Ndërlidhjet

Derisa konflikti në Siri përkeqësohet, Radio Evropa e Lirë analizon disa nga përfundimet e mundshme.

ASADI BIE; MBRETËRON KAOSI

Lufta civile
Regjimi i presidentit Bashar al-Asad bie dhe shoqëria multi-etnike dhe multi-sektare e Sirisë i tregon dhëmbët. Rritja e dhunës sektare çon në në një luftë civile.

Uejn Uajt, një studiues në Institutin e Lindjes së Mesme dhe ish zëvendësdrejtor i zyrës së Inteligjencës së Departamentit amerikan të Shtetit për Lindjen e Afërt dhe Azinë Jugore, parasheh skenarin:

“Në Siri kemi dallime sektare, ku regjimi alavit i bazuar në pakicën alavite ndoshta do të humbë pushtetin ndaj shumicës sunite që kontrollon rreth 70 për qind të popullsisë. Gjithashtu ekziston një pakicë e krishterë prej 10 për qind që ka qenë mbështetëse e regjimit, të paktën pasive. Pra, ndoshta do të shohim dallimet midis kryengritësve ekstremistë dhe të moderuar. Ne do të shohim dallimet nga rajoni në rajon dhe zgjidhjet që kanë për bazë ndarjet etnike dhe sektare”, tha Uajt.

Shpërbërja
Në mes të kaosit të luftës civile, Siria ndahet në enklava që kanë ambicie të shndërrohen në republika autonome brenda Sirisë, ose edhe në shtete të reja.

Alavitët
Pasi që të rrëzohet nga Damasku, regjimi i Asadit i dominuar nga minoriteti alavit mund të largohet në rajonin prej nga vjen, në perëndim të Sirisë.
(http://www.evropaelire.org/content/article/24663537.html)

Nga fortesa e saj malore, mini-shteti i ri është në një pozicion për të konsoliduar pushtetin dhe luftuar armiqtë e tij.

Fabris Balansh, drejtor i qendrës kërkimore Gremmo dhe ekspert mbi Sirinë, thotë se ekziston një shans i madh që një mini-shtet i tillë të marrë mbështetje nga jashtë.

“Rusia dhe Irani mund ta mbështesin një shtet alavit në bregdet, si (mbështetja ruse për) Abkazinë në Gjeorgji. Rusia, kështu mund të mbajë bazën (detare) të saj në Tartus. Për Iranin, kjo nuk është gjë e keqe, sepse mund ta ruajë ndikimin në detin Mesdhe, dhe mund ta mbajë shtet të vogël që do ta ndihmonte Hezbollahun në Liban”, shprehet Balansh.

Kurdët
Kurdët e vendit, që rritën fuqinë më rritjen e kryengritjes, pasi që kishin qenë të shtypur nga Asadi, kanë kërkuar pavarësi.


Ndikimi rajonal
Pamja e flamurit kurd shkakton alarm në Ankara, e cila frikësohet se armiku i saj i vjetër, Partia Punëtore e Kurdistanit, do të fitojë një terren të ri për të sulmuar Turqinë dhe do ta nxisë popullsinë kurde të Turqisë.

Ministri i Jashtëm turk Ahmet Davutoglu në fillim të gushtit udhëtoi për në rajonin kurd të Irakut për të diskutuar perspektivën e autonomisë siriane kurde me liderin kurd të Irakut Masud Barzani.

Tani Davutoglu duket se është siguruar nga Barzani se përpjekjet për të shfrytëzuar vakumin e pushtetit në Siri konsiderohen si një kërcënim i përbashkët.

Në vendet fqinje, kaosi në Siri ngre tensionet në mes sunitëve dhe shiitëve. Përleshjet vdekjeprurëse që shpërthyen më herët në pjesën veriore të Libanit mes përkrahësve dhe kundërshtarëve të regjimit sirian përhapen më shumë.

Në Iran, rënia e Asadit i kushton Teheranit me humbjen e aleatit kryesor strategjik në rajon.

Në pamje më të gjerë, situata në Siri rrit rivalitetin midis Iranit, Arabisë Saudite dhe Turqisë.

Kostoja humanitare
Tetëmbëdhjetë muajt e kryengritjes kanë lënë 17 mijë persona të vdekur në Siri, dhe ata numra vazhdojnë të rriten me përhapjen e luftimeve. Një mori sirianësh kanë vendosur që t'i bashkohen dhjetëra mijëra refugjatëve të cilët kanë gjetur tashmë strehë në Liban, Jordani dhe vende të tjera fqinje.

Gjasat
Shumë vëzhgues pajtohen- për rënien e Asadit nuk shtrohet më pyetja nëse do të bie, por kur.


ASADI BIE; RIVENDOSET RENDI

Qeveri e koalicionit
Armata e Lirë Siriane e largon Asadin dhe përqafon një tranzicion të rregullt nën një koalicion që përfshin grupe të ndryshme opozitare. Pjesa më e madhe e themeleve janë shtruar tashmë nga përpjekjet e Këshillit Kombëtar Sirian, një grup ombrellë e opozitës, që ka punuar nga Turqia gjatë kryengritjes. Si rezultat, një qeveri kalimtare e unitetit është në gjendje të zbatojë me shpejtësi kushtetutën dhe ligjin zgjedhor.

Ndikimi rajonal
Ata që mbështetën regjimin e Asadit në arenën ndërkombëtare kanë humbur fytyrën pas rrëzimit të tij në sytë e opozitës siriane, dhe disa përballen me reperkusione në vend.

Ed Husein, një analist për Lindjen e Mesme në Këshillin për Marrëdhëniet e Jashtme në Nju Jorkshqyrton implikimet për Republikën Islamike të Iranit.

“Nëse bie regjimi i Asadit, pas rënies së Mubarakëve, Gadafëve dhe Ben Alive, unë mendoj se kjo do të jetë një shtysë e rëndësishme për njerëzit brenda Iranit që të çohen përsëri, edhe një herë kundër(presidentit iranian) Ahmadinexhadit dhe regjimit të Ajatollahëve. Dhe unë mendoj se ata janë shumë të kujdesshëm, sikurse shumë rusë, se ky lloj i precedentit përcakton se kur keni një kryengritje masive të mbështetur nga Perëndimi, në një farë mase ajo që ndodh paskëtaj, është fitorja e kryengritësve. Por, nëse shohin se ky precedent është hedhur poshtë, atëherë kjo do të jetë në favor të tyre si brenda ashtu edhe në rajon”, tha Husein.

Nëse bie regjimi i Asadit, pasojat do t’i ndjejë edhe Rusia thotë eksperti Uajt.

“Pra, nëse regjimi i Asadit bie, investimet e Rusisë në Siri marrin fund. Ajo do të humbë bazën e saj detare në Larakia dhe do të humbë kontratat me armë. Ajo do të humbë ambasadën e saj më të madhe atje. Për rusët do të jetë një katastrofë”, shprehet Uajt.


Gjasat:
Shteti i fragmentuar i opozitës siriane dhe mungesa e udhëheqjes koherente nënkupton se ekziston një pirg shansesh kundër një koalicioni që do të çonte drejt një tranzicioni të rregullt. Duke pasur parasysh nivelin e dhunës dhe krimet që kanë ndodhur në Siri, shumica e analistëve nuk janë optimistë se do të ketë pajtim dhe dialog.


ASADI MBETET NË PUSHTET
Asad mposht kryengritësit dhe nivelin e lartë të dezertimeve brenda rrethit të tij dhe del fitimtar. Me mbështetjen e Ushtrisë Siriane, pa e pakësuar represionin kundër zonave të kryengritësve, ai ka mposhtur rezistencën. Kontrollimi i rezervave të armëve kimike largon çdo mendim të ndërhyrjes nga jashtë dhe e bën atë të rrezikshëm që të rrëzohet nga brenda. Nis një goditje e madhe kundër pjesëtarëve të Ushtrisë së Lirë Siriane dhe anëtarët e opozitës detyrohen të largohen nga vendi ose të fshihen.

Megjithatë, Asad nuk është në një pozicion për t’i pasur zili. Sulmet nga islamistët radikalë rriten në Siri.

Regjimi i Asadit mbetet i izoluar dhe përballet me sfida të jashtëzakonshme për shkak të sanksioneve, të një ekonomie të dobët, dhe presionit ndërkombëtar.

Ndikimi rajonal
Rusia mbetet një prej aleatëve kryesorë të Asadit dhe vazhdon ta mbështesë Sirinë ndërkombëtarisht.

Irani rrit ndihmën për aleatin e vetëm arab dhe mbështetet në precedentin se jo të gjitha kryengritjet rajonale të mbështetura nga Perëndimi janë të suksesshme.

Gjasat:
Shumica e vëzhguesve konsiderojnë se Asadi i ka të vështira gjasat për të mbetur në pushtet. Por, kjo nuk përjashtohet krejtësisht.
Drejtori i Gremos Balansh thotë se ekzistojnë të paktën dy skenarë të mundshëm, sipas të cilëve ai mund të ruajë pushtetin.

“Ai mund të mbetet në pushtet, nëse Ushtria e Lirë Siriane, për shembull ndahet, nëse ka luftë brenda për brenda Ushtrisë së Lirë Siriane dhe disa anëtarë të saj për shembull pranojnë bisedimet me Asadin”, tha Balansh duke shtuar se mundësi tjetër do të ishte, po që se faktori i jashtëm nuk vazhdon mbështetjen për Ushtrinë e Lirë Siriane.


KARTAT E BEFASISË

Kërcënimi islamik
Kryengritësit radikalë, të cilët kanë marrë armët në të gjithë Sirinë kanë fituar pushtet si pasojë e kryengritjes.

Hysein nga Këshilli për Marrëdhëniet me Jashtë vë në pah se “Al-Kaida në Siri është në rritje me ose pa regjimin e Asadit në vend.” Al-Kaida pritet të luajë një rol të rëndësishëm në muajt që vijnë.

Rreziku nga armët
Arsenali i armëve kimike të Sirisë bie në duart e paparashikueshme, duke e lënë tërë botën në gatishmëri të lartë.

“Me militantët islamikë që sillen lirshëm në vend, disa prej të cilave hapur e deklarojnë besnikërinë ndaj Al-Kaidës, ato mund të bien në duart e ekstremistëve. Gjithashtu, një regjim i cili po bie, në agoni të tij, mund ta kalojë një pjesë të tyre te Hezbollahu. Dhe pjesa më vdekjeprurëse e arsenalit është e përbërë nga raketa me mbushje kimike dhe predha artilerie, kështu që nëse Hezbollahu siguron diçka nga to, atëherë izraelitët absolutisht do të tmerrohen”, tha Uajt.
Përgatiti: Albana Isufi
XS
SM
MD
LG