Ndërlidhjet

Analistët: Faji i bie Qeverisë shqiptare


Tirana

Tirana


Shqipëria është tronditur së fundmi nga disa ngjarje kriminale, siç ishte ajo e vrasjes së një gruaje, nënë e 3 fëmijëve gjatë tentativës për t’i marrë asaj varësen.

Ngjarja ndodhi në Tiranë dhe ende pa u zbehur jehona e dhimbjes dhe shqetësimit publik që shkaktoi, të tjera ngjarje kriminale e pasuan.

Në Elbasan një shtetas nën arrest shtëpie u vra në banesë, babai i tij u masakrua për vdekje, ndërsa shtëpia ruhej nga dy policë. Analisti Armand Shkullaku thotë se situata është dëshmi e dështimit të punës së Qeverisë për të garantuar sigurinë publike.

“Qeveria shqiptare ka dështuar në menaxhimin e rendit publik dhe në luftën kundër krimit. Nuk është e drejtë që të kujtohemi për rendin publik apo për luftën kundër krimit pikërisht kur ndodhin ngjarje të këtyre përmasave që zgjojnë ndjeshmërinë e njerëzve”.

“Nëse në Tiranë, çdo grua, çdo vajzë, por dhe çdo burrë mendohet, përpara se të dalë nga shtëpia se mund të vërë në rrezik jetën e tij, mund të grabitet, mund të goditet, mund të qëllohet, atëherë mendoj që ky është një problem që duhet të alarmojë jo vetëm Qeverinë, sigurisht Qeveria është përgjegjëse, por duhet të alarmojë dhe institucione të tjera, shoqërinë civile”,
thotë Shkullaku.

Analisti Mentor Kikia mendon gjithashtu se situata është produkt i paaftësisë së policisë. Ai nënvizon një rrezik edhe më të madh që kërcënon shoqërinë, krimi që vjen nga adoleshentët.

Gjatë dy viteve të fundit, grabitjet e bankave, argjendarive, por dhe shtetasve në rrugë, kanë pasur shpesh protagonistë të rinj të moshës nga 14 në 20 vjeç.

“Ky lloj kontingjenti kriminal është sot krejtësisht jashtë kontrollit. Jashtë kontrollit të drejtësisë, jashtë kontrollit të strukturave të shtetit, jashtë kontrollit të familjes. Kjo është një minë me sahat për shoqërinë shqiptare. Unë mendoj që ky është problemi më i rrezikshëm, me të cilin përballet sot shoqëria jonë, një problem që ne ende refuzojmë ta marrim në konsideratë, refuzojmë ta shohim me gjithë përmasat që ka”, shprehet analisti Kikia.

I bindur se përmasa e problemit nuk është aq çfarë ajo duket apo shfaqet në median e shkruar e vizive, Kikia thekson se situata kërkon trajtim me seriozitet.

“Për 20 vjet ne kemi neglizhuar dhe kemi menduar se një vend zhvillohet vetëm duke shtruar rrugë, ndërtuar dhe hapur vende të reja pune. Kemi harruar që shoqëria është një ndërtesë komplekse, që s’përbëhet vetëm nga ngrehinat e betonta. Nëse nuk do të vazhdojmë ta marrim seriozisht problemin e krimit nga adoleshentët, problemin e edukimit të tyre, hapjen e qendrave të riedukimit për këta adoleshentë, shoqëria shqiptare do të përballet me probleme që do të harrojë integrimin dhe statusin e vendit kandidat dhe do të detyrohet të fusë kokën brenda pa u errur mirë, për t’u mbrojtur nga bandat e rrugës”, vlerëson Kikia.

Shkullaku analizon se situata është produkt i zhvendosjes së prioriteteve të Qeverisë. Lufta ndaj krimit u la në sirtar dhe tashmë, sipas analistit, energjitë shpenzohen për çështje të tjera siç është debati politik.

“Mendoj se Qeveria Berisha pati një 2-3 vjeçar shumë të mirë pas 2005-s, gjatë mandatit të parë, në luftë kundër krimit. Kujtoj banda kriminale të tmerrshme që askush nuk mendoi se mund të prekeshin, u eliminuan, krimi i rrugës pësoi sprapsje. Kjo që po ndodh sot, është pasojë e shkrehjes dhe e nxjerrjes së rendit publik dhe sigurisë së qytetarëve, në plan të dytë”.

“Energjitë janë përqendruar të gjitha te lufta politike, tek integrimi, marrëveshja për Kodin zgjedhor te marrëveshja për Kushtetutën. Ndërkohë, që unë mendoj që shteti nuk duhet të heqë dorë nga prioritete të tilla dhe prioritet numër një për të gjithë ne është jeta e qytetarëve”,
konsideron Shkullaku.

Analisti Armand Shkullaku i quan pa vend deklaratat e zyrtarëve të lartë pas një ngjarjeje kriminale. Puna në terren, sipas tij, do të thotë më shumë sesa shprehja publike e keqardhjes për një krim të ri që godet shoqërinë.

“Është e pajustifikueshme që zyrtarët e lartë të dalin të distancohen, të dënojnë krimin etj. Nuk është kjo detyrë e tyre, këtë e bëjmë ne. Detyrë e tyre është që krime të tilla të mos ndodhin. Nëse ata nuk janë në gjendje të sigurojnë një gjë elementare, siç është jeta e njerëzve, atëherë nuk kanë pse rrinë në ato poste”, thekson Shkullaku.
XS
SM
MD
LG