Ndërlidhjet

NYT:Femrat në Afganistan


Shkollë vajzash në Kabul, Afganistan

Shkollë vajzash në Kabul, Afganistan

“Afganistani mund të jetë një shtet i rreptë-veçanërisht për gratë dhe vajzat. Shumë prej tyre frikësohen se do të jenë më të pambrojtura ndaj traditave fisnore dhe burrave që i shtypin ato, pas tërheqjes së trupave amerikane në fund të 2014-ës”, shkruan e përditshmja amerikane “The New York Times”.

Historia e këtij vendi na mëson se grave afgane u kanë munguar mundësitë për të pasur një jetë siç e kanë jetuar gratë në shumë vende të tjera të botës.

Në të kundërtën, gjërat të cilat për dikë në Evropë apo Shtete të Bashkuara ishin normale dhe pjesë e pandashme e rutinës ditore, i mungonin procesit të zhvillimit të femrave në Afganistan.

Që kur shpalli shtetësinë në shekullin e XVIII, Afganistani njihej si vend i cungimit të lirive dhe të drejtave të grave.

Mbreti Anamullah Kan që ishte në pushtet prej vitit 1919 e deri më 1929, ishte në mesin e të parëve që promovonte të drejtat elementare për gratë afgane si edukimi, ndërsa shprehej kundër çështjeve si martesat e detyruara apo poligamia.

Por, në fillim të shekullit të XX ishte ende herët të flitet për përmirësime në fushën e të drejtave të grave.

Gjendja u përkeqësua kur kontrollin mbi Afganistanin e morën talebanët në fillim të viteve ‘90.

“Disa kufizime të imponuara nga talebanët lidhur me qasjen në edukim, trajtim shëndetësor dhe punë, u larguan pas 11 Shtatorit në zonat e kontrolluara nga Qeveria. Gratë kanë garuar për poste të ndryshme qeveritare, janë emëruar në ato poste dhe janë përfshirë më shumë në jetën shoqërore të Afganistanit; disa kanë bizneset e tyre”, shkruan “The New York Times”.

Gazeta thekson se Kushtetuta e vitit 2004 garanton të drejta të barabarta dhe se me ligje të reja ka pasur përmirësim në shumë çështje.

Megjithatë, thuhet në shkrimin e “The New York Times”, mbetet ende shumë për t’u bërë.

“Më shumë se gjysma e vajzave afgane ende nuk shkojnë në shkollë dhe, nga ato të rrallat që e bëjnë këtë, vetëm disa do të diplomohen. Kërcënimet janë gjë e zakonshme; vajzat janë sulmuar dhe madje spërkatur me acide për t’i mbajtur ato larg shkollës”, thekson e përditshmja amerikane.

“The New York Times” citon një studim të The Human Rights Watch, që përfshin intervistat e 58 grave dhe femrave afgane, për të vënë në pah problemet ende ekzistuese lidhur me martesat e detyruara.

“Femrat gëzojnë pak mbështetje nga policia dhe gjykatësit dhe ato përballen me padrejtësitë shtesë si ndëshkimi për ‘krime morale’, si për shembull seksi paramartesor”, shkruan gazeta.

Puna të cilën, sipas “The New York Times”, e ka bërë presidenti aktual, Hamid Karzai, në këtë drejtim nuk ka sjell medoemos ndryshime pozitive në respektimin e të drejtave të grave.

Gazeta shpërfaq frikën e shumë aktivistëve, sipas të cilëve, me qeverinë aktuale dhe në kohën kur po kërkohen mënyrat për nisjen e bisedimeve për paqe me talibanët, të drejtat e grave mund të sakrifikohen në shkëmbim të një marrëveshjeje strategjike.

“Një rreze drite megjithatë ekziston, meqë shumë gra afgane duket se kanë gjetur zërin e tyre dhe nuk janë ndruajtur për t’i mbrojtur të drejtat e tyre”, shkruan “The New York Times”.

Shkrimin e plotë të gazetës mund ta lexoni këtu.
Përgatiti: Edona Peci
XS
SM
MD
LG