Ndërlidhjet

Maqedoni: Ndasitë etnike i krijon politika


Qeveria e Maqedonisë

Qeveria e Maqedonisë

Nazmi Maliqi , ligjërues i Shkencave Sociale thotë se ndasitë etnike nuk rregullohen vetëm me nënshkrimin e dokumenteve, ngase ato në vazhdimësi i krijojnë politikëbërësit për interesa të ngushta partiake, madje edhe personale, duke tentuar të bëhen pjesë e historisë si patriotë kombëtarë përmes politikave nacionaliste në kurriz të sendërtimit të shtetit multi-etnik.

“Përskaj Marrëveshjes së Ohrit, sikur faktori subjekt, faktori politik, që ndërtohet nga njeriu, elita politike harron të krijojë atë pamjen dhe të angazhohet për ndërtimin e një strategjie të qëlluar, të ndërtojë pozicionet politike, ekonomike, sociale, si dhe raportet e tjera që i japin kuptim stabilitetit institucional të shtetit”, shprehet Maliqi.

Nga ana tjetër, Vllado Dimovski, nga Qendra për Tolerancë Ndëretnike, thotë se hulumtimet e bëra nga kjo organizatë dëshmojnë se Maqedonia nuk ec në drejtim të pajtimit të dy komuniteteve më të mëdha, maqedonasve dhe shqiptarëve, si pasojë e mosangazhimit të elitave politike për krijimin e vlerave të përbashkëta.

“Raportet ndëretnike janë të këqija gjithkund ku përzihet politika. Këtë e thonë dhe rezultatet e qendrës sonë, gjithmonë kur hulumtimet bëhen pas incidenteve të caktuara që dëshmohet se janë të inskenuara nga politika, raportet ndëretnike cilësohen si shumë të brishta. Por, në të kundërtën qytetarët nuk kanë probleme me bashkëvendasit e tyre të etnitetit tjetër”, thekson Dimovski.

Po sipas tij, tensionimi i raporteve ndëretnike, që zakonisht janë të kontrolluara nga aktorët politikë, rrezikon të ardhmen e Maqedonisë si shtet.

“Përkeqësimi i raporteve ndëretnike është shqetësues, sidomos nëse analizohet një konstantë e 5 viteve të fundit me ç’rast mosbesimi ndërmjet dy etniteteve arrin prej 79 deri në 82 për qind të të anketuarve”.

“Për fat të keq, më duhet të konstatoj se marrëdhëniet ndëretnike edhe më tej paraqesin ‘vegël’, përmes së cilës përfitojnë politikanët që të rrisin rejtingun e partisë duke mos mbajtur llogari për ndërtimin e kapaciteteve institucionale demokratike”
, nënvizon Dimovski.

Në këtë drejtim, Maliqi konsideron se qytetarët e Maqedonisë kanë shprehur pjekuri më të lartë të kulturës politike kundrejt elitave politike.

“Partitë politike me lojërat e tyre, përmes konkurrencës me rregulla jodemokratike, zhvillimeve u japin dhe kahe të krizës. Paramendojeni, në gjithë këtë situatë të papunësisë, krizës sociale, dhe njëkohësisht zhvillimet përcillen me qetësi nga ana e qytetarëve, dëshmon se brenda të gjithë qytetarëve, edhe te shqiptarët edhe te maqedonasit, ka një kapacitet të kulturës nacionale për ta ruajtur stabilitetin e shtetit - kulturë kjo që mungon tek elitat politike”, thotë Maliqi.

Ndryshe, politika e Qeverisë në raport me marrëdhëniet ndëretnike është kritikuar edhe në raportet e ndryshme institucioneve ndërkombëtare, duke u bërë thirrje në të njëjtën kohë udhëheqësve politik që të kenë kujdes të veçantë në këtë drejtim dhe njëherësh të heqin dorë nga aktivitete që mund të nxisin rritje të mosbesimit mes dy etniteteve dhe krijojnë ndasi në shoqërinë maqedonase siç është rasti me ndërtimin e projektit “Shkupi 2014”.
XS
SM
MD
LG