Ndërlidhjet

logo-print

Përfitimet nga dialogu me Serbinë


Republika e Kosovës

Republika e Kosovës

Kosova nuk ka përfituar asgjë nga procesi i bisedimeve me Serbinë, vlerësojnë përfaqësues të opozitës dhe analistë politikë.

Deklaratat e tyre i pasojnë vlerësimet e zëvendëskryeministres dhe kryenegociatores së Kosovës në bisedimet me Serbinë, Edita Tahiri, e cila tha se pavarësisht faktit që shumica e marrëveshjeve nuk po zbatohen, përfitimet politike të Kosovës, sipas saj, janë mjaft të mëdha.

“Pavarësisht, faktit se marrëveshjet e Brukselit mbeten larg zbatimit të plotë, megjithatë dialogu teknik tashmë ka prodhuar rezultate të prekshme për shtetin tonë, si në përmirësimin e jetës së qytetarëve, ashtu edhe në avancimin e integrimeve evropiane”, vlerësoi Tahiri.

Nisur nga këto vlerësime të kryenegociatores Edita Tahiri, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Skënder Hyseni mendon se vlerësime të tilla të Qeverisë dhe zyrtarëve të saj, janë për keqardhje.

“Është për keqardhje kur dëgjon deklarata të tilla, sepse e vetmja palë në këto bisedime, që janë bisedime Prishtinë Beograd e jo Kosovë - Serbi, e cila nuk ka përfituar asgjë, përkundrazi ka pësuar në disa rrafshe, është Kosova”, thotë Hyseni.

Përfitimi i vetëm nga dialogu me Serbinë për Kosovën mund të jetë fakti që pala kosovare është treguar konstruktive para bashkësisë ndërkombëtare, thotë në anën tjetër, analisti politik Ardian Arifaj.

Ndërkaq, në rrafshet tjera, ai nuk sheh ndonjë përfitim, siç pretendon qeveria aktuale.
I tërë procesi ka qenë negativ, sepse Kosova ka humbur më shumë sesa që ka fituar...

“I tërë procesi ka qenë negativ, sepse Kosova ka humbur më shumë sesa që ka fituar. Ka humbur, sepse ka hapur derën e bisedimeve pa qenë e gatshme për bisedime dhe çka është më e rëndësishme, ia ka hapur derën rrezikut që tash bisedimet, temat të zgjerohen më shumë dhe të përfshihen aty tema që nuk e kanë vendin e vet në këtë dialog”, thekson Arifaj.

Gjatë një prezantimi të arritjeve dhe ngecjeve në dialogun me Serbinë, zëvendëskryeministrja Edita Tahiri fajësoi jo vetëm Serbinë, por edhe BE-në për moszbatimin e konkluzioneve. Ajo tha se nuk e sheh veten përgjegjëse për fajin e palës tjetër.

Bisedimet Prishtinë - Beograd, në Bruksel...

Bisedimet Prishtinë - Beograd, në Bruksel...


“Jemi përgjegjës ndaj qytetarëve dhe japim llogaridhënie. Mirëpo, dështimet e Serbisë adresohen te Serbia dhe unë ftova BE-në, që si palë e tretë ka obligim që t’i rrisë angazhimet për t’i bërë presion Serbisë që t’i plotësojë obligimet implementuese”, deklaroi Tahiri.

Mirëpo, deputeti opozitar nga radhët e LDK-së, Skënder Hyseni, mendon se Qeveria dhe kryenegociatorja Edita Tahiri mbajnë përgjegjësi për moszbatimin e konkluzioneve të dialogut me Serbinë, pasi që opozita në vazhdimësi i ka tërhequr vërejtjen se rezultatet e bisedimeve me Serbinë nuk do të zbatohen.
Është ditur që nga fillimi se këto janë marrëveshje të pazbatueshme...

“Është ditur që nga fillimi se këto janë marrëveshje të pazbatueshme dhe nëse Qeveria e Kosovës nuk e ka ditur këtë, është akoma më përgjegjëse dhe është akoma më për keqardhje nëse nuk e ka ditur që këto marrëveshje janë të pazbatueshme, sepse ato janë dizajnuar që të mos zbatohen dhe janë dizajnuar që ta ndihmojnë Serbinë ta fitojë statusin e kandidatit për në BE”, thotë Hyseni.

Bisedimet Prishtinë - Beograd të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian kanë filluar në mars të vitit të kaluar dhe kanë prodhuar shtatë konkluzione në formë marrëveshjesh, por të panënshkruara nga palët.

Nga këto konkluzione, sipas Qeverisë së Kosovës pala serbe po e zbaton vetëm atë të tregtisë dhe lëvizjes së lirë, kurse ka ngecje totale në zbatimin e gjashtë marrëveshjeve tjera.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG