Ndërlidhjet

Pentagoni hedh poshtë zonën e ndalim-fluturimit mbi Siri


Shpërthim i fuqishëm në Damask
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:00:46 0:00

Shpërthim i fuqishëm në Damask

Një shpërthim i fuqishëm ka ndodhur sot pranë një ndërtese ushtarake në Damask, e cila është edhe pranë hotelit ku qëndrojnë monitoruesit e Kombeve të Bashkuara.

Televizioni shtetëror ka thënë se shpërthimi është shkaktuar nga bomba dhe se disa persona janë plagosur. Ai ka transmetuar pamje të disa makinave dhe të një kamioni duke u djegur. Burimet e OKB-së kanë qenë të pakapshme për të konfirmuar rastin.

Zëvendësministri i jashtëm sirian, Faisal al-Mokdad, ka thënë se vëzhguesit ndërkombëtarë nuk kanë pësuar lëndime.

Sipas televizionit Al-Arabia, me seli në Dubai, dhe Agjencisë France Press, Ushtria e Lirë Siriane ka marrë përgjegjësinë për sulmin.

Një shpërthim i ngjashëm në një ndërtesë të sigurisë në Damask, i cili ka ndodhur më 18 korrik, ka vrarë disa shefa të lartë të sigurisë.

Ndryshe, në Mekë, po zhvillon punimet samiti i Organizatës për Bashkëpunim Islamik, e cila pritet të pezullojë Sirinë nga grupi. Irani kundërshton ashpër një zhvillim të tillë.

Gjesti simbolik pritet të rrisë presionin ndaj Damaskut, për shkak të shtypjes vdekjeprurëse të protestuesve që kundërshtojnë regjimin.

Draft-deklarata e siguruar nga AFP-ja thotë se samiti “miraton pezullimin e anëtarësisë së Sirisë”. Ajo pritet të miratohet më vonë, kur liderët të rimblidhen.

Në anën tjetër, Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Leon Paneta, ka sugjeruar se Pentagoni nuk është duke konsideruar seriozisht zonën e ndalim-fluturimit mbi Siri.

Komentet e tij në Uashington vijnë në mesin e raporteve në rritje për sulme ajrore të Qeverisë siriane mbi forcat rebele.

Paneta ka thënë se fokusi i tij është të sigurojë se armët kimike dhe biologjike të Sirisë ndodhen në vende të sigurta.

Ai po ashtu ka akuzuar Iranin se luan rol të madh në konfliktin e Sirisë, duke përfshirë përpjekjet për të trajnuar një milici, e cila do të luftonte përkrah forcave të presidentit Bashar al-Asad.
Leon Paneta
Leon Paneta

“Ne po shohim prezencë në rritje të Iranit dhe ky është një shqetësim i madh për ne. Ne nuk mendojmë se Irani duhet të luajë rolin e tillë në këtë moment. Ai është i rrezikshëm".

"Ai shton vrasjet që po ndodhin në Siri dhe bën përpjekje të mbështesë regjimin, për të cilin ne mendojmë se duhet të bie. E gjithë kjo që po bën, është që të zgjasë mjerimin e popullit sirian”,
ka thënë Paneta.

Shefi i shtabit të përgjithshëm të ushtrisë amerikane, gjenerali Martin Dempsej, ka thënë se Teherani përpiqet të largojë presionin nga forcat ushtarake të regjimit.

“Me sanksionet dhe presionet e tjera, ushtria siriane ka probleme të rifurnizimit. Ajo ka probleme morale dhe do të përjetojë lodhje nga lufta kaq e gjatë".

"Andaj, mendoj se kjo është arsyeja përse Irani po vepron për të formuar këtë polici – pra, për të tërhequr pak presion nga ushtria siriane”,
ka thënë Dempsej.

Irani ka mbështetur vazhdimisht Asadin në përpjekjet e tij për të shtypur rebelimin brenda Sirisë. Aleate të fuqishme të regjimit kanë qëndruar edhe Rusia dhe Kina, të cilat u kanë vënë veto rezolutave të Këshillit të Sigurimit të OKB-së kundër dhunës në Siri.

Përgatiti Valona Tela
XS
SM
MD
LG