Ndërlidhjet

Skepticizëm për përmbushjen e kritereve për liberalizim


Ilustrim

Ilustrim


Përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës vazhdojnë të përsërisin se janë duke punuar me ritëm të shpejtë për përmbushjen e kritereve të kërkuara nga Bashkimi Evropian për liberalizimin e vizave. Ata së fundi janë shprehur optimistë se qytetarët kosovarë gjatë vitit 2013, do të mund të lëvizin lirshëm në vendet e zonës Shengen.

Mirëpo, ekspertët e integrimeve evropiane konsiderojnë se liberalizimi i vizave për kosovarët vështirë se mund të ndodhë gjatë vitit 2013.

Eksperti për integrime evropiane, Shenoll Muharremi, thotë për Radion Evropa e Lirë se deklaratat e politikanëve kosovarë për çështjen e liberalizimit për vite me radhë kanë qenë më shumë politike sesa që kanë pasqyruar realitetin në këtë drejtim.



Muharremi deklaron se aktualisht nuk mund të flitet për zbatimin e kritereve në afat rekord, meqë Kosova ka ende shumë sfida para vetes.

Shenoll Muharremi

Shenoll Muharremi

“Është herët të gjykohet në këtë moment nëse do të lëvizim lirshëm në vitin 2013. Duke pasur parasysh dinamikën e vendeve të rajonit prej momentit kur kanë filluar dialogun për liberalizim të vizave, nëse një gjë e tillë do të ndodhte në pjesën e parë të vitit 2014, unë mendoj se do të ishte një ‘scenario’ pozitive për Kosovën”, vlerëson Muharremi.

Kriteret e udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave përfshijnë reformat, të cilat do të duhet t’i implementojë Qeveria e Kosovës, për të krijuar një mjedis të sigurt për të udhëtuar pa viza.

Edhe njohësi tjetër i integrimeve evropiane, Emrush Ujkani, ligjërues i së Drejtës Evropiane në njërin nga universitetet private në Prishtinë, thekson se udhëtimi pa viza për kosovarët varet nga angazhimi i Qeverisë për plotësimin e kushteve të kërkuara nga BE-ja.
Personalisht, nuk e besoj që qytetarët e Kosovës do të mund të lëvizin kah fundi i vitit të ardhshëm në Shengen të bardhë...

“Personalisht, nuk e besoj që qytetarët e Kosovës do të mund të lëvizin kah fundi i vitit të ardhshëm në Shengen të bardhë, për arsye se varet nga dy aspekte shumë të rëndësishme".

"E para kemi shumë punë për të bërë brenda, dhe dyta është se mos të harrojmë se vendim-marrja në BE merr një kohë bukur të gjatë. Prandaj, mendoj se duhet një kohë më e gjatë sesa viti i ardhshëm
”, konsideron Ujkani.

Në procesin e liberalizimit të vizave, Kosova ka mbetur tashmë vendi i fundit në rajon, gjë që nga zyrtarët në Prishtinë, ky proces është arsyetuar me faktin se Kosova është shteti më i ri në Evropë.

Reformat për integrimin e Kosovës në Bashkimin Evropian nuk mund të zbatohen në mënyrë deklarative, por duhet të shndërrohen në prioritete gjithë-institucionale, thotë eksperti Muharremi. Siç shprehet ai, ndër sfidat më kryesore në këtë rrafsh, janë ripranimi dhe integrimi i qytetarëve kosovarë, të cilët aktualisht jetojnë në shtete të ndryshme evropiane.

“Faktikisht, çështja e marrëveshjeve për riatdhesim- ripranim dhe çështja e riintegrimit të qëndrueshëm, janë dy çështje më kritike”, thotë Muharremi.

Për ekspertin Ujkani, çështja e reformave në dokumente të gjendjes civile, korrupsioni, e në veçanti problemi i veriut të Kosovës, janë disa nga sfidat më të mëdha në drejtim të liberalizmit të vizave.

“Çështja e territorit në veri të Kosovës në një farë mënyre është peng ku atje zhvillohen veprime të ekonomisë joformale, ka kriminalitet dhe ekzistojnë struktura paralele, ky është një aspekt më vete, po të cilin shumë pak po e marrim në konsideratë. Dhe, e dyta, është te procesi i vendimmarrjes në nivel të BE-së, do të thosha se të gjitha vendet që nuk e kanë njohur Kosovën, do të mund ta mbështesin një vendim të tillë - unë kam njëfarë skepticizmi në këtë drejtim”, thekson Ujkani.

Kosova dhe qytetarët e saj thuhet se aktualisht mbeten më të izoluarit në Evropë, sa i përket lirisë së lëvizjes.

Ekspertët thonë së institucionet kosovare duhet të bëjnë më shumë në ngritjen ekonomike të vendit, në mënyrë që, siç thonë ata, riintegrimi i qytetarëve të jetë më i lehtë.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG