Ndërlidhjet

Asad kontrollon vetëm 30% të Sirisë


 Rijad Hixhab
Rijad Hixhab
Ish-kryeministri sirian, Rijad Hixhab, i cili dezertoi nga regjimi dhe iku për në Jordani javën e kaluar tha se regjimi i presidentit, Bashar Al Asad, po kontrollon 30 për qind të territorit.

Në paraqitjen e parë publike që kur iku nga Siria, Hixhab tha se regjimi i Asadit është duke përjetuar një kolaps “moral, financiar dhe ushtarak”.

“Ju siguroj se nga përvoja ime dhe pozicioni që e kam pasur, regjimi është duke përjetuar kolaps psikologjik, financiar dhe ekonomik në aksionet e pushtetit ushtarak. Ai kontrollon vetëm 30 për qind të tokës siriane”, ka thënë Hixhab.

Ai e quajti regjimin e Asadit “armik të Zotit” dhe iu bëri thirrje ushtarëve të qeverisë dhe zyrtarëve që të dezertojnë dhe t’iu bashkohen kryengritësve.

“Ua përkujtoj betimin që e keni dhënë kur jeni regjistruar në armatë. Pse do t’i mbani armët tuaja - të mbroni popullin tuaj, apo ta vrisni? Jam i sigurt se ju do të rreshtoheni pranë popullit, do të mbroni vendet tuaja të shenjta, tokën dhe gjakun e popullit tuaj”, ka thënë Hixhab.

Zyrtari më i lartë që dezertoi nga Qeveria e Sirisë, tha se është ndjerë i “pafuqishëm” dhe nuk ka mundur edhe më tej që ta mbështesë Asadin, sepse presidenti sirian nuk ka pasur gjithashtu mundësi të ndalë luftimet.

Shtetet e Bashkuara të martën kanë hequr sanksionet kundër Hixhabit, duke shkrirë asetet e tij dhe kanë kërkuar që edhe individët tjerë ta braktisin regjimin e Asadit.

Ndërkohë, shefja për çështje humanitare në OKB, Valeri Amos, ka arritur në Damask për të diskutuar përkeqësimin e situatës për civilët e zënë ose të zhvendosur si pasojë e luftimeve.

OKB-ja tha se më shumë se 150 mijë sirianë janë refugjatë në vendet fqinje dhe 1.5 milionë të zhvendosur brenda Sirisë.

Ndërkohë, Boutaina Shaban, e dërguara speciale e Asadit ka arritur të martën në Kinë.
Ajo pritet të takohet me ministrin e Jashtëm, Jang Jieçi, si pjesë e përpjekjeve të Kinës për të “promovuar zgjidhje politike” për Sirinë.

Kina dhe Rusia në vazhdimësi i kanë bllokuar sanksionet e ashpra të Këshillit të Sigurimit kundër Sirisë.

Me gjithë mbështetjen nga Moska dhe Pekini, shumë vende myslimane kanë vazhduar të bëjnë thirrje që Asad ta dorëzojë pushtetin.

Organizata për Bashkëpunim Islamik, e përbërë nga 57 vende anëtare, pritet të zhvillojë një samit në qytetin e shenjtë të Mekës, ku në krye të agjendës pritet të jetë pezullimi i anëtarësimit të Sirisë nga kjo organizatë.

Në terren, në Siri kanë vazhduar luftimet në Alepo, derisa kryengritësit janë përpjekur që të ruajnë fitoret e arritura në qytetin më të madh të vendit në muajin e kaluar.

Forcat e qeverisë siriane kanë nisur një ofensivë pasi që kanë dërguar rreth 20 mijë trupa rreth Alepos.

Aktivistët sirianë thanë se më shumë se 20 mijë njerëz janë vrarë në Siri që kur nisën protestat në mars të vitit 2011. (a.i.)
XS
SM
MD
LG