Ndërlidhjet

Ku do të çojnë vendimet kategorike të Morsit?


Muhamed Morsi

Muhamed Morsi


Presidenti i Egjiptit, Muhamed Morsi, ditë më parë, ka pensionuar dy gjeneralë të lartë të shtetit. Duke folur pas zëvendësimit të kreut të forcave të armatosura, Muhamed Husein Tantavi, dhe shefit të shtabit, Sami Anan, presidenti ka lavdëruar ushtrinë dhe ka thënë se ajo do të përqendrohet “në misionin e shenjtë të mbrojtjes së shtetit”.

Por, si e shohin analistët një hap të tillë të presidentit egjiptian?

“Mendoj se është një veprim i madh kundër rolit të ushtrisë në politikën e Egjiptit. Është një veprim që reflekton marrjen e pushtetit nga Morsi kundër dy figurave kyçe në Këshillin Suprem të Forcave të Armatosura, të cilat kanë pasur rol shumë të rëndësishëm në periudhën e tranzicionit. Dhe, është një veprim që ka ndodhur më shpejt sesa që është pritur”, thotë Maha Azan analiste në Institutin “Chatam House” të Londrës.

Këshilli Ushtarak i Egjiptit ka udhëhequr vendin që nga rënia e ish-presidentit Hosni Mubarak në revoltën popullore të vitit të kaluar. Organi i lartë i ushtrisë ka pasur fuqi ekzekutive shtetërore deri në shpalljen fitues të Morsit.

Ky i fundit tashmë ka shfuqizuar edhe disa amendamente të Kushtetutës, që i jepnin ushtrisë kompetenca të gjera.

Marrëdhëniet mes ushtrisë dhe Vëllazërisë Myslimane - parti prej nga vjen Morsi - kanë qenë jo të mira që nga rrëzimi i sunduesit veteran. Në zgjedhjet presidenciale të qershorit, ushtria ka favorizuar rivalin e Morsit, Ahmed Shafik, i cili ka qenë kryeministri i fundit i regjimit të kaluar.

Dhe, marrë parasysh se Morsi është islamiku i parë që udhëheq Egjiptin, Azan thotë se partitë laike kanë nisur të shqetësohen me popullaritetin e tij në rritje, ndonëse mirëpresin largimin e krerëve ushtarakë.

“Është diçka që, në njëfarë mënyre, i vë në dilemë, sepse forcat laike dhe politike kanë kërkuar që Tantavi dhe Këshilli Ushtarak të largohen. Pra, në njërën anë, ato do të mirëpresin largimin e tij, por, në anën tjetër, ato janë të shqetësuara për rrëmbimin e autoritetit nga Morsi dhe rritjen e popullaritetit të tij në shoqëri me veprime të tilla”, thotë Azan.

Ajo supozon se shkarkimet e zyrtarëve ushtarakë kanë lidhje edhe me situatën në Gadishullin Sinai.

“Ne vetëm mund të hamendësojmë, por duket se vrasjet e rojeve kufitare kanë forcuar qëndrimin e presidentit Morsi, sepse ai është ndjerë nën presion për të vepruar dhe për të vepruar shpejt. Dhe, ata ushtarakë që kanë dështuar të mbrojnë sigurinë e Sianit, në njëfarë mënyre duhet të largohen. Andaj, situata është trajtuar shpejt dhe ai ka marrë avantazh politik nga ajo”, thekson Azan.

Ditë më parë, në Sinai të Egjiptit janë vrarë 16 roje kufiri, ndërsa autoritetet dyshojnë se sulmet janë kryer nga militantët islamistë.

Nisur nga këto dhe zhvillimet e fundit, analistja Azan thotë se Egjipti ka në krye një president të gatshëm për të qenë kategorik. Sipas saj, mbetet për t’u parë se deri në çfarë mase do të arrijë konsensus Morsi, i cili ka premtuar se do të jetë president i të gjithë egjiptianëve.(v.t.)
XS
SM
MD
LG