Ndërlidhjet

Britani e Madhe: Mbyllet Olimpiada e Londrës


Stadiumi Olimpik, Londër
Stadiumi Olimpik, Londër
Londra iu jep fund të dielën Lojërave Olimpike, nikoqire e të cilave ishte për më shumë se tri javë. Përfaqësues të Komitetit Ndërkombëtar Olimpik janë shprehur të kënaqur si me organizimin, ashtu edhe me arritjet e atletëve.

Presidenti i Komitetit Ndërkombëtar Olimpik, Zhak Rozhe në një konferencë për gazetarë të mbajtur në Londër, është shprehur i kënaqur me arritjet e qindra atletëve nga tërë bota, që për më shumë se tri javë shfaqën aftësitë e tyre në disiplina të ndryshme olimpike.

“Londra premtoi lojëra atletike, dhe kjo është pikërisht ajo që morëm - një fshat madhështor, 44 rekorde botërore, 117 rekorde olimpike dhe mund të them se historia është rishkruar nga shumë, shumë atletë”, ka thënë Rozhe.

Njëri nga talentet që rishkroi historinë është sprinteri xhamajkian Usain Bolt, i cili në kuadër të ekipit të Xhamajkës, fitoi një ditë më parë në stafetën olimpike të meshkujve 4x100 duke thyer edhe rekordin botëror.

Por, para, kësaj, Bolti rrëmbeu dy medalje të arta në vrapimet e shpejta në 100 dhe 200 metra.

“Ndihem shkëlqyeshëm, Jam i lumtur për atë që bëra. Erdha këtu të bëhem legjendë, dhe tash jam (legjendë) dhe jam shumë i kënaqur me veten”, ka thënë Bolt.

Një konstatim të tillë për sprinterin xhamajkian e ka dhënë edhe kreu i Komitetit Ndërkombëtar Olimpik Zhak Rozhe, i cili disa ditë më pare kishte deklaruar se Bolt duhet të dëshmojë madhështinë, para se të deklarojë se është legjendë e gjallë.

“Më lejoni ta finalizoj këtë çështje: Usain Bolt është një legjendë aktive, ai është sprinteri më i mirë i të gjitha kohërave”, ka thënë presidentin Rozhe.

Por, ai ka rikujtuar edhe një moment tjetër nga Olimpiada e sivjetme.

“Nëse duhet ta theksojmë një moment, jo emocion, por një moment sentimental, atëherë, përfundimisht janë lotët e Kris Hojit. Mendoj se ky ishte momenti vendimtar i Lojërave”, ka theksuar Rozhe për Hojin, çiklistin britanik i cili fitoi 6 medalje të arta olimpike.

Ceremonia e mbylljes do të fillojë në orën 21, sipas kohës lokale në Londër, ndërsa do të paraqiten më shumë se 4 mijë e 100 interpretues.

Në të do të shfaqet dorëzimi formal i Lojërave në Rio de Zhaneiro, qytet ky nikoqir i Olimpiadës Verore 2016, si dhe shuarja e flakës olimpike, e cila shënon edhe fundin e veprimtarisë së këtij viti.

Grupet britanike të rokut “The Who” dhe “Spice Girls” është thënë se do të performojnë po ashtu në ceremoni.

Ndërkohë, një ditë më parë organizatorët artistikë të Olimpiadës, “Londra 2012", kanë paralajmëruar se mbyllja e lojërave verore të dielën mbrëma, do të jetë po aq mahnitëse sa ishte edhe hapja e tyre më 27 korrik.

Drejtuesi i ceremonisë mbyllëse, Kim Gejvin, ka paralajmëruar shumë argëtim për të pranishmit, duke mos lënë anash, edhe kësaj here sjelljen e historisë muzikore britanike, por edhe të fushave tjera artistike.

“Gjithmonë ka qenë bekim të merresh me këtë punë, të organizosh një ceremoni pas ngjarjes kryesore dhe natyrisht që unë dua që ajo të jetë një festë, unë dua që njerëzit të argëtohen, unë dua që ajo të jetë shumëngjyrëshe dhe gjithashtu t’ju sjellim në mend epokat e caktuara të muzikës të mbledhur përgjatë 50 vjetëve, muzikë pop, por jo vetëm muzikë pop – në modë po ashtu, kulturë - kështu që kam kërkuar që kjo të jetë ceremonia më e mirë e mbylljes e parë ndonjëherë”, ka thënë Gejvin.

Organizatorët e Olimpiadës së sivjetme që u mbajt për më shumë se tri javë në Londër, ua kanë lënë duart e lira artistëve për të përmbyllur këtë garë ku morën pjesë qindra atletë nga tërë bota.

"Në terma të përgjithshëm, ne kemi qenë shumë të kënaqur që të mos ndërhyjmë, por t’u lëmë lirinë artistike regjisorëve që të bëjnë atë që mendojnë saktësisht se është më e mira. Kështu, mendoj se është më së miri të festohet inovacioni, kreativiteti, diversiteti dhe imagjinata e vendit tonë, nëpërmjet individëve që më shumë sesa ne e përbëjnë këtë vend, ne si një komitetit organizues, duke u përpjekur të themi se çfarë duhet të të përfshihet në ceremoni”, ka thënë producenti ekzekutiv i të gjitha ceremonive olimpike në Londër, Stiven Daldri.

Përgatit: Albana Isufi
XS
SM
MD
LG