Ndërlidhjet

WP: Eurozona rrëshqet kah recesioni


Ilustrim

Ilustrim

Ekonomia evropiane gjatë tre muajve të kaluar është tkurrur, për shkak të rritjes së ngadalshme gjermane dhe kushteve të agonisë ekonomike në Francë.

Rënia prej 0.2% në periudhën prill-qershor, përfshin vendet e hapësirës euro, që është një bashkimin monetar i rrezikuar nga borxhi qeveritar dhe kriza e bankave, dhe Bashkimin Evropian, me 27 shtete, një rajon që është në thelb të botës së industrializuar dhe treg kryesor për prodhimet dhe shërbimet e Shteteve të Bashkuara, shkruan në fillim të artikullit e përditshmja “Washington Post”.

Përderisa rritja në Shtetet e Bashkuara është ngadalësuar, eksporti në Evropë po përparon në krahasim me vitin e kaluar dhe një kërcim i papritur i shitjes me pakicë në korrik, e ka dhënë një shpresë se ekonomitë e shtëpive në Shtetet e Bashkuara mund ta forcojnë kontributin e tyre në zgjerimin e vakët të vendit, shkruan gazeta dhe përkujton se të dhënat e reja për inflacion, që do të publikohen të mërkurën, munden, po ashtu, të ndihmojnë në përcaktimin nëse Rezervat Federale të Shteteve të Bashkuara duhet të ndërmarrin më tepër hapa për ta nxitur rritjen.

Por, të dhënat e fundit nga Evropa duket se e konfirmojmë atë se rajoni, e veçanërisht, Eurozona, po hyn në recesion të thellë të dyfishtë, që është një rënie e re, e cila po formohet para shërimit të plagëve nga kriza e 2008-s.

Kjo do ta bëjë më të vështirë që vendet ta frenojnë shpenzimin publik, i cili tashmë është i nivelit të lartë, dhe për bankat që të merren me sasi në rritje të kredive të këqija, dhe me gjasë, do të jetë më vështirë për vendet e fuqishme si Gjermania, për t’i mbështetur ndihmat e ndryshme dhe fondet e krizës, pa pasur efekt në pozitën e saj në tregjet botërore, thekson “Washington Post”.

Duke paralajmëruar se gjatë javëve të ardhshme priten vendime kritike për strategjinë e luftimit të krizës nga Gjykata Kushtetues e Gjermanisë dhe nga Banka Qendrore Evropiane, që aktualisht ka pohuar se është e gatshme të bëjë më tepër për t’i parandaluar shtetet e mëdha, si Spanja dhe Italia, nga kërkimi i ndihmave të plota, gazeta shkruan se, duke gjykuar nga gjendja e ekonomisë së rajonit, kjo mund të jetë rruga e vetme për t’iu shmangur problemeve edhe më të mëdha në muajt e ardhshëm.

“Pamja e madhe është se rritja ekonomike e kërkuar për ta përfunduar krizën e borxheve të rajonit ende nuk është askund në horizont”, shkruan në një analizë, Xhonatan Loajns, ekonomisti kryesor evropian në kompaninë e konsultingut “Capital Economics”.

Zyrtarët evropianë kanë punuar shumë tash e një vit, për t’i parandaluar Spanjën dhe Italinë, që të mos u duhet ndihma e jashtme dhe kanë argumentuar se krijimi i thjeshtë i fondeve të ndryshme të kredive, do t’i risiguronte investitorët ndërkombëtarë.

Por, sipas gazetës “Washington Post”, ky argument është dukur gjithnjë e më pak i besueshëm. Madje, edhe Banka Qendrore Evropiane pati thënë se do ta ndihmojë Spanjën, vetëm nëse së pari i shfrytëzon fondet evropiane ekzistuese dhe premton se do t’i respektojë kushtet që e shoqërojnë programin e ndihmës.

Aktualisht, një pjesë e madhe e Eurozonës, përfshirë Spanjën, tashmë është në recesion, që në përgjithësi definohet si tkurrje në dy periudha tremujore të njëpasnjëshme.

Rajoni ka flirtuar me të prej vitit të kaluar, me ç’rast ishte regjistruar tkurrje e vogël në fund të vitit 2011, para se të shënohej rritja 0 për qind, ndërmjet janarit dhe marsit.

Por, rëniet e ashpra në Spanjë, Itali dhe kudo tjetër, e kanë shtyrë Eurozonën në territor negativ nga prilli në qershor, dhe kishte pritje të vogla se trendi do të mund të ndryshojë së shpejti.

Prodhimi industrial evropian e ka vazhduar uljen njëvjeçare, ka raportuar Eurostati, ndërsa matja e besimit biznesor të Gjermanisë, është zhytur në një indikacion se investitorët në fuqinë ekonomike të rajonit presin që kushtet të përkeqësohen.

Më gjerësisht në Bashkimin Evropian, rezultatet e varfra aktuale nga Britania kanë kontribuuar në uljen e rezultateve rajonale.

Ekonomia britanike është tkurrur më shpejtë se sa që është pritur në 0.7 për qind në tremujorin e dytë dhe ka qenë në tkurrje për nëntë muaj.

Të dhënat e së martës, vijon e përditshmja “Washington Post”, kanë mund të jenë edhe më të këqija. Disa analistë kanë pritur që edhe ekonomia franceze të tkurret, por Parisi e menaxhoi që rritja në tri periudha të njëpasnjëshme tremujore të jetë 0 për qind.

Shkalla e rritjes prej 0.3 për qind e Gjermanisë në periudhën tremujore, po ashtu ishte më e shpejtë se sa parashihej.

Madje, edhe Greqia e realizoi një lajm të mirë, që e ndihmoi rritjen e bursave në Evropë dhe në Shtetet e Bashkuara. Greqia me sukses kishte shitur më tepër se 5 miliardë dollarë pagesa afat-shkurtra të thesarit, që do ta lejojnë atë që më vonë, këtë muaj, të bëjë pagesa me flet-obligacione.

Këto zhvillime e riafirmojnë ndjenjën se në rajonin e Eurozonës vazhdon ndarja në bërthamën relativisht të shëndoshë dhe një grup të vendeve “periferike” , ku përfundimisht mund të përfshihet edhe Franca, ekonomia e dytë më e madhe e rajonit, shkruan “Washington Post”.

Shkrimin e plotë mund ta lexoni këtu.
Përgatiti: Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG