Ndërlidhjet

Ndërron jetë Arbën Xhaferi


Arbën Xhaferi (i pari)

Arbën Xhaferi (i pari)

Pas një sëmundjeje të rëndë, në orët e pasdites ka ndërruar jetë ish-lideri i PDSH-së, Arbën Xhaferi, në Klinikën Neurokirurgjike të Shkupit, ku ishte dërguar para 7 ditësh pas një goditjeje në tru që pësoi derisa qëndronte në banesën e tij në Tetovë.

Nga Klinika kumtuan se Arbën Xhaferi ka pasur trajtim të posaçëm dhe ishin ndërmarrë të gjitha masat, mirëpo nuk i bëri ballë sulmit të hemorragjisë cerebrale, si pasojë e së cilës ndërroi jetë.

“Si rezultat i përkeqësimit sekondar, një ditë më parë, edhe përkundër të gjitha përpjekjeve të ekipit të mjekëve dhe ekipit profesionist, zotëri Arbën Xhaferi ndërroi jetë sot në ora 15:50 minuta”,ka bërë të ditur Vlladimir Mirçevski, mjek.

Ndërkohë, PDSH-ja ka bërë të ditur se të enjten (16 gusht 2012) në ora 12.00 në Pallatin e Kulturës në Tetovë, do të mbahet mbledhje komemorative, kurse kortezhi për përcjelljen e të ndjerit, do të niset nga qendra e Tetovës në ora 13.30 për në varrezat e qytetit.

Ish-kryetari i PDSH-së, Arbën Xhaferi, vuante nga sëmundja e Parkinsonit, që ishte edhe shkak për tërheqjen e tij nga aktivitetet partiake. Megjithatë, ai mbeti deputet për disa mandate që nga viti 1994 në Parlamentin e Maqedonisë.

Arbën Xhaferri lindi në qytetin e Tetovës, më 24 janar të vitit 1948. Karrierën e tij profesionale një kohë të gjatë e kishte ushtruar në Radiotelevizionin e Prishtinës, si redaktor për Kulturë, ndërsa pas viteve ’90, ai u shpërngul në Maqedoni, duke u përfshirë në skenën politike për 18 vjet me radhë.

Arbën Xhaferi është dhe një nga themeluesit e Partisë Demokratike Shqiptare, të cilën e drejtoi deri në vitin 2007.

Duke qenë lider i PDSH-së njihet për qëndrimet e tij radikale veçanërisht për kërkesat e tij për ndryshimin e Kushtetutës së Maqedonisë.

Gjatë luftës së Kosovës, më 1999, partia e tij ishte në pushtet me ç’rast nga faktori ndërkombëtar çmohet për tonet qetësuese pas ballafaqimit të Maqedonisë me krizën e refugjatëve .

Edhe gjatë konfliktit të armatosur në vitin 2001, partia e tij ishte në pushtet dhe është dhe një nga nënshkruesit e Marrëveshjes së Ohrit . Pas vendosjes së firmës në dokumentin paqësor, Arbër Xhaferi në gjuhën shqipe kishte deklaruar:

“Sipas nenit 7 të Kushtetutës , alinea 2 , e fitoj të drejtën që të flas edhe në gjuhën shqipe në Maqedoni”.

Kjo deklaratë kishte shkaktuar nervozizëm në mesin e zyrtarëve maqedonas nënshkrues të dokumentit të Ohrit.

Por, me zvarritjen e zbatimit të kësaj marrëveshjeje, Arbën Xhaferi deklaroi se tërheq firmën nga ky dokument duke synuar një marrëveshje të re politike midis shqiptarëve dhe maqedonasve që përfshin dhe krijimin e një sistemi dydhomësh në institucionin ligjvënës, si forma e vetme që mundëson realizimin kërkesave të shqiptarëve të Maqedonisë.

Arbën Xhaferi njihej për opinionet filozofike gjatë paraqitjeve në media dhe është autor i shumë eseve dhe artikujve analitikë, pas tërheqjes nga politika aktive.

Menjëherë pas lajmit për vdekjen e Abën Xhaferit , familjes së tij që ndodhet në Prishtinë dhe Partisë Demokratike Shqiptare në Tetovë, i kanë arritur mesazhe ngushëllimi nga zyrtarë të lartë të Maqedonisë, Shqipërisë dhe Kosovës.
XS
SM
MD
LG