Ndërlidhjet

Iran: Dy ditë zie për viktimat e tërmetit

  • RFE /RL

Po vazhdojnë në veri-perëndim të Iranit aksionet ndihmëse pas një tërmeti të fuqishëm nga i cili humbën jetën mbi 300 njerëz.

Zyrtarët iranianë thanë të hënën se ka arritur në 306 numri i viktimave nga tërmeti që goditi vendin të shtunën.

Ministri i shëndetësisë, Marzie Vahid Dastjerdi, i tha parlamentit se tre mijë e 37 njerëz janë lënduar gjatë katastrofës natyrore.

Tërmeti goditi Tabrizin të shtunën, ndërsa u pasua nga disa dridhje të tjera tokësore. Në këtë rajon janë shpallur dy ditë zie.

Ministri i brendshëm, Mostafa Mohamad Naxhar, u tha gazetarëve të dielën se kanë përfunduar operacionet e kërkim-shpëtimit dhe se angazhimet janë duke u fokusuar në sigurimin e ushqimeve dhe strehës për të mbijetuarit.

Ai njoftoi se janë dëmtuar më shumë se gjysma e 600 fshatrave në zonën e prekur dhe se dhjetëra të tjera janë rrafshuar tërësisht.

Radio Farda - shërbimi iranian i Radios Evropa e Lirë - zhvilloi të dielën një bisedë telefonike me një banor të Aharit.

“Përpjekjet ndihmëse janë të mira dhe furnizimi me ushqim është më i mirë krahasuar me furnizimin me tenda, batanije dhe materiale të tjera që u nevojiten njerëzve tani".

"Pengesat në rrugën Ahar-Tabriz dhe në rrugët për në qytete të tjera kanë vonuar shpëtuesit dhe furnizimet e ndryshme. Njerëzit janë duke fjetur mbi batanije të shtrira në parqe, ndërsa kanë vënë tenda jashtë qyteteve”
, tha ai.

Kryqi i Kuq i Iranit ka siguruar gjashtë mijë tenda për 16 mijë njerëzit që kanë mbetur pa shtëpi ose që kanë frikë të kthehen nëpër shtëpitë e tyre.

Televizioni shtetëror raportoi se janë duke u shpërndarë 44 mijë pako ushqimi dhe mijëra batanije.

Raportet bënë të ditur gjithashtu për problemet me të cilat po përballen spitalet për shkak të mbingarkesës me njerëz të lënduar.

Agjencia e lajmeve AFP tha se Irani ka refuzuar ofertat për ndihmë nga shtetet tjera, duke thënë se është në gjendje të përballet vetë me gjendjen aktuale.

Sidoqoftë, agjencia ITAR-TASS njoftoi se Azerbejxhani fqinjë ka dërguar tashmë një konvoj të përbërë nga diku 25 kamionë me furnizime ndihmëse si tenda, dyshekë dhe ujë. (e.p.)
XS
SM
MD
LG