të ardhme më të mirë të këtij vendi dhe për të bërë presion ndaj kryengritjes”, theksoi Katz.

Rastet e policëve dhe ushtarëve afganë që u kanë kthyer armët kolegëve të tyre perëndimorë, megjithatë, kanë shënuar rritje. Që nga muaji janar janë regjistruar 26 raste të tilla, në të cilat janë vrarë 34 njerëz.

Në vitin e kaluar, kanë ndodhur 21 sulme, në të cilat kanë vdekur 35 njerëz.

Për disa nga këto vrasje përgjegjësinë e kanë marrë talibanët, të cilët thonë se janë infiltruar në forcat afgane të sigurisë.

Por, ISAF për shumë nga sulmet tha se janë kryer si pasojë e stresit, konflikteve personale dhe dallimeve kulturore. Këto sulme e kanë venitur besimin në mes të forcave të huaja dhe atyre afgane, derisa NATO përgatitet që ta dorëzojë sigurinë te forcat afgane në vitin 2014. Aleanca, aktualisht, i ka rreth 130 mijë ushtarë në Afganistan, të cilët pritet të tërhiqen në fund të vitit 2014.

Përgatiti: Albana Isufi
XS
SM
MD
LG