Ndërlidhjet

Elvis Prislli: Tridhjetepesë vjet nga vdekja e “Mbretit”




Talenti i tij, dukja, ndjeshmëria, karizmi, ashtu si edhe mirësia njerëzore, kanë bërë që të jetë i dashur për miliona njerëz.

I njohur në botë me emrin e tij Elvis, ai konsiderohet si njëra nga figurat më të rëndësishme të kulturës në shekullin XX dhe një ikonë e vërtetë e kulturës amerikane.



Shpesh i është thënë “Mbret i rokënrolit” ose thjesht “Mbret”. Hitet e tij: "Heartbreak Hotel", "Hound Dog", "Love me Tender", "All Shook Up", "It's Now or Never", "Are You Lonesome Tonight", "Return to Sender", tingëllojnë të freskëta dhe sot, 35 vjet pas vdekjes së tij.

Elvis Prislli është rritur si fëmijë i vetëm. Ai dhe prindërit e tij janë zhvendosur në Memfis, kur Elvisi kishte 13 vjet. Është diplomuar në Shkollën e Lartë Humes në vitin 1953. Veprat e tij janë ndikuar nga popi, muzika vendore e kohës, muzika që ka dëgjuar në kishë dhe R&B i zi, që ka dëgjuar në rrugën historike Beale si adoleshent i Memfisit.

Në vitin 1954, Elvisi ka nisur karrierën e tij muzikore me kompaninë legjendare Sun Records. Më 1956, ai bëhet sensacion ndërkombëtar.

Me zërin dhe stilin e tij, që në mënyrë unike kombinonin ndikimet e ndryshme muzikore dhe sfidonin barrierat sociale dhe racore të kohës, Elvisi ka udhëhequr një epokë të re të muzikës amerikane dhe të kulturës popullore.

Kompania RCA Victor ka fituar kontratën me të nga Sun Records, në vitin 1955, në një marrëveshje të aranzhuar nga koloneli Tomas Parker, i cili do të menaxhonte me këngëtarin për më shumë se dy dekada.

Kënga e parë e Prisllit me RCA-në, “Heartbreak Hotel”, e publikuar në janar të vitit 1956, ka qenë hit numër një.



Ai është bërë figurë udhëheqëse e rokënrolit me një seri paraqitjesh në rrjetet televizive. Në nëntor të vitit 1956, Prislli ka bërë debutimin e tij në filmin “Love Me Tender”.

Në shkëlqimin e karrierës, më 1958, Elvis futet në shërbimin e detyrueshëm ushtarak të SHBA-së, shumicën e të cilit e kalon në Gjermani. Gjatë kohës sa ishte atje, ai takoi 14-vjeçaren Prisilla Bauliu, me të cilën martohet pas shtatë vjetësh e gjysmë.

Prislli rinis karrierën e tij të regjistrimit dy vjet më vonë, me disa nga punimet e tij më të suksesshme komerciale.

I udhëhequr nga Parker, një pjesë të madhe të viteve ’60 e ka kaluar duke bërë filma Hollivudi dhe albume fonograme, shumica e të cilave janë përqeshur nga kritika, por, megjithatë, kanë qenë të suksesshme komercialisht.

Në vitin 1968, pas shtatë vjetësh larg nga skena, ai i është kthyer performancës “live”. Më 1973, Prislli ka mbajtur koncertin e parë që është transmetuar përmes satelitit dhe që është parë nga rreth 1.5 miliard shikues.

Gjatë gjithë jetës së tij, Prislli ka luajtur në 33 filma. Ai ka shitur mbi një miliard incizime në mbarë botën - më shumë se çdo artist tjetër në historinë e muzikës popullore. Në moshën 36-vjeçare, Prislli ka marrë Çmimin Grammy për Arritje Jetësore.

Abuzimi me drogë, megjithatë, ka përkeqësuar rëndë shëndetin e tij. Ai ka vdekur papritur në vitin 1977, në moshën 42-vjeçare, në rezidencën Graceland, e cila tani është muzeu i tij.

Dhjetëra-mijëra njerëz janë rreshtuar pas kortezhit, në rrugën drejt varrezave Forest Hill, kur Prislli është varrosur pranë nënës së tij.

Pas një përpjekjeje për të vjedhur eshtrat e këngëtarit, mbetjet e Elvisit dhe të nënës janë rivarrosur në Meditation Graden te Graceland.
Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG