Ndërlidhjet

Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq ka deklaruar se ende nuk dihet kur dhe në çfarë forme do të vazhdojë dialogu mes Beogradit dhe Prishtinës.

Ai ka thënë se për këtë çështje do të flitet më 4 shtator në Bruksel me zyrtarët më të lartë të BE-së.

“Aktualisht ende nuk janë kristalizuar çështjet as se kur do të nisë, as se në çfarë formati, dhe as për temat e shtruara në dialog”, iu ka thënë Daçiq gazetarëve.

Ai ka shtuar se nuk është qartësuar ende çështja nëse ekziston gatishmëria e Prishtinës që dialogun me Beogradin ta ngrisë në një nivel më të lartë, nga niveli teknik në atë politik.

Aktualisht, në Kosovë po zhvillohet një debat në lidhje me nisjen e një dialogu politik me Serbinë, derisa sikurse Qeveria në Prishtinë, ashtu edhe presidenti serb, po kërkojnë konsensus ndërpartiak për këto lloj bisedimesh.

Nga bisedimet teknike të zhvilluara deri në mars të këtij viti nën ndërmjetësimin e BE-së janë arritur 7 marrëveshje, zbatimi i të cilave, sipas përfaqësuesve kosovarë, lë shumë për të dëshiruar.
XS
SM
MD
LG