Ndërlidhjet

Analistët: Dyfytyrësia e koalicionit qeverisës


 Fatmir Besimi
Fatmir Besimi

Distancimin e Qeverisë së Maqedonisë, Shtatmadhorisë së Armatës së Republikës së Maqedonisë dhe partisë maqedonase në pushtet VMRO DPMNE, nga veprimi i ministrit të Mbrojtjes Fatmir Besimi, i cili me rastin e 11-vjetorit të Marrëveshjes së Ohrit, u përkul para varrezave të dëshmorëve të UÇK-së në Slupçan të Kumanovës, analistët politikë e cilësojnë si dyfytyrësi mes partnerëve të koalicionit qeverisës.

Mospasja e një këndvështrimi të njëjtë mes partnerëve të koalicionit qeverisës, VMRO DPMNE dhe BDI, sa i përket realitetit në Maqedoni, flet qartë se të dy partitë kultivojnë një diskurs nacionalist për qëllime politike dhe jo në funksion të interesave shtetërore, thekson analisti politik nga Tetova, Alajdin Demiri.

“Në të vërtetë nuk kanë një vlerë pozitive këto veprime ndaj shtetësisë dhe ndaj konstruktivitetit të politikës. Në fakt, e sqarojnë deri në fund edhe pozitën e luftës që u bë më 2001, pozitën e Marrëveshjes së Ohrit si dhe pozitën e paqes. Që do të thotë se nuk u lexua, nuk u analizua dhe nuk vlerësohet esenca e luftës, por u la përshtypja se të gjithë fituan, askush nuk humbi dhe kjo dyfytyrësi sot paraqitet si një sukses”, vlerëson Demiri, ligjërues në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë.

Derisa për Mirjana Najcevskën, aktiviste për të drejtat e njeriut, divergjencat mes partnerëve të koalicionit qeverisës sa i përket ndërtimit të realiteteve të ndryshme mes shqiptarëve dhe maqedonasve dhe jo ndërtimi i vlerave të përbashkëta, duke filluar nga udhëheqësit politikë dëshmon se në Maqedoni ka probleme serioze me ndërtimin e sistemit juridik të shtetit.

“Tregu politik, marrëveshjet politike, dallimet mes partnerëve të koalicionit qeverisës në situata të këtilla nxjerrin në pah interesat partiake dhe jo interesat strategjike, për të cilat duhet të angazhohen politikë-bërësit kundrejt realitetit të hidhur - të mbledhjes së pikëve politike nga ana e politikë-bërësve nga situata të caktuara siç është rasti i fundit i veprimit të ministrit të Mbrojtjes, në njërën anë. Dhe, anën tjetër, kemi të bëjmë me reagimin e drejtuesve të institucioneve dhe Qeverisë në përgjithësi”, thekson Najcevska duke shtuar se qytetarët bëhen pre e manipulimeve politike që zakonisht vjen në shprehje para zgjedhjeve.

Nga ana tjetër, Demiri konsideron se kundrejt faktit se kritikohen veprimet mes zyrtarëve të lartë, pjesë e Qeverisë, mes VMRO DPMNE-së dhe BDI-së, realisht nuk ka mosmarrëveshje reale.

“Këto dy parti (BDI dhe VMRO-DPMNE) janë të ushtruara dhe siç duket ata kanë marrëveshje se kështu do të veprojmë para opinionit. Do të thotë ndërtojnë një politikë para opinionit tuaj ose tonë, shqiptar ose maqedonas, dhe mes nesh do të kemi një politikë tjetër- ajo që do të jetë zyrtare. Unë realisht nuk besoj se ka përçarje më të thellë mes BDI-së dhe VMRO DPMNE-së. E vetmja alternativë mbetet ushtrimi i dyfytyrësisë ndaj elektoratit”, konsideron Demiri.

Ndryshe, përkulja para përmendores së dëshmorëve të UÇK-së në Sllupçan për Ministrinë e Mbrojtjes të udhëhequr nga Fatmir Besimi, paraqet vendim politik si dhe nuk shkelet asnjë dispozitë ligjore.

“Ndërtimi i besimit bazohet në respekt të ndërsjellë. Sinqerisht më vjen keq që nuk është kuptuar plotësisht kjo përpjekje për pajtim në frymën e Marrëveshjes së Ohrit, që është pjesë e Kushtetutës, dhe kjo është shumë me rëndësi për ardhmërinë dhe prosperitetin e Republikës Maqedonisë”, sqaron ministri i Mbrojtjes, Fatmir Besimi.

Nga ana tjetër, Qeveria e Maqedonisë thotë se nuk ka marrë vendim për shënimin zyrtar të ngjarjes, e cila u mbajt në Sllupçan në varrezat e dëshmorëve të UÇK-së, e as nuk ka dërguar delegacion qeveritar në këtë ngjarje.

Ndërkohë, VMRO-DPMNE, e udhëhequr nga kryeministri Nikolla Gruevski, thekson se kjo parti nuk është dakord me aktin e vendosjes së luleve në monumentin e UÇK-së, në fshatin Sllupçan, në prani të pjesëtarëve të uniformuar të mbrojtjes së Maqedonisë.

Po sipas Partisë së kryeministrit Nikolla Gruevskit, këto ngjarje nuk çojnë në rritjen e besimit mes qytetarëve të Maqedonisë.
XS
SM
MD
LG