Ndërlidhjet

logo-print

Ekuadori i jep azil politik Asanzhit

  • RFE /RL

Ministri i Punëve të Jashtme i Ekuadorit, Rikardo Patino, tha se vendi i tij ka vendosur që t’i japë azil politik Xhulian Asanzhit, meqë ka frikë për sigurinë dhe të drejtat e themeluesit të WikiLeaks-it, i cili ka kërkuar strehim në Ambasadën e Ekuadorit në Londër për t’iu shmangur kështu ekstradimit në Suedi.

“Qeveria e Ekuadorit, duke qenë besnike e traditës së mbrojtjes së atyre që kërkojnë strehim në territorin e saj ose në misionet e saj diplomatike, ka vendosur që t’i japë azil diplomatik”, deklaroi Patino në një konferencë për gazetarë.

Asanzh kërkohet në Suedi nën akuzat për keqtrajtim seksual.

Themeluesi i WikiLeaks-it druan se pas ekstradimit në shtetin suedez, ai do të dërgohet për në Shtetet e Bashkuara ku akuzohet për publikimin e mijëra informatave dhe dokumenteve sekrete të Uashingtonit zyrtar, të cilat i kishte siguruar nga ushtari amerikan, Bredli Maning.

Patino tha se Ekuadori beson se Asanzh nuk do t’i nënshtrohet një procesi të drejtë gjyqësor dhe se mund të përballet me përndekje politike, përfshirë edhe mundësinë e ekstradimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Qeveria e Ekuadorit konsideron se argumentet e bëjnë të qëndrueshme frikën e Asanzhit se ai mund të jetë viktimë e përndjekjes politike si pasojë e vendimit të tij për të mbrojtur lirinë e shprehjes”, tha Patino.

Ministri i Jashtëm ekuadorian gjithashtu sulmoi ato që i quajti” kërcënime” të Britanisë në rast se Ekuadori i jep Asanzhit azil.

Patino tha më herët se Britania ka kërcënuar me bastisjen e ambasadës së Ekuadorit në Londër po qe se nuk e dorëzon Xhulian Asanzhin.

"Paprekshmëria e objekteve diplomatike dhe obligimet e qeverive që kanë për ambasadat në territorin e tyre, të mbrojtura nga Konventa e Vjenës e vitit 1961 mbi marrëdhëniet diplomatike dhe nga Konventa e Vjenës e vitit 1963 për çështje konsullore, kërkon që të gjithë duhet të ndërmarrin hapa për të mbrojtur objektet diplomatike dhe konsullore kundër çdo ndërhyrjeje apo dëmtimi dhe për të parandaluar çdo prishje të paqes dhe dëmtim të dinjitetit”, theksoi Patino.

Ministria e Jashtme britanike tha të enjten se dhënia e azilit Asanzhit nuk “ndryshon asgjë, dhe se Britania e ka obligim legal që ta ekstradojë atë në Suedi”.

Suedia i hodhi poshtë akuzat se nuk është e përgatitur për një proces të drejtë gjyqësor ndaj Asanzhit.

Ministria e Jashtme e Suedisë e thirri ambasadorin ekuadorian në lidhje me vendimin për t’i dhënë Asanzhit azil, për të cilin tha se është “i papranueshëm”.

Asanzh, duke folur në Ambasadën ekuadoriane në Londër tha se vendimi i Ekuadorit është një “fitore domethënëse” për të dhe WikiLeaks-in.

Uashingtoni tha se vendimi i WikiLeaks-it për të publikuar kabllot diplomatike ka dëmtuar raportet e SHBA-së me një numër shtetesh dhe ka komprometuar shumë zyrtarë amerikanë dhe individë në shtetet përreth botës, të cilët po ndihmonin Uashingtonin.

Një shembull vjen nga Ekuadori, kur një mesazh i pulikuar nga WikiLeaks nxiti presidentin Rafael Korrea që ta dëbojë ambasadorin amerikan për shkak të dyshimeve se kishte thënë se shefi i policisë së Ekuadorit ishte i korruptuar dhe se Korrea e dinte këtë, por e injoronte problemin.

Përgatiti: Albana isufi
XS
SM
MD
LG