Ndërlidhjet

Rreziku nga populizmi i Daçiqit


Poster i Ivica Daçiqit
Poster i Ivica Daçiqit

Sa është i rrezikshëm popullizmi i kryeministrit të ri të Serbisë Ivica Daçiqit dhe sa ka trashëguar ai nga politika e Milloshevqit, zëdhënës i të cilit regjim ishte vetë ai? Në rubrikën e përjavshme Ura, të udhëhequr nga Omer Karabeg i Radios Evropa e Lirë, juristë dhe politikologë flasin për figurën e Daçiqit dhe theksojnë se marrë parasysh të kaluarën e tij dhe afërsinë me regjimin e Millosheviqit, atij nuk duhet besuar deri në fund.

* * *
Kryeministri i ri i Serbisë dhe njëherësh ministër i Brendshëm, Ivica Daçiq, sipas analistëve në Serbi, është një figurë që në vend se ta çojë Serbinë përpara, ka rrezik që ta ringjallë nacionalizimin serb, si pasojë e të cilit, u shkaktuan luftërat e viteve ’90-t[ në ish-Jugosllavi, si dhe në Kosovë.

Populizmi i theksuar në fjalimet e kryetarit të Partisë Socialiste të Serbisë, sipas analistëve serbë, fsheh pas vetes edhe nacionalizmin, derisa, e kaluara e tij, si ish-zëdhënës i regjimit të Sllobodan Milloshevqit, bën që të mos i besohet deri në fund.

Vlladimir Paviçeviq, asistent në Fakultetin e Shkencave Politike në Beograd, tërheq vërejtjen për kombinimin e populizmit të tij me ideologjinë politike të nacionalizmit.

“Ai nuk e bën këtë vetëm tani kur është kryeministër, por e bëri edhe në kohën sa ishte ministër i Brendshëm në Qeverinë e mëparshme. Kur për shembull, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë dha opinionin mbi ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës, ai dërgoi një mesazh ndezës duke thënë se ata ende nuk e dinë ndoshta se nga Serbia mund të rindizet fuqia e barutit".

"Ivica Daçiç kishte ndikim të fortë në një pjesë të elektoratit, kur, gjatë heshtjes zgjedhore, vetëm pak para zgjedhjeve të fundit parlamentare, arrestoi disa shqiptarë - siç e kemi kuptuar më vonë pa ndonjë arsye, për shkak se ata u liruan pas zgjedhjeve”,
shprehet për Radion Evropa e Lirë, Paviçeviq.

Daçiq, që është trashëgimtar i partisë së Millosheviqit, ia ka dalë të hyjë në Qeveri të Serbisë për herë të parë në mandatin e kaluar, në koalicion me ish-presidentin e konsideruar si pro-evropian, Boris Tadiq.

Vesna Rakiq - Vodineliq, profesoreshë e Fakultetit të Drejtësisë në Universitetin Union në Beograd, mendon se Daçiq ia ka dalë që të fshehë fytyrën e vërtetë, si nga elektorati në Serbi, ashtu edhe nga liderët evropianë.

“Nuk ka asnjë dyshim që ai nga Millosheviqi e ka mësuar qëndrimin dhe qasjen autoritare. Në paraqitjet e tij ju mund të njihni disa nga lëvizjet e Millosheviqit, veçanërisht lëvizja e mjekrës së tij në ajër, të cilat duhet të tregojnë besim në veten dhe idetë tuaja".

"Daçiq, megjithatë, e ka kuptuar se nuk duhet që deri në fund të identifikohet me Millosheviqin - sepse është plotësisht i vetëdijshëm se çfarë ishte roli historik i Millosheviqit - por nuk bën që të ndryshojë shumë nga ai. Unë besoj se edhe evropianët sikurse votuesit tanë, kanë kujtesë të shkurtër dhe e kanë harruar të kaluarën e Daçiqit si zëdhënës i Partisë Socialiste të Serbisë nën Millosheviqin për shkak të së cilës, atij nuk duhet t’i besohet kurrë deri në fund
”, shprehet për Radion Evropa e Lirë, Rakiq-Vodineliq.

Aktualisht, Daçiq mban dy poste të rëndësishme në Qeverinë serbe, atë të kryeministrit dhe të ministrit të Policisë. Kjo shtron pyetjen nëse ai ka shumë pushtet në ekzekutiv.

“Sigurisht. Unë mendoj se ai kishte shumë pushtet edhe në qeverinë e mëparshme dhe se atë e ka fituar nëpërmjet të ashtuquajturit pajtimit historik mes Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste të Serbisë. Është e vërtetë se në asnjë vend në Evropë roli i kryeministrit nuk është i lidhur me atë të policisë”.

“Do të jetë shumë interesante të shihet tash ndeshja e dy populizmave - mendoj në populizmin e Ivica Daçiqit dhe Aleksandar Vuçiqit. Megjithatë, ajo që unë e konsideroj një pjesë shumë e rëndësishme është se ligjërimi populist i Daçiqit është një nacionalizëm i hapur. Ai këtë e ka demonstruar hapur në disa raste”,
shprehet Vesna Rakiq- Vodineliq.

Por, Vlladimir Paviçeviq druan se me këtë strukturë të re politike në Serbi, do të përsëritet historia e viteve ’90-të.

“Unë do të nxjerr në pah një tjetër gjë që unë shoh si një problem të madh. Përveç lidhjes me nacionalizmin dhe autoritarizmin, populizmi është i lidhur me një gjë shumë të rrezikshme - veprimin iracional politik. Kjo është ajo që ia kam frikën më së shumti, sepse ky iracionalitet na ka çuar në luftë gjatë të nëntëdhjetave. Unë nuk e di nëse kjo mund të përsëritet edhe tash. Me Daçiqin ne për fat të keq, edhe një herë marrim atë lloj të sjelljes në politikë që është praktikuar nga Millosheviqi”, thotë Paviçeviq.

Sikurse gjatë fushatës së fundit zgjedhore, por edhe pas saj, Daçiq është shquar për retorikën e ashpër ndaj Kosovës. Ai ka folur për kthimin e forcave serbe të sigurisë në Kosovë, derisa gjatë fushatës parazgjedhore vazhdimisht ka përsëritur se “Kosova është tokë serbe”.

Përgatiti: Albana Isufi
XS
SM
MD
LG