Ndërlidhjet

Irani pendohet-pranon ndihmë


Njerëz që kanë mbetur pa strehë si pasojë e tërmetit
Njerëz që kanë mbetur pa strehë si pasojë e tërmetit
Irani bëri të ditur të martën se është i gatshëm të pranojë ndihma nga jashtë vendit, duke i zhbërë zotimet se nuk do të pranojë asistencë ndërkombëtare pas tërmetit nga i cili humbën jetën më se 300 njerëz.

“Irani është tani i gatshëm të pranojë ndihma të huaja për viktimat e tërmetit”, i tha zëvendëspresidenti, Mohamad Reza Rahimi agjencisë zyrtare të lajmeve IRNA.

Tërmetet goditën pjesën veri-perëndimore të vendit të shtunën me 6.3 dhe 6.4 shkallë të Rihterit.

Irani fillimisht kundërshtoi ofertat për ndihmë nga jashtë duke thënë se është në gjendje që ta menaxhojë vet situatën.

Në ndërkohë, janë rritur pasojat e katastrofës natyrore; agjencia e lajmeve Fars raportoi se gjatë kërkimeve është rritur numri i trupave të pajetë që janë gjetur në fshatrat e goditur.

Autoritetet iraniane njoftuan, një ditë më parë, se kanë ndërprerë aksionet e kërkim-shpëtimit dhe se po fokusohen në ofrimin e ushqimit dhe të strehës për viktimat.

Sipas të dhënave zyrtare, mbi 300 njerëz kanë humbur jetën, mbi dy mijë janë dërguar për trajtim në spital-në mesin e të cilëve diku 500 kanë marrë lëndime më serioze.

Mbi 30 mijë njerëz, ndërkaq, kanë mbetur pa shtëpi si pasojë e ngjarjeve të fundjavës.
XS
SM
MD
LG