Ndërlidhjet

Rebelët sirianë marrin përgjegjësinë për rrëzimin e aeroplanit

  • RFE /RL

Mediat shtetërore në Siri kanë raportuar për rrëzimin e një aeroplani luftarak, vetëm disa orë pasi rebelët kanë thënë se kanë sulmuar një avion në të njëjtën zonë.

Sipas kanalit TV Siria, aeroplani është rrëzuar “për shkak të problemeve teknike, gjatë një misioni të rregullt stërvitës”.

Në ndërkohë, aktivistët sirianë kanë publikuar një video, në të cilën ata tregojnë një avion luftarak, prodhim sovjetik, të përfshirë nga flakët dhe të rrëzuar në provincën Deir el-Zour.

Zëdhënësi i Ushtrisë së Lirë Siriane, Kasem Sadedin, ka thënë se aeroplani është goditur me “mitraloz”.

Nëse pretendimet e rebelëve vërtetohen si të sakta, incidenti mund të shkaktojë përshkallëzim të konfliktit.

Ai ndodh në ditën kur një diplomat sirian, i cili punonte për Kombet e Bashkuara në Gjenevë, ka konfirmuar largimin e tij.

Dani al-Baj, njëri nga diplomatët e parë sirianë në Evropë që braktis regjimin e presidentit Bashar al-Asad, ka thënë se nuk mund të bëjë asgjë për popullin e Sirisë.

Al-Baj, i cili ka bërë publike dorëheqjen e tij të premten e kaluar, ka thënë se ka planifikuar dezertimin për kohë të gjatë dhe se ka qenë në kontakt me një grup opozitar të Sirisë, me seli në Paris.

Në anën tjetër, shefja për Ndihma Humanitare e Kombeve të Bashkuara, Valeri Amos, ka bërë të ditur se do të vizitojë Sirinë dhe Libanin, nga data 14 deri më 16 gusht, për shkak të shqetësimeve në rritje për “përkeqësimin e situatës humanitare”.

Amos do të hetojë efektet e konfliktit të gjatë sirian te civilët që kanë mbetur në Siri dhe tek ata që janë larguar në vendet fqinje, siç është Libani.

Ajo pret të takohet me zyrtarët sirianë dhe ata të Gjysmëhënës së Kuqe të Sirisë.

Sipas Kombeve të Bashkuara, rreth dy milionë civilë janë prekur nga kriza dhe më shumë se një milion të tjerë janë zhvendosur brenda vendit.

Shefi i misionit monitorues të OKB-së në Siri, Babakar Gej, gjatë një konference për gazetarë në Damask, ka shprehur shqetësimet për viktimat civile.

“Është e qartë se dhuna është në rritje në shumë pjesë të Sirisë. Përdorimi i armëve të rënda nga qeveria dhe sulmet e shënjestruara të opozitës janë duke shkaktuar situatë të rëndë për civilët e pafajshëm”, ka thënë Gej.

Po sot, presidenti i Iranit, Mahmud Ahmadinexhad, ka arritur në Arabinë Saudite, në prag të një samiti për konfliktin sirian, për të cilin Teherani dhe Riadi janë pozicionuar në anë të kundërta.

Samiti i Organizatës për Bashkëpunim Islamik do të zërë vend më 14 dhe 15 gusht në qytetin e shenjtë të Mekës.

Arabia Saudite ka mbështetur rebelët sunitë në luftën e tyre për të rrëzuar regjimin e Asadit, të dominuar me shiitë. Irani, një vend me shumicë shiite, është aleati më i madh i presidentit sirian. Ai i ka premtuar mbështetje të plotë Asadit, ndonëse mohon se i siguron ushtarë apo armë.

Teherani, në anën tjetër, akuzon Arabinë Saudite se ndihmon në armatosjen dhe financimin e kryengritësve rebelë.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG