Ndërlidhjet

Financial Times: Rumania – një lëmsh ballkanik


Ilustrim

Ilustrim

Lufta për pushtet në Bukuresht e ka ringjallur debatin për zgjerimin e Bashkimit Evropian dhe ka hedhur dritë në betejën e ish-elitës komuniste për pushtet, shkruan në fillim të artikullit e përditshmja londineze “Financial Times”.

Më tutje, duke trajtuar krizën karpate, gazeta thekson se një rival i presidentit Trajan Bashesku, e ka krahasuar atë me diktatorin Nikollae Çaushesku. Por, armiku kryesor i zotit Bashesku, ish-kryeministri Adrian Nastase, e ka prejardhjen nga elita e periudhës së Çausheskut.

Në këtë kuadër “Financial Times”, e përshkruan 20 qershorin, kur policia kishte arritur në shtëpinë luksoze të Adrian Nastases, për ta dërguar atë në burg. Ish-kryeministri kishte kërkuar t’i merrte disa libra nga dhoma tjetër, por sipas raporteve, ai e kishte marrë revolen, dhe e kishte drejtuar kah koka e tij. Derisa polici kishte lëvizur për ta penguar, është dëgjuar një e shtënë, nga e cila zoti Nastase ishte plagosur në qafë.

Kjo ngjarje e kishte tronditur Rumaninë, pasi njëri nga njerëzit e mëdhenj të politikës pas-komuniste, ishte shtrirë në ambulancë.

Disa orë më herët, zoti Nastase ishte bërë ish kryeministri i parë, prej rënies së komunizmit, që ishte dënuar me dy vjet burg për korrupsion. Sipas aktivistëve kundër korrupsionit, kjo ishte kthesë e madhe: shenjë se edhe politikanët e lartë më nuk janë mbi ligjin, shkruan “Financial Times”.

Por, kampi i zotit Nastase e kishte fajësuar armikun e tij kryesor presidentin Trajan Bashesku, ndërsa rastin e kishte cilësuar të motivuar politikisht. Viktor Ponta, 39-vjeçar, socialdemokrat dhe kryeministër aktual, që Nastasen e quante mentor, ishte i pari që e kishte vizituar atë në spital, duke thënë “e pyes veten nëse tash Bashesku është i kënaqur”.

“Financial Times” në shkrimin e saj përkujton se rënia e zotit Nastase u bë në periudhën e luftës së ashpër ndërmjet aleancës së qendrës së majtë të zotit Ponta, që e udhëheq qeverinë prej muajit maj, kur u shkatërrua administrata e qendrës së djathtë, dhe presidentit.

Ponta, që ishte akuzuar për plagjiaturë të doktoratës së tij, mentor i së cilës ishte zoti Nastase, profesor i drejtësisë, e kishte akuzuar Basheskun për kultivimin e këtyre akuzave. Më vonë Bashesku shpëtoi nga referendumi për shkarkimin e tij, pasi pjesëmarrja në referendum ishte 46 për qind, pra nën 50 përqindëshin e duhur.

Kjo luftë për pushtet në Rumani tregon se si disa ish-anëtarë të bllokut lindor ende përleshen me demonët e periudhës komuniste.

Kjo krizë në Bukuresht, vijon gazet,a po ashtu, e ka ripërtërirë debatin edhe lidhur me vendimin e politizuar për pranimin e Rumanisë dhe Bullgarisë në Bashkimin Evropian, në vitin 2007, megjithëqë reformat e tyre ishin prapa tetë ish-vendeve të tjera komuniste, që u pranuan në vitin 2004.

Disa analistë thonë se këto konflikte të ashpra politike në Rumani, janë shenja se lufta kundër korrupsionit po sulmon në lidhjen ndërmjet politikës dhe parave, që e ka karakterizuar jetën pas-komuniste, veçanërisht në vendet e Ballkanit, shkruan “Financial Times”.

Përgatiti: Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG