Ndërlidhjet

Ngecje të mëdha në dialogun me Serbinë


Edita Tahiri (Foto arkiv)

Edita Tahiri (Foto arkiv)

Serbia nuk po i zbaton marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut me Kosovën, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, deklaroi të dielën kryenegociatorja e palës kosovare në këto bisedime, Edita Tahiri.

Ajo tha se Kosova nuk ka interes që të vazhdojë tutje me bisedimet përderisa Serbia të mos i zbatojë marrëveshjet tashmë të arritura.



Nga të gjitha marrëveshjet e deritashme, Serbia po e zbaton vetëm atë për tregti dhe liri të lëvizjes, theksoi Tahiri. Sipas saj, pala kosovare ka qenë konstruktive dhe po i zbaton në tërësi marrëveshjet, por po mungon edhe vullneti i palës tjetër.

“Vlerësoj se ky proces ka ngecje të mëdha, në përgjithësi do të thosha. Me zbatime të pjesshme, me vonesa, shmangie dhe shkelje të obligimeve që janë si rezultat i mungesës së vullnetit politik të Serbisë për t’i respektuar ato. Kosova, nga ana e saj, jo vetëm që ka pasur performaca të larta në përfaqësimin e saj në dialogun teknik, por edhe i ka përmbushur të gjitha obligimet implementuese”, tha Tahiri.

Derisa fajësoi Beogradin zyrtar për moszbatim të marrëveshjeve, zëvendëskryeministrja Edita Tahiri nuk kurseu nga kritikat as Bashkimin Evropian si ndërmjetësues dhe garantues i zbatimit të marrëveshjeve.

“Përgjegjësia kryesore për moszbatim së pari bie te Serbia. Por, në anën tjetër unë mendoj se përgjegjës është edhe Bashkimi Evropian, sepse është garantues i zbatimit të marrëveshjeve. Si ndërmjetësues duhet të ushtrojë ndikimin e vet.
Ne, si Qeveri, e kemi bërë të qartë qëndrimin tonë se pa zbatimin e plotë të marrëveshjeve të dialogut teknik nuk mund të vazhdojë ky dialog dhe për një qëndrim të tillë kemi edhe mbështetjen e partnerëve ndërkombëtar”,
u shpreh Tahiri.

Ndonëse vlerësoi se shumë nga marrëveshjet janë zbatuar fare pak, apo nuk kanë filluar të zbatohen ende, kryenegociatorja Tahiri vlerësoi se dialogu që ajo ka udhëhequr në emër të Qeverisë së Kosovës, i ka sjellë vendit edhe përfitime, qoftë në proceset integruese evropiane dhe liberalizimin e vizave, apo edhe në shuarjen, siç tha ajo, të strukturave paralele të Serbisë në Kosovë.

“Pavarësisht faktit se marrëveshjet e Brukselit mbeten larg zbatimit të plotë, megjithatë dialogu teknik tashmë ka prodhuar rezultate të prekshme për shtetin tonë, si në përmirësimin e jetës së qytetarëve, ashtu edhe në avancimin e integrimeve evropiane. Për më shumë, janë shuar strukturat paralele serbe në fushën e doganave, të dokumenteve të gjendjes civile, të targave dhe pritet të shuhen ato të kadastrave e tjera”, vlerësoi Tahiri.

Paraqitja e së dielës para mediave e zëvendëskryeministres dhe koordinatores në dialogun me Serbinë, Edita Tahiri, ndodhi pas një pauze të gjatë të paraqitjeve të saj publike. Ndërsa e bëri të qartë se Brukseli vazhdon të insistojë që bisedimet e ardhshme të prekin edhe temat e mbetura në lidhje me telekomunikacionin, energjinë dhe të pagjeturit e luftës, Tahiri nuk deshi të flasë edhe për formatet tjera të dialogut në nivelin politik me Serbinë që po paralajmërohen kohët e fundit, madje edhe nga zyrtarët më të lartë të Qeverisë së Kosovës.

Ajo, po ashtu, nuk pranoi të flasë nëse do të jetë pjesë apo udhëheqëse edhe bisedimeve eventuale të cilësuara si politike, siç nuk foli për mundësinë e përfshirjes së temave të reja, siç është gjendja në veri të Kosovës në këtë dialog.

Sidoqoftë, dialogu i deritashëm ndërmjet Kosovës e Serbisë nën ndërmjetësimin e BE-së i filluar në marsin e vitit të kaluar, ka prodhuar disa marrëveshje, por të cilat, siç u vlerësua të dielën nga vetë udhëheqësja e ekipit negociator të Kosovës, kryesisht nuk janë zbatuar.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG