Ndërlidhjet

Tetovë: I jepet lamtumira e fundit Arbën Xhaferit


Arbën Xhaferi (Foto nga arkivi)

Arbën Xhaferi (Foto nga arkivi)

Mijëra qytetarë, personalitete të larta politike nga Maqedonia, Kosova dhe Shqipëria, si dhe diplomatë të huaj, i dhanë lamtumirën e fundit Arbën Xhaferit, në kortezhin për në varrezat e Tetovës.

Me këtë rast në akademinë përkujtimore, lideri aktual i PDSH-së, Menduh Thaçi, tha se mbamendja e shqiptarëve sot është më e pasur duke kujtuar jetën dhe veprën e zotit Arbën Xhaferi.

“Të flasësh për zotin Arbën Xhaferi në këto momente të vështira për gjithë ne, mbase është tepër. Për të flet jeta e tij, puna e tij, përkushtimi dhe vizioni që ai kishte për shqiptarët kudo që jetojnë ata. Dhimbja është shumë e madhe, nuk mund të përshkruhet për familjarët e zotit Arbën Xhaferi, për mua si dhe për të gjithë shqiptarët kudo që jetojnë”.

“Kur një njeri që kemi dashur shumë bëhet mbamendje, ashtu si ne e kemi dashur Arbën Xhaferin, atëherë ajo mbamendje bëhet pasuri. Padyshim mbamendja e shqiptarëve sot është më e pasur duke kujtuar jetën dhe veprën e zotit Arbën Xhaferi. Pushoi së rrahurit një zemër e madhe, zemra e zotit Arbën Xhaferi".

"E tillë me siguri se asnjëherë nuk i humbin njerëzit të cilët i duan, qoftë edhe nëse ata vdesin. Ata vazhdojnë që të jenë pjesë e jona, në çdo veprim, në çdo mendim, e në çdo vendim. Ashtu do të jetë zoti Arbën Xhaferi për mua. Dashuria dhe respekti për të, kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në kujtesën tonë”
, u shpreh Menduh Thaçi në fjalimin e rastit.

Ndërkaq, Mirushe Hoxha, zyrtare e lartë e Partisë Demokratike Shqiptare, tha se Arbën Xhaferi konfiguroi mendimin politik duke vendosur një bazament të shëndoshë të politikë-bërjes jo vetëm për shqiptarët e Maqedonisë, po më gjerë.

“Kjo do të thotë se duhet pasur një ide të caktuar, një mendim të sajuar mirë të cilin do të duhet ta realizosh me mjete dhe me mendime të qëlluara, gjë që mbi të gjitha kërkon një ndryshim, një përparim një vetëdijesim tek individi, te bartësit e asaj ideje”, tha Hoxha.



Për Edi Ramën nga Partia Socialiste e Shqipërisë, Arbën Xhaferi ishte unik me përmasat e tij intelektuale:

“Nuk ka një të dytë në botën shqiptare që të ketë tërë ato përmasa intelektuale që kishte Arbëri. Kjo e bën humbjen edhe më të madhe për botën shqiptare sot. Çdo koment është i tepërt kur vetë jeta dhe vepra e Arbën Xhaferit flet në mënyrë elokuente dhe vazhdon të flasë në mënyrë elokuente për gjithë ata që njohën, e ndoqën e lexuan dhe do të kenë mundësi ta lexojnë në të ardhmen”.

Ikja e Arbën Xhaferit, vlerësoi Pandeli Majko, do të thotë se ka humbur një pasardhës i mirëfilltë i rilindasve, sepse ai injektoi një politikë-bërje të urtë dhe unike për gjithë shqiptarët.

“Me plot gojën mund të themi se kemi humbur të fundmin që na ka trokitur në formë të herëpashershme, duke na thënë kujdes, jo kështu duhet ndryshuar, duhet bërë më të mirë. Fatkeqësisht, ky njeri nuk është mes nesh po pa diskutim testamenti i tij i mendimit të thellë po kalon një stacion nga ekzistenca materiale në mosekzistencë, por rruga e tij ideore jam i sigurt se do të vazhdojë”, shpreh Majko

Albin Kurti nga Leëizja Vetëvendosje, tha se Arbën Xhaferi ka lënë një porosi madhore se rilindja kombëtare nuk ka alternativë, synim për të cilin u angazhua tërë jetën:

“Arbën Xhaferi ka lënë një porosi madhore, e kjo është ajo se rilindja kombëtare nuk ka alternativë. Ai në çdo bisedë, fjalim, tubim e shkrim e ka shtjelluar dhe vërtetuar me saktësi se shqiptarët, për ta ndryshuar gjendjen e tyre nuk duhet ndryshuar të qenët shqiptarë, po pikërisht duhet të mbeten shqiptarë”.

Vdekja e ish-liderit të PDSH-së, Arbën Xhaferit, shkaktoi heshtje të plotë në Tetovë. Para selisë së PDSH-së, ku ishte vendosur arkivoli me trupin e pajetë të Arbën Xhaferit, ku janë bërë edhe homazhe, ishin tubuar mijëra qytetarë që kishin ardhur nga të gjitha qytetet dhe viset tjera shqiptare.

Në ceremoninë lamtumirëse, morën pjesë edhe personalitete publike, politike dhe përfaqësues të korit diplomatik në Maqedoni.
XS
SM
MD
LG